E Shtunë, 31 Tetor 2026

Intervista/Listat e mbyllura, një alternativë e paraqitur edhe nga ekspertët e OSBE-ODIHR-i

Zoti Patozi, para pak ditësh kaloi në Parlament, projektligji për reformën në drejtësi, në një kohë që vërehet një farë ngërçi përsa i përket reformës zgjedhore. Çfare po bëhet konkretisht për zhbllokimin e saj dhe pse nuk po ecin paralelisht këto dy reforma?
Siç jeni informuar edhe ju, projektligji për reformën në drejtesi kaloi me sukses. Nuk është e vërtetë që ka një ngërç në reformeë zgjedhore. Pasi komisioni parlamentar që është ngritur për këtë çështje po punon intensivisht mbi këtë çështje. Megjithatë nuk ka ndonjë ngut pasi ka ende kohë deri në prag të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Për ne është e rëndësishme klima konsensuale që po mbizotëron si për këtë reformë jetike për pasjen e një procesi zgjedhor brenda standardeve ndërkombëtare, e cila ka marrë edhe vlerësimet e partnerëve tanë ndërkombëtarë.

Partite aleatë nga të dy kampet dhe kryesisht ato të opozitës, po akuzojnë prej disa kohësh dy partitë e mëdha për një marrëveshje të fshehtë mes tyre. Nëse kjo është e vërtetë sa mund të quhet në analizë të fundit kjo reformë konsensuale?
Një gjë e tillë, nuk është aspak e vërtetë, pasi kjo është një klimë politike që mbështetet tek thashethemi dhe jo tek ajo që ndodh realisht. Për sa i përket reformës zgjedhore ka një klimë të panevojshme tensioni, ku disa parti po akuzojnë për arritjen e një marrëveshje midis PD-së dhe PS-së, që, sipas tyre, do të dëmtonte partitë e vogla. Bashkëpunimi midis PD dhe PS për reformën zgjedhore, është një problem që nuk duhet trajtuar si një sfidë midis partive të mëdha dhe partive të vogla, por si një zgjidhje për interesat jetike dhe për stabilitetin politik të vendit. Në rast se do ta trajtonim si një çështje midis partive të mëdha dhe atyre të vogla, unë do të theksoja se PD dhe sigurisht edhe PS, janë parti maxhoritare dhe po të ishte në interesin e tyre të drejtpërdrejtë ato do të parapëlqenin dhe do të vendosnin për një sistem të pastër dhe maxhoritar

Në rast se nuk arrihet një marrëveshje me aleatet, a mund të kalojë procesi në një referendum popoullor, ide kjo e hedhur fillimisht nga Avokati i Popullit dhe përkrahur më pas nga disa nga përfaqësuesit e partive të vogla politike?
Ne po përpiqemi të krijojmë një klime konsensuale edhe me aleatët. Deklaratat e këtyre të fundit, kryesisht të aleatëve të Partisë Socialiste, bëhen në funksion të një lloj presioni brenda koalicionit për ndarjen e zonave të influencës, çka rrezikon që të krijojë një klimë destabiliteti. Në parim nuk jemi kundër referendumit si një instrument ku shprehet vullneti i popullit, ndonëse në rastin konkret mbetet ende për t’u parë nëse reforma do të kalojë ose jo përmes votës referendare, pasi dihet se nuk është e lehtë të bëhen ndërhyrje në Kushtetutën e Shqipërisë.

Gjithsesi në parim, Partia Demokratike është për një sistem zgjedhor proporcional apo mazhoritar?
Kjo ende nuk është vendosur dhe për këtë çështje një vendim përfundimtar
do të marrim në konsultim të ngushtë edhe me aleatët. Për shkak të skemës antikushtetuese të Dushkut ka një preferencë të dukshme drejt proporcionalit. Megjithatë, duke qenë se ne jemi forca më e madhe politike në vend do të parapëlqenim një sistem mazhoritar të korrektuar nga lista proprocionale. Pra
pak e shumë jemi për ruajtjen e sistemit aktual me ndryshimin që duhet të evitohen të gjitha mundësitë që cilado forcë politike të mund të ndërmarrë makinacione elektorale që deformojnë rezultatin e zgjedhjeve.

Debatet më të nxehta i atribuohen pragut elektoral. Të vegjlit thuajse janë të gjithë dakord për mbajtjen e tij në nivelin aktual pra 2.5 përqind. Cili është qëndrimi i Partisë Demokratike?
Parashikoj që pragu elektoral nuk do të lëvizë, pra do të mbetet po ky që është. Është e pritshme që një rritje e ndjeshme e pragut në nivelin e 4.5 apo 5 përqind sikurse e kanë disa vende në rajon si dhe Kosova në zgjedhjet e fundit në nëntorin e kaluar, nuk mund të pranohet nga partite e vogla sepse prek direkt interesat e tyre dhe bashkë me këto të fundit prish në një mënyrë a në një tjetër kohezionin e koalicionit politik ku ato bëjnë pjesë.

Po për listat zgjedhore, a do të jenë ato të hapura apo të mbyllura?
Para pak ditësh perfaqësuesit e OSBE-së dhe ODHIR-it ishin në Shqipëri,
ku patën dhe nje takim dhe aleatet tanë, gjatë së cilës u shprehen qartë se
ishin kundër listave të hapura, ç’ka do të thotë se paa asnjë dyshim do të përdoren listat e mbyllura zgjedhore. Pra këto lloj listash janë një rekomandim i ndërkombëtarëve dhe nuk kanë të bëjnë aspak me marrëveshje kulisash mes 2 forcave politike në kurriz të partive të tjera parlamentare, siç është pretenduar kohët e fundit në media. Listat e mbyllura, nisur nga difektet e proceseve zgjedhore të mëparshme, shihen nga OSBE-ODIHR-i, si një kusht
i domosdoshëm që duhet përmbushur për të shmangur përfundimisht përsëritjen e fenomenit antikushtetues të Dushkut.

Ndërkaq është folur për dy sisteme, ai proporcional gjerman i personalizuar dhe ai spanjoll preferencial. Cili prej tyre është më i përshtatshëm për vendin tonë?
Më duhet të them se secili nga këto dy sisteme ka të mirat dhe të keqijat e veta. Gjithsesi mendohet se sistemi gjerman është më i përshtatshëm për një vend si Shqipëria, pasi sistemi preferencial spanjoll mbart në vetvete shumë teknikalitete, e për pasojë kërkon një kohë relavitisht të gjatë në llogaritjen e rezultateve përfundimtare. Megjithatë për momentin gjithçka mbetet për tu debatuar në mënyrë profesionale dhe larg emocioneve politike, për të vendosur se cili prej tyre do të përdoret.

Sa mendoni se do të ndikojnë rezultatet e reformës zgjedhore për marrjen e ftesës së Shqipërisë për antarësim në NATO?
Rezultatet e deritanishme kanë treguar se Shqiperia po ecën më së miri dhe
me të gjitha parametrat e duhur për ta çuar vendin drejtë anërtarësimit në NATO. Në këtë kuadër edhe përshtypjet dhe vleresimet e dhëna së fundmi nga vëzhguesit e OSBE dhe ODHIR kanë qenë tepër pozitive. Kjo natyshëm na shton optimizmin se përveç marrjes së mundshme të ftesës për në NATO, shumë shpejt Shqipëria do të jetë pjesë e vendeve të Bashkimit Evropian. Bisedoi Silvana Tresa

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›