E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nano duhet të “birësojë” edhe të Majtën

Çarja e fundit në kampin opozitar, jo vetëm që është shndërruar në një kazus frikësues, por dëshmon dobësitë dhe lëngatat e forta e të kahershme në trupin e drobitur të së Majtës. Gjendje morboze kjo që, në tërësi, përkthehet edhe si dobësim i mbarë klasës sonë politike, teksa “gjysma e trupit” të saj vuan “paralizën”. Vendimi i tre partive me në krye LSI, për të lënë të vetmuar Gjinushin dhe Ramën, na ndërmend dështimin që në vezë të idesë gjinushiane të Federatës së Majtë..., dhe në kontekstin “allajugosllav”, për bashkëshoqërim idesh na sjell në qasje krahasuese “shpërbërjen” e ish Jugosllavisë pas vitit 1991 dhe mbetjen e saj vetëm me Federatën Jugosllave me dy republika: Serbinë dhe Malin e Zi.
Duke e perifrazuar këtë krahasim (që gjithsesi çalon si të gjitha krahasimet), Federata allatitiste e Majtë shqiptare, me ideator Gjinushin dhe me mbështetës Ramën, (që na ndërmendin Titon dhe Dimitrovin), u katandis në minifederatën me dy parti, PS e PSD, e ku ndoshta Gjinushi, ashtu si edhe Dimitrovi, nuk do të arrijë kurrë që me rotacion të bëhet shefi i saj, sikurse u bë dikur shqiptari i Kosovës Sinan Hasani, në Federatën post-titiste të Jugosllavisë.
Dhe kur mendon se procesi i diferencimit dhe më pas i disociimit të së Majtës zuri fill me Nanon, dhe që gjithashtu vazhdoi me ëndrrën e tij presidenciale, me përjashtimin e deputetëve nanoistë nga PS, me fillimin e Lëvizjes Socialiste për Politikë Institucionale dhe më pas me Lëvizjen “Nano eja” brenda saj, për t’u pasuar nga arratisja e Nanos dhe “ringjallja” e tij vetëm pas lajmit për “birësimin...”, për të lënë pas vetëm terr lidhur me vendndodhjen e atij që është promotori dhe produktori i vetëm i ideve dhe lëvizjeve politike trandëse në të Majtën shqiptare – e kupton se ky njeri ka ndikim magjik mbi partinë më të madhe që priu dhe mbi derivatet apo aleatët e saj majtistë.
Kësisoj, duke ndërmendur profecitë e vazhdueshme të Nanos lidhur me zhvillimet në të Majtën shqiptare, si dhe çarjen e madhe aktuale, gjetja e parë krahasuese që të vjen ndërmend është se Nano ka të ngjarë të jetë, as më shumë e as më pak, përveçse “Nostradamus-i” i së Majtës. Ose “Orakulli” i lashtë dhe njëkohësisht i ri i “Dodonës”, njëfarë Kasandre që parashikoi fundin e “Trojës” majtiste e që ndofta çau ferrën që të mos e zërë brenda “çatia...”, apo “muret e plasaritura të Trojës”.
Tashmë brenda të Majtës së përçarë, padyshim që nuk ka ndikuar vetëm dasia “kryeministrore” që distancoi Ramën dhe Metën pas shpërfaqjes hapur të synimeve respektive dhe mosmiratimit reciprok të ëndrrës kryeministrore, të refuzuar dyanshmërisht deri edhe nga ndihmësit më të afërt të dy liderëve kryesorë. Aty me gjasë ka ndikuar edhe koncepti i ndryshëm midis dy kampeve majtiste lidhur me Kodin e mundshëm Zgjedhor, “listat e mbyllura” të të cilit e lënë sërish Gjinushin në politikë... Por mund të ketë ndikuar edhe ideja gjinushiane e krijimit të Federatës së Majtë, çka do të thoshte gjithashtu riciklim i fortë i Gjinushit, sidomos kur “rotacioni i lidershipit”, ky parim themelor i Federatave vullnetare, ta sillte Gjinushin në krye të së Majtës, qoftë edhe përkohësisht.
Padyshim që, nisur nga pesha e rëndësishme e Nanos në lidershipin e të Majtës shqiptare, nisur edhe nga fakti që jo rastësisht afrimi i Nanos trondit gjithmonë skemat dhe aksionin politik të saj, (sikurse gjatë takimit të Janarit 2007 me Berishën, çka solli rifutjen me shpejtësi të partive të Majta në procesin zgjedhor deri atëherë të refuzuar e të rrezikuar të zgjedhjeve vendore të shkurtit), edhe largimi qoftë edhe i përkohshëm i Nanos, duket se sjell lëvizje dhe pështjellime në të Majtën shqiptare.
Do të mjaftonte precedenti i zhvillimeve të brendshme në PS në vitin 1996, (teksa Nano asokohe ndodhej në Bënçë), për të kuptuar sesi fare lehtë, që nga Bënça, ky “Eol-Perëndi e Erërave” fryu me bulçi kacekët e zemërimit, që ngritën dallgë të mëdha brenda partisë që asokohe drejtohej nga quadrumvirati: Pëllumbi, Hajdaraga, Meta e Dokle.
Ndofta ka ardhur koha që Nano të rikthehet..., dhe si një “baba” shembullor të “birësojë” e të rikthejë në gjirin e “familjes” dhe në vatrën “atërore bijtë plangprishës” që kanë çarrë ferrën secili në qejf të vet.
Me Nanon gjithashtu “plangprishës” e që shpesh “harron” ku e ka “shtëpinë” për shkak të “xhin-xhon-it” apo për “viçin” që e “humbet” po aq shpesh dhe që për këtë shkak e “zë nata jashtë”, tashmë vërtet janë mësuar majtistët tanë... Por gjithsesi ai (pra Nano), është “baba”.
“Të gjithë kemi nga një babë”, - thoshte dikur “babai” i të Majtës shqiptare. Dhe kishte të drejtë: e kish edhe ai “babanë”... Çka do të thotë se, qëkurse ka “baba”, patjetër që ka edhe bij... Bij që ndoshta duhen “birësuar”, që të mos marrin rrugët e botës, por të rikthehen nën çatinë “atërore”.
Ndoshta vetëm atëherë, e Majta e “birësuar” nga “Baba-Nano”, do të mundet të ringrihet e të rritet, sikurse thoshte edhe poeti: “... ç’i rrit çiliminjtë? / dashuria e prindit dhe përkëdhelitë...”.
“Dum Babën”, thërrisnin “dumbabistët” gjatë Lëvizjes “Nano eja”..., sidomos dumbabistët fierakë, që Nano i la në rrugë të madhe, duke e pritur.
Dhe historia jonë na ka mësuar se majtistët tanë janë dumbabistë, që duan baba për t’u birësuar...
 Nga Astrit Kola

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›