E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetmia që po kënaq Ramën

Lëvizja Socialiste për Integrim ka braktisur zyrtarisht koalicionin opozitar që drejtohet nga Partia Socialiste. Lajmi është kumtuar dje në mesditë nga vetë
kreu i LSI-së, Ilir Meta pas mbledhjes së Kryesisë së kësaj force, e cila e ka shpallur të vdekur koalicionin e majtë që në zgjedhjet e fundit vendore u paraqit me sloganin “Bashkë”. Ndërkaq Meta ka bërë përgjegjës për shkatërrimin e koalicionit lidershipin socialiust dhe kryesisht kryesocialisti Edi Rama që sipas LSI-së dhe jo vetëm ka tentuar gjithnjë që të nënshkruajë pakte të fshehta vetëm në funksion të interesave të ngushta financiare. “Koalicioni opozitar ka pushuar së funksionuari që pas zgjedhjeve vendore të 18 shkurtit të vitit 2007 dhe për këtë përgjegjësia kryesore është e lidershipit të Partisë Socialiste. Vendimet e rëndësishme për çeshtje madhore politike dhe të reformave janë marrë sistematikisht në mënyre të njëanshme. Bashkëpunimi i hapur dhe luajal midis opozitës për hir të reformave madhore integruese, është kthyer në një lidhje jo transparente dhe personale mes lidershipit të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Pasoja më e rrezikshme e kësaj marrëdhënieje jo trasparente dhe jo parimore është pikërisht shkatërrimi i reformës zgjedhore gjoja në emër integrimit në NATO” - deklaroi dje Ilir Meta. Sipas tij kjo forcë në mënyrë të përsëritur në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore ka kërkuar arritjen e një konsensusi midis partive të opozites si dhe kemi kërkuar shpeshherë. “Por, në vend të gjetjes së një konsensusi sa më të gjerë brenda opozitës dhe brenda vetë komisionit parlamentar pozitë-opozitë, lidershipi i PS ka zgjedhur bojkotimin e koalicionit opozitar, si dhe bllokimin e programuar të komisionit parlamentar për Reformën zgjedhore duke preferuar koalicionin e mbyllur të “listave të mbyllura” dhe “interesave të mbyllura” të lidershipit PD-PS. Ndaj LSI ndjen përgjegjësitë e saj publike dhe kombëtare për të denoncuar këtë rrezik që i kanoset demokracisë dhe integrimit të vendit nga riciklimi i lojërave të përsëritura dhe me kosto të jashtëzakonshme për demokracinë dhe stabilititetin politik të vendit. Ndaj sot, LSI afirmon edhe më fuqishëm vendosmërine e kahershme që prej themelimit të saj për shenjtërimin e votës së shqiptarëve për të punuar me të gjithë forcat e faktorët e përgjegjshëm politike në parlament e jashtë tij madje edhe brenda PS dhe PD për të shpëtuar vendin nga masakra elektorale e radhës”- vijoi më tej kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në kushtet e inekzistencës dhe “prishjes së njëanshme nga PS të koalicionit të vjetër opozitar”, Meta ka shpallur krjimin e një koalicioni të ri opozitar, të etiketuar e “Majta për integrim”, i cili sias tij do të synojë integrimin dhe përfaqësimin e të gjithë kontributeve të të gjithë shqiptarëve që besojnë tek vlerat e vërteta të së majtës, progresit dhe integrimit. “Lëvizja Socialiste për Integrim beson se jo vetëm politika shqiptare, por edhe e majta në përgjithësi që sot hyn në një fazë të re cilësore dhe vendimtare për të ardhmen” - përfundoi ai. Marrëdhëniet mes PS-së dhe LSI-së nuk kanë qenë asnjëherë idilike, mjafton këtu që të kujtohet marrëveshja e vështirë që Meta nënshkroi me Ramën në 26 maj të vitit 2006, në funksion të konkurrimit të përbashkët në zgjedhjet për pushtetin vendor. Pavarësisht dokumentit të nënshkruar dhe pikave që lipset që të zbatoheshin nga të gjithë krerët e opozitës parlamentare, tensioni dhe presionet për dalje nga grupimi nuk munguan gjatë gjithë ditëve të negociatave për ndarjen e zonave elektorale. Mospasja e numrave nga ana e mazhorancës për të zgjedhur e vetme Presidentin e Republikës nga njëra anë dhe premtimi për të shkuar në zgjedhje të parakohshme parlamentare nga ana tjetër, ka qenë një tjetër moment kur LSI dhe PS kanë diverguar në qëndrimet e tyre. Lëvizja politike e Metës po shihet me simpati nga mbështetësit e ish-krytarit të PS-së, Fatos Nano që prej kohësh kanë humbur orientimin politik, kjo për shkak edhe të mbylljes së çdo hapësire institucionale për të kundërvepruar në strukturat socialiste në qendër e bazë ndaj kursit të ri politik që po aplikon Edi Rama. Evokimi i togfjalëshit “e majta e vërtetë”, josh natyrshëm eksponentët e Lëvizjes për Politikë Institucionale të cilët pritet që në ditët në vijim të shtojnë paralelisht me Metën dozat e kriticizmit dhe sulmeve ndaj kryesocialistit Rama dhe Partisë Socialiste të Shekullit të Ri e cila sipas vetë kryebashkiakut të Tiranës nuk ka asnjë lidhje me të majtën tradicionale shqiptare. Për shkak të një arkivi të pasur me akuza dhe kundërakuza, nuk mund të pritet një bashkëpunim i hapur mes Metës dhe Nanos. Për shkak të pozicionimeve të përafërta mediatike dhe interesave jetike, Demokracia Sociale e Paskal Milos dhe aleancistët e Neritan Cekës, mund të shihen që tani aleatët kryesorë të koalicionit të ri opozitar “E majta për Integrim”. Marrëveshja e 26 majit 2006 është kompromentuar rëndë dhe përveç vetë PS-së, i vetmi qëndrestar është kreu socialdemokrat, Skënder Gjinushi që tashmë ka shansin që të bëjë protagonistin absolut në të majtën mutante që ka gatuar Rama. Reaksioni ndaj politikës së re të Ramës, demagogjike e boshe në përmbajtje, bazuar kryesisht mbi negacionin, sapo ka filluar. Vetvetiu kryesocialisti do të duhet që të zgjerojë shënjestrën e tij. Tashmë për tu damkosur e demonizuar si politikë e vjetër janë më shumë se gjysma e aleatëve të tij politikë. Përveç Sali Berishës, Fatos Nano, në listë janë edhe Ilir Meta, Neritan Ceka dhe Paskal Milo. Koha do të provojë sesa mund të rezultojë i suksesshëm ky donkishotizëm politik dhe se deri kur Rosinanti Gjinushi, mund të vrapojë me galop.
Ceka: PS ka promovuar një sistem që synon eleminimin e aleatëve/Presidenti i Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka, i është bashkuar dje akuzave të kreu të LSI-së, Ilir Meta kundër mënyrës sesi PS-ja ka menaxhuar në tërësi koalicionin opozitar dhe aktualisht reformën zgjedhore. “Përsa i përket reformës zgjedhore, PS ka heshtur ose ka promovuar një sistem, i cili është haptas në kundërshtim me interesat e koalicionit, dhe nuk ndikon në bashkimin e tij, por në përçarjen e koalicionit, pra një sistem i cili ka në thelb të tij eleminimin e aleatëve dhe jo fitoren”- tha ai. Sipas kreut aleancist nuk ka një koalicion, por në fakt ka një opozitë që vepron bashkë dhe një tryezë opozitare, por kohët e fundit ka munguar transparenca në lidhje me reformën zgjedhore. “Natyrisht me një bazë të tillë nuk ka fitore, por vetëm humbje, kështu që bashkëveprimi është i pamundur. Reagimi i LSI-së ka qenë i qartë. Reagimet tona janë gjithashtu të qarta, sepse të gjitha partitë e tjera përveç PS-së kanë nënshkruar një dokument ku kërkojnë një sistem të personalizuar proporcional, ku të eleminohet fenomeni Dushk dhe të jepet mundësia që koalicionet të realizohen pas zgjedhjeve”- tha , deklaroi zoti Ceka. Sipas tij, vetëm në këtë formë do të duket edhe forca e çdo partie, do të hiqet dhe ajo që quhet klientelizëm partiak dhe çdo parti do të provojë sesa e fortë është në zgjedhje. “Besoj se ky është sistemi që i jep mundësinë edhe shqiptarëve të kenë në parlament aq deputet sa kanë votuar ata në kutitë e votimit” - deklaroi Ceka.
Rama: Meta merret me vogëlsira, po bëhet vegël e politikës së vjetër/Ndërsa në Tiranë, e majta ka pësuar një çarje të madhe, kryesocialisti Edi Rama ka vijuar arratisjen e tij nëpër rrethe si mënyra e zakonshme që ai zgjedh tashmë për të shmangur problematikat për të cilat ai në fakt duhet që të tregojë lidershipin. Dje ai është mjaftuar vetëm me një koment të përgjithshyëm mbi dkelaratat e Metës, duke u shprehur se ndjente keqardhje se “pse miku i tij Ilir Meta merret me detaje të vogla dhe debate që janë pjesë e politikës së vjetër”. Formalisht Rama thya se pavarësisht vendimit të LSI dyert e koalicionit mbeten ende të hapura. Kryesocialisti ka qenë në fshatin Allkaj të Lushnjës, ku ka diskutuar me banorët për problemet që ka sot shëndetësia nga pamundësia e spitaleve për të garantuar një shërbim dinjitoz deri tek qendrat shëndetësore që janë vetëm godina ku jepen receta dhe asgjë më shumë. Rama është takuar më pas edhe me bluzat e bardha të qytetit të Lushnjës si dhe me banorë të qytetit të Lushnjes për të dëgjuar edhe prej tyre, jo vetëm shqetësimet për sistemin shëndetësor në vend, por edhe mendimet e tyre për zgjidhjen e problemeve të shëndetësisë. “Jemi në sinkron me dëshirën e të gjithë shqiptarëve për t’u ndarë nga një politikë e vjetër e konflikteve, e sherreve, e ndasive, e përçarjeve, e paragjykimeve, nga një politikë e vjetër e cila e ka mbajtur peng Shqipërinë. I ka mbajtur peng shqiptaret dhe shqiptarët me mure paragjykimesh dhe që ka sunduar përmes qeverisjesh abuzive. Përmes qeverisjesh që nuk kanë qenë në gjendje t’u japin përgjigje pikëpyetjeve që shkojnë duke u rënduar. Përmes qeverisjesh që kanë bërë që një pakicë gjithmonë e më e vogël të pasurohet ndërkohë, që një shumicë gjithmonë e më e madhe varfërohet përditë e më shumë. Sot është dita, që ne të gjithë t’i japim fuqinë një politike të re, një bashkimi të ri një besimi të ri, një patriotizmi të ri. Sot është dita për t’u ndarë njëherë e mirë nga një rrugë dështimesh 17-vjeçare të njëpasnjëshme” - deklaroi Rama.

 Alket Goce

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›