E Diel, 1 Nëntor 2026

Intervistë e Presidentit Topi dhënë për emisionin “Tonight” të gazetares Iva Tare në Televizionin Ora News

26 qershor 2012

Ilva Tare:Mirëmbrëma! Mirëmbrëma, zonja dhe zotërinjt! Ka qenë një muaj i nxehtë qershori jo vetëm nga temperaturat atmosferike, por edhe nga debatet fillimisht për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës, nga Kampionati Evropian i Futbollit, ndërkohë që emocionet vazhdojnë që, me siguri, janë më të mëdha në këtë muaj të fundit përpara dorëzimit të detyrës nga Presidenti në Detyrë i Republikës, zoti Bamir Topi. Mirëmbrëma, zoti Topi! Mirë se erdhët sonte në “Tonight”!

Presidenti Topi: Mirëmbrëma!

Gazetarja: Kam një pyetje të drejtpërdrejtë që lidhet me emocionet që fola. Fillimisht, me emocionet për futbollin. E di që jeni një tifoz i betuar i Italisë.

Presidenti Topi: Nuk jam tifoz i betuar. Unë jam një tifoz i betuar i Shqipërisë, por sikurse çdo njeri, edhe unë kam preferencat e mia. Unë kam një jetë të tërë që i jam përkushtuar futbollit në mënyra të ndryshme; herë si lojtar, dhe në ndonjë rast dhe si President i Klubit Sportiv “Tirana”. Si shumica e shqiptarëve, edhe unë kam një lloj tërheqjeje për futbollin. Besoj se është një sport botëror.

Gazetarja: Keni një problem të vogël: Keni përballë një mbështetëse të Gjermanisë. Është ndeshja ditën e enjte.

Presidenti Topi: Gjermania paraqitet me një ekip jashtëzakonisht të madh, me një histori të patjetërsueshme të futbollit. Nga ana tjetër, është edhe ekipi i Spanjës, që ka treguar se është ekipi më i fortë i dhjetëvjeçarit të fundit. Them se janë katër ekipe dhe besoj se, në gjysmëfinale, në këtë etapë nuk mund të bësh parashikime.

Gazetarja: Me qenë se jemi te toni futbollistik, nuk duket sikur Italia në këtë kampionat ka ndryshuar pak taktikë?! Përgjithësisht, ka qenë mbrojtëse, këtë radhë është shfaqur më sulmuese. A ka ndonjë ngjashmëri, mos ndoshta edhe loja juaj politike po i përshtatet ekipit të zemrës?

Presidenti Topi: Jo, nuk besoj se rregullat e politikës shkojnë në sinergji me ato të futbollit. Natyrisht, futbolli ka filozofinë e vet, ndërtimin e taktikave. Tani mund të them se kemi fituar më shumë përvojë në politikë, sesa përvojë futbollistike.

Gazetarja: Po te kundërsulmet?

Presidenti Topi: Kundërsulmi, zakonisht, është karakteristikë e ekipeve që nuk besojnë që nga fillimi te fitorja, por ia lënë atë rastësisë. Unë jam i parimit dhe i taktikës racionale të një futbolli tërësor, të përgjithshëm.

Gazetarja: Pra, ju s’keni ndërruar taktikë.

Presidenti Topi: Besoj se deri tani ajo që unë kam ndjekur gjatë jetës sime, të themi atë që kemi parë në televizion, futbolli të plotë mbetet futbolli më i admirueshëm.

Gazetarja: Sigurisht, është futbolli apo ka edhe ndonjë lloj tjetër sporti? Është edhe politika, që është e ngjashme shumë për sa u takon ekipeve, kundërshtarëve.

Presidenti Topi: Ka ngjashmëri. Është interesante që veprimtari të ndryshme në jetë kanë ngjashmëritë dhe veçoritë e tyre.

Gazetarja: Me qenë se jemi te Italia e Gjermania. Zëri i publikut është i çuditshëm. Kur unë publikova praninë tuaj sonte në intervistën “Tonight” më thanë: “Pyeteni Presidentin Topi sesa do të dalë ndeshja. Itali-Gjermani.” Ju thatë pak më parë se është e vështirë të japësh ndoshta një parashikim.

Presidenti Topi: Nuk do të doja ta bëja atë gabim për të bërë parashikime, sepse vërtet janë dy ekipe që nuk mund t’i parashikosh. Në rast se do të shikonim traditën, ajo flet ndryshe.

Gazetarja: Tradita edhe...

Presidenti Topi: Natyrisht, kjo është edhe arsyeja pse nuk parashikojmë dot.

Gazetarja: Si ju, nga detyra e Presidentit të Republikës, do të ktheheni në politikë në formë aktive; ndoshta edhe në krye të një partie, por për këtë do të flasim më vonë. A dini ndonjë rast të ndonjë homologu tuaj që e ka bërë këtë?

Presidenti Topi: Pa dalë në përvojat jashtë Shqipërisë, ne kemi përvojat brenda saj.

Gazetarja: E keni fjalën për zotin Berisha?

Presidenti Topi: A pyetët për një rast? Atë rast e kemi këtu.

Gazetarja: E kemi këtu dhe nuk do të shkojmë te përvojat e tjera. Do ndalemi përsëri te ndeshja. Unë e di që e keni ndjekur Kampionatin Evropian të futbollit, por edhe teleshikuesit janë ende në atmosferën e këtij kampionati. Italia dhe Gjermania, 70 vjet më parë këto dy shtete edhe pse ishin pushtuese, ishin edhe aleate. Ka ndryshuar situata tani, po nëse e zhvendosim luftën në kampin politik: Ju kam ndjekur në një intervistë në Top Channel të bërë pak më herët. Kam përshtypjen se keni thënë: Pas fitores së Italisë nga arbitër, do të kthehem në mesfushor.

Presidenti Topi: Jo. Pyetja ishte: Nëse do të keni frymë për të përballuar lojën...? Unë iu përgjigja zotit Balla se pyetje me këtë ngjyrim politik t’i lërë për formatin politik!

Gazetarja: Me qenë se jemi në atmosferë futbolli.

Presidenti Topi: Me qenë se jemi në atmosferë futbolli, unë i dhashë një batutë që kishte të bënte me mundësitë e mia për të përballuar lojën e futbollit.

Gazetarja: Në këtë ndeshje politike midis Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, si mesfushor, ju thoni se do të riktheheni përsëri aktiv. A pretendoni të jeni në rolin e “kingmaker”-it?

Presidenti Topi: Problemi është se asnjëherë nuk mund të bëhen parashikime të tilla. Në mos gabohem, e kam thënë në një intervistë të kohëve të fundit që tani unë nuk kam asnjë lloj kurioziteti apo qëllimi për të bërë karrierë politike. Nëse unë do të kthehem në politikë, do të kthehem aty si misionar, pa pasur asnjëherë referenca kolltukësh apo karrigesh. Unë i them këto fjalë në përfundim të një karriere relativisht të gjatë, që fillon me jetën akademike. Sonte, pa dyshim, që nuk do ta teproj, nëse bëj një ilustrim të jetës akademike: Kam mbaruar një doktoraturë shumë të rëndësishme në Biologjinë Molekulare në vitin 1989; kam marrë titullin “Profesor” në vitin 1994; pastaj, në linjën e karrierës akademike shkencore kam pasur një rritje, duke qenë edhe Drejtor i Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare, institut shumë i rëndësishëm kërkimor shkencor, Ministër i Bujqësisë apo dhe pedagog universiteti. E konsideroj këtë karrierë të ezauruar.

Po ashtu edhe në politikë: Deputet disa herë, Kryetar i Grupit Parlamentar në opozitë, Kryetar i Grupit Parlamentar të shumicës dhe, së fundi, President i Republikës. Është një karrierë e ezauruar nga pikëpamja e qëllimeve për të pasur sërish dëshirën për të marrë një karrige apo një pozicion; kështu që unë kam bindje të plotë në atë që them se rikthimi në politikë do të jetë si një misionar politik.

Gazetarja: Që të jemi të sinqertë edhe me publikun, por edhe me njëri-tjetrin. Në fund të fundit, politika është një garë ku hyhet për të fituar e për të fituar pushtet.

Presidenti Topi: Natyrisht. Problemi është se duhet të ndahet: Nëse pushteti fitohet për interesa të ngushta meskine apo fitohet një pushtet për të administruar atë besim që qytetarët kanë dhënë te ty. Unë kam preferuar dhe do t’i forcoj dozat te kjo e dyta, sepse kjo ka vlerë që shërben ty, por edhe tek ata që të kanë besuar ty.

Besoj se në këtë vend ka nevojë për zhvillimin e përvojave. Nuk mund të thuhet se gjërat priten me thikë. Pas një përvoje , aq më shumë duke marrë në konsideratë edhe moshën. Nuk mund të shkosh për të shkruar libra. Duhet ta bësh paralelizëm të plotë; përvojat do t’i trajtosh dhe do t’i hedhësh në libra. Kujtimet janë përvoja që do t’u vlejnë brezave që do të vijnë nesër; pa dashur të them se këto kanë qenë përvojat më të mira, por njeriu duhet të demonstrojë përvojën e etapës kur ai ka qenë në një pozicion të rëndësishëm. Duke qenë në kontakt me qytetarët, unë e ndiej gjithmonë të nevojshme që t’i përcjell e t’i zhvilloj përvojat, duke shkëmbyer përvojë në një të ardhme, ndoshta më të mirë për Shqipërinë.

Gazetarja: E di që rikthimin tuaj në politikë do ta trajtoj si çështje pak më vonë dhe nuk dua të zgjatem tani. Ka edhe kuriozitet nga kolegët e gazetave që e ndjekin këtë intervistë. Le të ndalemi pak këtu. E thashë edhe pak më herët se në politikë hyhet për të garuar e për të fituar. Nëse votat tuaja do të ishin të rëndësishme në vitin 2013 për t’i dhënë një mandat të tretë zotit Berisha. Do t’ia jepnit ato?

Presidenti Topi: Së pari, unë duhet të deklarohem pas përfundimit të mandatit, në mënyrën më zyrtare të mundshme, sepse kam mbajtur një pakt shumë të rëndësishëm me veten dhe publikun që, deri në përfundim të mandatit, nuk do të shprehem për pozicionin. Ajo që kam thënë prej kohësh, ka një lloj prirjeje apo tendence që sa vjen e bëhet më e sigurt: Pas mbarimit të mandatit presidencial unë do t’i kthehem jetës politike. Në këto terma nuk besoj se kam qenë kontradiktor; kam qenë i qartë, pa ndërhyrë në çështje të preferencave dhe aq më shumë të çastit. Për perspektivën, sigurisht, që do të kemi kohë të flasim. Nuk besoj se kjo studio do të mbyllet.

Gazetarja: Absolutisht që kjo studio do të jetë gjithmonë e hapur, por do jeni ju Kryetar i Frymës së Re Demokratike?

Presidenti Topi: Pikërisht kjo pyetje ka të bëjë me formatin e një emisioni tjetër televiziv. Ju siguroj që do të jem gjithmonë shumë respektues!

Gazetarja: Deri më 24 korrik nuk ka shanse që të kemi ndonjë prononcim tuajin?

Presidenti Topi: Ju mendoni se jeta është vetëm politikë. Pas muajit korrik, vjen gushti dhe njerëzit dëshirojnë, së paku, që të kenë një periudhë pushimi edhe për sa i përket këtij presioni që bën politika gjatë gjithë vitit.

Gazetarja: Të nderuar, zonja dhe zotërinj, jeni drejtpërdrejt me zotin Bamir Topi, President i Republikës. Zoti Topi, edhe ju e kishit kërkuar, e kërkuan edhe ndërkombëtarët prej muajsh të tërë një president i pranuar nga të dyja palët. Në fund u zgjodh Bujar Nishani, Presidenti i Ri i Vendit. Si mendoni, pse nuk u arrit konsensusi?

Presidenti Topi: Këtë e dinë partitë politike në Kuvend. Unë do të thosha se, pavarësisht mosarritjes së konsensusit, procesi për zgjedhjen e Presidentit të Republikës mbetet kushtetues. Do të thosha se absolutisht, nuk ka asnjë lloj arsyeje që të kundërshtohet nga kryetari i opozitës, sepse tek e fundit, ndryshimet kushtetuese në vitin 2008 u përgatitën nga kreu i shumicës dhe ai i pakicës. I gjithë ai ndryshim kushtetues nënkupton që në raundin e katërt dhe të pestë Presidenti të ishte me një shumicë të thjeshtë. Nga kjo pikëpamje, edhe sikur ta kenë gatuar të tjerë, duhet të pranosh në kuadrin kushtetues, aq më shumë kur këtë e ke krijuar vetë, me vullnet të plotë politik, duhet respektuar procesi.

Gazetarja: Ju vini nga Partia Demokratike; le të themi ish-partia juaj dhe e dini si kanë funksionuar dhe si funksionojnë aktualisht mekanizmat, pavarësisht se nuk jeni më brenda zyrtarisht. A mendoni se u arrit tek emri i zotit Nishani për shkak të presionit Basha-Meta?

Presidenti Topi: Unë nuk dëshiroj të ndërhyj fare në çështje që s’më takojnë. Ky problem mund të jetë trajtuar nga analistët që kanë të drejtë dhe kanë një diapazon shumë të gjerë mundësi për të diskutuar, për të hamendësuar, për të bërë disa gjëra që në të vërtetë nuk janë ashtu. Nuk e kam këtë mundësi, këtë atribut që të futem në gjëra që nuk m ë kanë interesuar asnjëherë.

Gazetarja: Ishte konsideruar si një test i rëndësishëm që duhej kaluar nga politika shqiptare për të treguar maturi dhe pjekuri, por edhe një shans që nuk duhej humbur. Në fakt, ka nga ata analistë, por edhe politikanë që e lexojnë si një shans të humbur dhe si një test të pakaluar. Ju si e lexoni, edhe si qytetar, por edhe si President i Republikës?

Presidenti Topi: Unë duhet të ndaj dy gjëra: Kam një njohje, relativisht, të vjetër, nëse 11 vjet konsiderohen pak, me zotin Nishani. Vazhdimisht me të kam pasur komunikim korrekt në disa pozicione, duke marrë në konsideratë edhe pozicionin midis Presidentit të Republikës dhe Ministrit të Drejtësisë. E konsideroj një figurë që i ka të gjitha shanset për ta administruar mirë atë pozicion.

Nga ana tjetër, nëse do të marrim në konsideratë procesin dhe atë çfarë është kërkuar për të arritur një lloj konsensusi, unë dëshiroj ta ritheksoj edhe një herë se ka qenë një çështje e mënyrës së komunikimit dhe të bashkëpunimit të besnikërisë së asaj çka kanë ndërtuar partitë politike. Për Kushtetutën e vitit 2008 unë do të dëshiroj atë bëhej një analizë disi më e gjatë rreth ndryshimeve kushtetuese dhe pasojave që ka pasur bëri të mundur që të zgjidhet me një preferencë politike. E thashë dhe e ritheksoj se është plotësisht brenda kuadrit kushtetues. Në rast se ne do ta shkëpusim këtë çast të zgjedhjes së Presidentit të Republikës për të diskutuar ndryshimet dhe çka sollën ato, pak vetë dhe në ndonjë rast të izoluar kam dëgjuar që Kushtetuta bëri disa ndryshime që shkuan në favor vetëm të autotarizmit të dy personave; pra, të kreut të shumicës dhe atij të pakicës, në një marrëdhënie të kësaj natyre: ose i fitoj të gjitha, ose i humb të gjitha. Nuk e teproj ta them, se sot jam më i lirë për ta thënë që patëm një përballje jo në pushtet të barabartë. Nga njëra anë ishte një njeri me përvojë, nga ana tjetër u demonstrua një amatorizëm i theksuar politik, kur brenda 24 orëve, me një eufori të pashpjegueshme, edhe pse u paralajmëruan. Kam dhënë një intervistë më 15 prill të vitit 2008, ndërkohë që ndryshimet kushtetuese janë realizuar natën e 21 prillit të këtij viti. Në këtë intervistë u pata thënë se absolutisht askush nuk ka të drejtë të thotë për ndryshimet kushtetuese, por ato aq më shumë që janë miratuar mbi bazën e referendumit të gjerë popullor, kanë nevojë që të diskutohen. Të diskutohen, së pari, jo nga amatorët e politikës, jo nga militantët e politikës. I kemi parë të flasin në kor edhe për gjëra që s’i dinë, por të diskutohen nga juristë të së drejtës kushtetuese. Të bëhet pjesë e një debati publik dhe të marrë karakterin e një komunikimi të drejtpërdrejtë. Kushtetuta nuk mund të jetë thjesht për politikanët, Kushtetuta është e Republikës së Shqipërisë që rezulton si dokumenti themeltar ku qëndron bazamenti i shtetit, institucionet shtetërore, marrëdhëniet institucionale dhe interesi publik. Fakti që u bë me aq nxitim, duke parë interesa të veçanta, të ngushta ku dominojnë pushtetet, e bënë që e realizuar natën e 21 prillit që jep pastaj efekte në fusha të ndryshme me kalimin e kohës, sikurse e keni parë.

E shikoj që ju doni të dilni te një pyetje tjetër, por unë mendoj se është një diskutim i rëndësishëm.

Gazetarja: Unë mendoj se ju po i thoni zotit Rama amator, nëse e kuptova mirë?

President Topi: Unë jam shumë i qartë; unë nuk fshihem pas frazave. Nëse dëshiroj të them diçka, unë e them. Problemi është që në atë lloj përballjeje ka pasur një prirje të dy personave që kanë menduar në të njëjtën gjatësi vale. Nga njëra anë një njeri me përvojë të gjatë në politikë, nga ana tjetër një njeri që, për fat të keq, nuk dëshiroj ta perifrazoj në politikë, në atë çast shumë të rëndësishëm ka treguar amatorizëm të theksuar politik.

Gazetarja: Ia keni thënë këtë zotit Rama këtë?

Presidenti Topi: Absolutisht po, ia kam thënë disa herë. Nëse Presidenti i Republikës nuk është i lirë të shprehet, atëherë nga kush prisni të jetë i lirë?! Edhe mënyra sesi thuhet, aq më tepër që unë kam tentuar t’i bëj profilaksinë dhe t’i paralajmëroj. Ju e dini se në çastin që ndryshimet kushtetuese u firmosën nga 115 deputetë, i kam firmosur menjëherë, në ajër, si i thonë fjalës. Unë jam firmosur në kuvend me 85 vota dhe në kohën që vjen një ligj referendar, i votuar nga 115 deputetë, kjo të detyron ta dekretosh menjëherë; dhe unë kështu ka vepruar.

Gazetarja: Megjithatë, artikulimi juaj duket pak ndryshe nga qëndrimi që keni mbajtur më të buta, më të sofistikuara apo fraza juaj shumë e komentuar “flas me heshtje”.

Presidenti Topi: Ka ndodhur një herë.

Gazetarja: Dikush mund ta lexojë si leksion parazgjedhor.

Presidenti Topi: Absolutisht jo. Unë zotit Rama ia kam thënë drejtpërdrejt. E kam artikuluar edhe herë tjetër. Gjërat duhen thënë hapur. Nuk të gjen asgjë, në rast se ti e merr mesazhin drejtpërdrejt. Së paku, në të gjithë përvojën time, dhe këtu nuk marr përvojën time si President i Republikës, por si politikan, unë nuk ka fyer njeri; kam gjetur gjithnjë gjuhën e komunikimit dhe kam përdorur argumentin. Në rast se dikush, të jepet një argument i caktuar, që në këndvështrimin tim qëndron. Unë sot nuk po bëj një lloj paragjykimi, por po vij nga një analizë “post faktum”.

Gazetarja: Kam shumë pyetje e nuk ka kohë. Po me zgjedhjen e Presidentit, si u soll opozita?

Presidenti Topi: Këtë e thashë pak më parë. Në rast se ke ndërtuar një dokument me vullnet të plotë, nuk ta ka imponuar askush, ke një kuadër kushtetues, tenton të bësh një lloj konsensusi në tre raundet e para; pas asaj nëse nuk ka konsensus e ai konsumohet, vjen raundi i katërt, sikurse thuhet në Kushtetutë, në mënyrë absolute, nëse unë do të kisha qenë, nuk do t’i kisha bërë asnjë lloj komenti.

Gazetarja: Në se do të ishte në dy raundet e para, me zotin Zaganjori dhe me zotin Hoxha, mendoni se skenari i një mandati politik, zoti Nishani ishte parashikuar nga shumica qeverisëse?

Presidenti Topi: Sikurse thashë pak më parë, unë nuk futem në subkonshiencën ose nuk tentoj të bëj analiza, për të cilat nuk më takon t’i bëj. Unë nuk jam pjesë e atij mjedisi. Unë e kam theksuar se kam qenë shumë institucional dhe zyrtar. Nuk kam hyrë në debate politike, aq më shumë në skena apo prapaskena që kanë të bëjnë thjesht me rrethet politike. Unë jam një institucion dhe deri në datën 24 korrik do të jem një institucion.

Gazetarja: Më duhet të bëj një intervistë me ju pas 24 korrikut.

Presidenti Topi: Unë do të jem i hapur dhe besoj se do ta kemi këtë komunikim.

Gazetarja: Për të mësuar se çdo të ndodhë më pas. Zoti Nishani ka thënë se nuk e keni kontaktuar dhe nuk e keni uruar.

Presidenti Topi: Kemi komunikuar. Unë e kuptoj se në atë çast nxitojnë shumë vetë që të bëjnë urimin.

Gazetarja: Mesazhin.

Presidenti Topi: Pastaj zoti Nishani e ka shprehur. Nuk kam arsye të mos ruaj komunikimin, aq më tepër me zotin Nishani që komunikimi ka qenë i pranishëm. Jam treguar shumë i sjellshëm, kam komunikuar, e kam uruar dhe zoti Nishani më ka falënderuar. Edhe tani i uroj një mandat të suksesshëm, për veten e tij, por edhe në interes të këtij institucioni.

Gazetarja: Tani që Kabineti i Presidentit të Ri është zgjedhur, ka informacione se edhe Kabineti juaj aktual ka kontaktuar me zotin Nishani për të marrë vesh se si do të jetë e ardhmja e tyre. Kabinet politik, a mendoni se në një farë mënyrë kjo do të jetë vazhdimësia në Presidencë?

Presidenti Topi: Unë jam në dijeni që ka një kontakt të natyrshëm për transferimin e pushtetit. Në një vend demokratik të qytetëruar kështu duhet të ndodhë. Duhet të realizohet ceremoniali, por pas ceremonialit është transmetimi i detyrave funksionale, që ai institucion të mos qëndrojë as edhe një orë të vetme pa kabinetin e tij të punës. Vërtet quhet Institucion i Presidentit, ndryshe nga çdo institucion tjetër që merr një karakter më kolektiv. Parlamenti nënkupton 140 deputetë, qeveria nënkupton Kryeministrin dhe të gjithë ministrat, ndërsa ky institucion nuk quhet Presidenca por Institucioni i Presidentit, institucion që i vihet një njeriu, por që ka kabinetin e tij politik dhe administrativ. Kontakti është i natyrshëm, i nevojshëm dhe i domosdoshëm për transferimin e pushteti.

Gazetarja: Me qenë se ishim te analiza, ju thatë se kishte një politikan të vjetër siç ishte zoti Berisha, ndërsa përballë zoti Rama. Me analizën tuaj jam shumë dakord. Zoti Berisha ia ka dalë mbanë në vitin 2002 zgjodhi Presidentin Moisiu, edhe shumica i kishte votat.

Presidenti Topi: Unë kam qenë dëshmitarë i asaj kohe dhe duket sikur e ka zgjedhur një njeri.

Gazetarja: Po zoti Berisha ishte.

President Topi: Ka qenë dhe ka qenë pjesë e procesit.

Gazetarja: Në vitin 2007 shumica ju zgjodhi juve. Në vitin 2012 zgjodhi zotin Nishani. A është meritë e zotit Berisha?

Presidenti Topi: Natyrisht, që është meritë.

Gazetarja: Sepse është lojtar më i fortë apo ka nuhatje më të mirë?

Presidenti Topi: Fakti ka treguar. Unë iu referova edhe një herë, se nuk kanë qenë ndryshime të karakterit zyrtar. Në rast se do ta thelloja analizën time, do të shkonim nga disa elementë që kanë përcaktuar edhe ndryshimin e filozofisë së drejtimit të partive politike në mënyrën sesi e bënë. Nga një ligj mazhoritar, u kalua në një ligj proporcional. Nga një ligj proporcional ku padyshim, do të dilet me figura të rëndësishme, kaloi në një marrëdhënie ku fuqia e kryetarit është absolute; që do të thotë që lista formalisht demonstrohet nëpër kryesinë përkatëse, por lista është tërësisht ekskluzivitet i kryetarit.

Gazetarja: Mos u ankoni, se kur të keni partinë tuaj politike, edhe ju do të bëni lista.

Presidenti Topi: Unë nuk kam pse ankohem, unë bëj analizë; natyrisht, unë nuk jam ankuar për asgjë. Ju thatë pak më parë se unë kam folur me heshtje. Një herë ka ndodhur kjo, pavarësisht se amplifikohet.

Gazetarja: Shumë u komentua ajo shprehja juaj.

Presidenti Topi: Komentohet dhe ajo shprehje vendoset në një kontekst konkret. Ka qenë çështje e ligjit “Për hapjen e dosjeve”. Vjen herë pas here, riaktivizohet. Kam pasur dhe vazhdoj të kem të njëjtin qëndrim që dosjet në Shqipëri duhet të hapen. Ndoshta duket sikur është një veprim që teprohet duke e thënë, por ndoshta ka ardhur çasti për ta koncentruar te pjesa që kërkojnë të bëjnë karrierë të natyrës politike e administrative, që kanë në dorën e tyre fatin e të tjerëve. Me qenë se ishte një ligj që kishte moral për t’u bërë, dhe unë bashkohem me atë moral, madje kam qenë bashkë me zotin Majko propozues i një projektligji në vitin 2006 për të bërë të mundur hapjen e dosjeve, me qenë se ligji ndryshoi dhe u atakua në mënyrë të pa drejtë pjesa kushtetuese, Presidenti i Republikës u vendos para dy çasteve shumë të rëndësishme: Nga njëra anë pjesa e moralit të ligjit që kishte të bënte me moralin tim, që dosjet duhet ë hapeshin dhe pjesa tjetër që ligji ishte antikushtetues, gjë që u vërtetua nga Gjykata Kushtetuese. Më dha të drejtë plotësisht edhe në pozicionin e mbajtur në heshtje. Pse në heshtje? Sepse nuk kishte asnjë lloj preference për të kundërshtuar ligjin, për shkak të asaj që unë kisha aspiruar se ky ligj duhet të realizohet.

Nga ana tjetër, nuk do të doja ta bëja kundërshtimin se ligji është antikushtetues. Kjo ka qenë arsyeja që nga tre opsione që ka pasur Presidenti, për ta firmosur, për ta kthyer ose për ta lënë në heshtje, unë zgjodha heshtje, por duke e përsëritur sot që në çdo moment është në të mirë të Shqipërisë dhe të institucioneve të saj.

Gazetarja: Duke vazhduar pak metaforën e arbitrit, sepse i tillë është Presidenti në krye të vendit, ndoshta duhet të fërshëllejë që të ndalojë loja nga palët?

President Topi: Ju keni parë edhe arbitra të mëdhenj që, pavarësisht se ka gjëra të dukshme, ata vazhdojnë ta lënë lojën në rivalitet; pra bën pjesë në taktikat e arbitrit. Në rastin konkret, unë nuk mendoj se është një krahasim i goditur, sepse është një nga opsionet kushtetuese. Sa kohë që është kushtetuese, ti je korrekt me detyrën.

Gazetarja: Me qenë se e hapëm ligjin “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve”. Si President i Republikës, në informacionin që keni, zoti Topi, a jeni në dijeni se ka ende zyrtarë të lartë në Këshillin e Ministrave që kanë të shkuar të lidhur me Sigurimin e Shtetit?

Presidenti Topi: Unë nuk mund të precizoj ndonjë institucion, sepse së bashku me aksesin që ti ke në një detyrë të caktuar, për të marrë informacion, duhet të kesh edhe përgjegjësinë për ta administruar atë. Unë jam nga ata njerëz që nuk abuzoj me njohjet e mia në një fushë të caktuar; përkundrazi unë administroj në mënyrë korrekte, por mund t’ju them se ...

Gazetarja: Unë s’kërkova emra.

Presidenti Topi: Ju s’kërkuat emra, por përmendët institucionin, ndërkohë që unë nuk merrem me institucionin, por merrem me një fushë disi më të gjerë; le të themi në rrethin e politikës. Në rrethet e politikës ka njerëz të lidhur me Sigurimin e Shtetit.

Gazetarja: Sipas informacioneve që u keni, që kanë qenë të klasifikuar.

Presidenti Topi: Për ta marrë informacionin në mënyrë abuzive jashtë institucionit.

Gazetarja: Flasim për nivele të lartë drejtuese?

President Topi: Në politikë.

Gazetarja: E kuptoj se nuk do t’ju nxjerr dot më shumë se kaq. Kalojmë në një element tjetër: Është dekreti i fundit i ndryshimit të qeverisë apo do të ketë edhe të tjera?

Presidenti Topi: Jeta institucionale? Ndoshta do të ketë elementë të tjerë për të dekretuar, natyrisht, që unë do t’i dekretoj.

Gazetarja: Ndryshimet e qeverisë ishin të fundit që keni dekretuar këtë javë.

President Topi: I kam firmosur relativisht shpejt.

Gazetarja: E vërtetë, në fakt. Ndër emrat që firmosët ishte dhe zoti Noka. Ju vini nga Partia Demokratike. E keni njohur atëherë? Si e keni njohur?

Presidenti Topi: Natyrisht, që e kam njohur si të gjithë kolegët e tjerë. Kam bërë dekretimin, për të mos u futur në aktin presidencial, në korniza të profilit politik apo mjafton me kaq.

Gazetarja: Kam nxjerrë një intervistë, madje do ta konsideroja të fortë të Mark Markut, ditën kur u dekretuan këto ndryshime. Deputeti Marku thotë se janë ndryshim emrash dhe nuk janë konceptime të qeverisë. Madje ato një parim të liderëve shqiptarë për sa i përket shpërndarjes së ofiqeve. Askush vendin e vet. Ka të drejtë Mark Marku në këtë analizë?

Presidenti Topi: Në këndvështrimin tim, po. Pavarësisht që komenti i zotit Marku vjen disi me vonesë, natyrisht, po t’i kthehemi shprehjes “më mirë vonë se kurrë”, është një kontribut për nevojën e ristabilizimit të një filozofie politike ku gjithçka shkon në funksion të meritës. Unë nuk dëshiroj të bëj perifrazime të zotit Marku, por duke iu përgjigjur pyetjes suaj, unë i përgjigjem në mënyrë pohuese që në, këndvështrimin tim, ka një të drejtë të dukshme në atë që zoti Marku ka shprehur. Unë e kam lexuar intervistën.

Gazetarja: Që askush nuk ishte në vendin e vet, por zoti Marku shikonte pak logjikë politike në këto emërime. I është larguar...

Presidenti Topi: Askush nuk kishte, në kuptimin relativ po. Në rast se do diskutojmë në sens ..., atëherë nga të gjitha kandidaturat, askush nuk është në vendin e vet. Ka një rregull: Pavarësisht se ç’pozicion mban në qeveri, ai konsiderohet si një karrige politike. Ti përfaqëson besimin politik, përgjegjshmërinë politike, një karrige politike. E mira e të mirave, sidomos pr disa pozicione shumë specifike, është që Ministri i financave detyrimisht duhet të jetë nga fusha e financës. S’mund të jetë nga fushë tjetër. Mund ta vendosësh, por duhet të jesh para një vendimmarrjeje shumë të rëndësishme, që në mënyrë të drejtpërdrejtë arsyetimi shumë profesional. Ka shumë raste të tjera, që mund të jesh në një karrige politike dhe nuk ka lidhje me profesionin tënd, por në kuptimin relativ, unë i jap të drejtë zotit Marku.

Gazetarja: Në fakt, duket se kanë mbetur të pakënaqur brenda Partisë Demokratike. Duke njohur shumë mirë atë parti, a mendoni se ka grupime në klanet e tjera, përveç klanit Berisha?

Presidenti Topi: Është gjëja më e parëndësishme për mua. Nuk dëshiroj as ta mendoj sesi kënaqet njëri apo tjetri. Është një çështje që ka të bëjë thjesht me një grupim dhe janë pikërisht ata vetë që e kanë në dorë fatin e tyre politik. Dikush ka kurajë politike, bën oponencë, dikush nënshtrohet politikisht, është i komanduar në të gjitha daljet. Pra, është një gjë që s’më takon mua, por i takon standardit të jetës politike në një parti politike. Ajo që unë e lidha me ndryshimet kushtetuese vlen edhe për klimën që është krijuar në raportin e kryetarit me anëtarët e kryesisë së një partie; pa marrë në konsideratë se është X parti apo Y parti. Fakti që kryetarët kanë marrë shumë përgjegjësi ekskluzive, i bën të tjerët të jenë thjesht të punësuar në një subjekt politik, ndërkohë që natyra e partive politike është që të kenë kurajë për të demonstruar një opsion politik të caktuar, sepse kudo qoftë edhe në një raport shumë miqësor midis një pedagogu dhe një studenti kur pedagogu e udhëheq studentin në një temë shkencore ka recentë, ka edhe oponencë, edhe pse marrëdhëniet mund të jenë miqësore, aq më shumë në vendimmarrjet e rëndësishme politike, të cilat shkojnë ekskluzivisht, në vullnetet e kryetarëve.

Gazetarja: Megjithatë, të pakënaqurit nga e djathta, ndoshta janë votuesit tuaj. Në zgjedhjet e 2013?

Presidenti Topi: Nuk i futem kësaj analize, sepse së pari, unë do të shprehem kur më takon të shprehem. Nuk e bëj këtë gabim. Jam ende në
detyrë.

Gazetarja: Dakord! Çfarë nuk shkon realisht në këtë vend, zoti President në këto 20 vjet? 5 vjet ju ishit në krye të shtetit. 20 vjet rresht të mbërthyer nga sherret, nga konflikti politik, nga një politikë e polarizuar, nga një grup politikanësh që nuk arrijnë të ulen, t’i japin dorën njëri-tjetrit dhe të shikojnë në sy njëri-tjetrin.

Presidenti Topi: Në rast se ju e kërkoni këtë me një shprehje të vetme, natyrisht, unë mund ta jap, sepse ne çdo ditë bëjmë analizën dhe vlerësimin e situatës. Ka një raport midis pushtetit dhe shtetit. Në rast se shteti vendoset në funksion të pushtetit, sigurisht që gjërat nuk shkojnë mirë. Në rast se ata që aspirojnë pushtetin, ...shtetin në standardet e familjes evropiane, atëherë gjërat shkojnë më mirë. Me sa duket, në këtë lloj raporti është parë më shumë interesi për pushtetin, për përdorimin jo real apo keqpërdorim të pushtetit, sesa ai lloj modeli ku çdo pushtetar në Evropë apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së pari, mendon për shtetin dhe shteti nuk mund të personalizohet. Ai është i qytetarëve dhe në funksion të tyre.

Gazetarja: Lidhur me integrimin evropian. Jemi përpara një testi për të tretën herë për të marrë statusin. Si ju duken gjasat? A do ta kalojmë këtë provë dhe a mund të kishit bërë më shumë, si President i Republikës, për të zbutur klimën e politikës në konflikt?

Presidenti Topi: Unë besoj i kam dhënë të gjitha mesazhet e duhura në çdo takim. Ju e dini se unë kam marrë pjesë në takime ndërkombëtare, konferenca të rëndësishme etj. Mbisunduese në to ka qenë pikërisht integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Pavarësisht se nuk realizon disa standarde, është nevojë e domosdoshme që Shqipëria të jetë pjesë e kësaj strukture evropiane, sepse edhe politika do të piqet nëpërmjet këtij integrimi. Duke u futur në familjen evropiane, do të jesh i detyruar të mos shmangesh nga standardet. Kjo do të bëjë që pjekuria e klasës politike të vijë e të realizohet më shpejt. Mund të vazhdoj të kërkoj qoftë si President i Republikës, deri në ditën e dorëzimit të mandatit, qoftë si politikan apo si qytetar dhe të ndihmoj që ky proces të realizohet me sukses.

Gazetarja: A kemi shanse për këtë?

Presidenti Topi: Për derisa shoh një lloj shqetësimi edhe nga partnerët evropianë? Kam parasysh edhe fjalët e një filozofi se njeriu që është i shqetësuar, ka ende shpresë.

Gazetarja: Por ka edhe kusht që reforma zgjedhore të mos kalojë afatin e radhës, 12 korrikun. Këtë e ka pasur ngërç edhe bllokimi midis dy partive të mëdha. Mendoni se do të realizohet reforma zgjedhore?. si e shikoni ju klimën?

Presidenti Topi: A më lejoni që këtë komunikim ta bëjmë duke më dhënë rastin që edhe unë t’ju bëj një pyetje?

Gazetarja: E bëjmë patjetër, nëse përgjigjem dot.

Presidenti Topi: E bëni, patjetër, sepse ju jeni një analiste shumë e mirë politike. A ju bën përshtypje që gjithmonë, dhe kur flitet për reformën zgjedhore, gjithnjë i referohemi dy partive apo dy individëve?

Gazetarja: E kemi pasur në ndryshimet kushtetuese.

Presidenti Topi: Natyrisht, gjithnjë atje është thelbi. Edhe sot e kësaj dite ka deklarata që unë nuk i quaj racionale. Pavarësisht se votat mund të vidhen, ne do të marrim më shumë vota. Në këtë mënyrë, një politikan legjitimon një proces.

Gazetarja: Prapë me zotin Rama e keni?

Presidenti Topi: Unë nuk kam asgjë me zotin Rama. Marrëdhëniet me zotin Rama janë më se normale. Në rast se unë jam këtu për një analizë politike...?

Gazetarja: Është deklarata e djeshme e zotit Rama.

Presidenti Topi: Janë analistë të kamufluar. Dalin në atë pozicion. Unë dëshiroj të flas drejt dhe t’i jap cilitdo një mesazh. Problemi është se këtu duhet të vendosim rregullin, ligjin jo duke supozuar që votat mund të vidhen. Ky është një gabim i rëndë i radhës, duke menduar se procesi do të shkojë drejt vjedhjes, por fitorja mund të vijë se mund të vijnë më shumë vota. Këtë s’mund ta bëjë një politikan. Çdo politikan, aq më shumë kur është një personazh i rëndësishëm, për të përcaktuar procesin, duhet të kuptojë që në spektrin politik nuk janë vetëm dy individë, por që ka edhe parti të tjera. Kur nuk arrin një parti kryesore e opozitës për të administruar procesin, atëherë ç’pyetje duhet të bëjnë partitë e tjera që s’kanë komisionerë?! Kjo është një pikëpyetje e madhe që tregon një .. mbi bazën e të dhënave që marrin karakterin së vërtetës.

Gazetarja: Më lejoni të bëj një pyetje në invers, parë në një këndvështrim tjetër: Po ai që i vjedh votat, nuk ka asnjë përgjegjësi?

Presidenti Topi: Kjo na kujton historinë e skeçit të famshëm të Estradës së Fierit, ai që vodhi lopën. Nuk dëshiroj të merrem me këtë lloj komenti, por do të dëshiroja të theksoja që aktorët kryesorë kanë bërë disa veprime. Dikush pendohet, dikush mendon se është mirë. Edhe çështja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka dy autorë. Fakti që në ish-Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kishte një përfaqësues të Presidentit të Republikës dhe dy anëtarë që vinin nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë; partitë e mëdha kishin nga dy përfaqësues të partive përkatëse dhe partitë e vogla nga një përfaqësues, do të thoshte se kishte një karakter tjetër. Fakti që kanë pranuar një komision mbipartiak, me numër tek të kryetarit, është gabim. Sërish diskutohet sesi do ta ndryshojmë reformën zgjedhore dhe askush nuk shkon te filozofia, te thelbi më i rëndësishëm i ndryshimit të Kodit Zgjedhor, tek e drejta e çdo qytetari për t’iu kalkuluar vota në mënyrë të barabartë. Në rast se nuk bëhet kjo, do të thotë se askush nuk mendon për qytetarin, pavarësisht se çfarë standardi ka ky qytetar; është profesionist apo njeri i thjeshtë, nëse është votues i ri apo i staxhionuar, jeton në qytet apo në fshat. Ky është injorim i drejtpërdrejt i votës, është fyerje për atë njeriu e ka më të shenjtë, votën.

Gazetarja: Një parim tjetër i shenjtë në demokraci është check end balance. Më duket se një parti kontrollon të gjitha pushtetet. Mendoni se është thyer kjo?

Presidenti Topi: Ju mendoni se pushteti vjen vetvetiu? Vjen, sepse janë bërë pikërisht këto gjëra; janë bërë këto gjëra kushtetuese. Në kohën kur Presidenti zgjidhesh me tre të pestat në Kuvend dhe i jep mundësinë pastaj të zgjidhet me një vendim politik. Sigurisht, të gjithë pushtetet pastaj vijnë me radhë. Askush nuk duhet të ketë iluzion për këtë punë; përqendrohet pushteti në një dorë, pastaj balanca shkon në një drejtim.

Gazetarja: Kush mund ta drejtonte arbitraritetin e një qeverisjeje kur në linjë vertikale pushtetin legjislativ, ekzekutiv, por edhe pushtetin gjyqësor, që është përmes Presidentit të Republikës e kontrollon e njëjta dorë, e njëjta forcë politike?

Presidenti Topi: Si mendoni ju, kush?

Gazetarja: Unë po ju pyes juve.

Presidenti Topi: Edhe media që mund të ishte një aktor më i drejtpërdrejtë, në mjaft raste bie dhe bëhet apendiks i pushtetit politik.

Gazetarja: A ka ndonjë rrezik për demokracinë?

Presidenti Topi: Natyrisht. Ka ndonjë dyshim për këtë? Në rast se të gjitha pushtetet shkojnë në një drejtim dhe media konformohet, nuk është mirë. Cila është media? Media është pjesa më e dukshme. Pushteti në administratë, pushteti legjislativ dhe ai gjyqësor, sigurisht, që janë më të rëndësishmit, por ato janë pjesa më e padukshme. Kur këto gjëra ekspozohen në media, kur analistë që nuk dihet se kush ia ka dhënë statusin, futen në një varësi me vullnet të plotë, atëherë më thoni që ky indikator kaq i fuqishëm, që është pjesë e jetës së demokracisë dhe një nga standardet e demokracisë në vendet e zhvilluara, bën politikën e një partie politike, pa dyshim që është çast për t’u shqetësuar.

Gazetarja: Ju thoni se media nuk është e lirë në Shqipëri dhe s’ka pluralizëm?

Presidenti Topi: Këtë s’e them unë, por e kanë thënë ata që vëzhgojnë median. Janë raportet që theksojnë, për fat të keq edhe ky i fundit, thonë se media ka zbritur disa shkallë. Me këtë nuk dua të hem se të gjithë janë në të njëjtin pozicion. Jo për konformizëm, por sonte kam rastin të vlerëson këtë stacion radioteleviziv, që ka qenë i hapur për të gjithë. Ka tentuar që, brenda mundësisë së vet, të ekuilibrojë një stacion që e ndjek drejtpërdrejt, kudo, nuk ka kohë, edhe sikur të dojë të bëjë manipulimin e lajmit; përkundrazi qytetari e merr lajmin drejtpërdrejt. Me sa duket është pjesë e filozofisë së këtij stacioni dhe jep mundësinë që unë sot në mënyrë të plotë e realiste, jo për t’u bërë qejfin, them se ky është një stacion që meriton të vlerësohet në këtë pikë.

Gazetarja: Falemnderit, zoti President!

Gazetarja: Jemi rikthyer drejtpërdrejtë në pjesën e tretë të intervistës me zotin Bamir Topi. Më thonë kolegët e ‘Panoramës’, gazeta ku dha Mark Marku intervistën, që, “Ilva ne të citojmë, ti s’na citon”. Gazeta ‘Panorama’ ka pasur një intervistë shumë të mirë me Mark Markun kështu që, meqënëse folëm dhe për median duhet të përmendim të gjithë aktorët që përpiqen në mënyrën e tyre të jenë sa më profesionistë dhe të jenë aty ku ka zëra ndryshe, sidomos.

Presidenti Topi: Edhe unë e vlerësoj këtë gazetë, sepse ka qenë e hapur për të gjitha zërat.

Gazetarja: E vërtetë! Mbetemi prapë aty ku e lamë, drejtësia. Zoti President, a është më e mirë apo më e keqe sesa kur e morët detyrën e Kreut të Shtetit?

Presidenti Topi: Nuk mund të themi, gjërat ecin, bëjnë progres. Padyshim që, e kam thënë dhe herë tjetër, është nevojë imediate që reformat parlamentare për drejtësinë duhet të jenë më intensive dhe këtu duhet të jetë koshienca politike e atyre që e kanë votën, pra nuk duhet ta përdorim për arsye taktike, por duhet detyrimisht të bashkëpunojmë, sepse sa më shpejt të vendoset standardi në drejtësi, aq më pak kontenstime do të ketë edhe përsa u përket momenteve që kanë të bëjnë me jetën e qytetarëve, jetën opozitare në përgjithësi. Unë mendoj se ajo që u realizua nga vullneti i dy palëve për miratimin e Gjykatës Administrative ishte një shembull kuptimplotë që, ajo që u mbajt për një kohë të gjatë pa u realizuar, u realizua brenda një dite, ditën kur erdhi zoti Fyle në Tiranë. Unë kam qenë në atë moment, kur Parlamenti miratoi Gjykatën Administrative, kam qenë në takim me zotin Fyle në Presidencë. I dhashë lajmin dhe natyrisht është një lajm i pritur nga ai por shumë i gëzuar, që tregon që ku ka vullnet politik gjërat realizohen. Ka mjaft ligje, sidomos ligjet që kanë të bëjnë me standardet e drejtësisë që mund të realizohen pa paragjykime politike sepse një shtet i fortë, me ligje të forta, sigurisht me ato kërkesa që janë në bazë të kërkesave që ka BE-ja, do të bënte të mundur që edhe jeta politike të ishte më pak e polarizuar.

Gazetarja: Kam nxjerrë dje një sinkron të Ambasadorit të Bashkimit Evropian, zotit Sekui teksa bënte një vlerësim për drejtësinë. Korrupsioni-thoshte zoti Sekui- brenda sistemit gjyqësor vazhdon të mbetet problematik. Ndaj lidhur me këto, toleranca duhet të jetë zero. Kjo mund të arrihet vetëm nëpërmjet një procesi transparent. Qeveria duhet të luftojë korrupsionin që të arrijë integrimin në BE. Mezi presim të shikojmë ku jemi me objektivat e arritura – thoshte zoti Sekui. Korrupsioni brenda sistemit gjyqësor, zoti Topi a ndiheni përgjegjës për akuzat që ka sistemi i drejtësisë për korrupsion, për emërime të pamerituara, për rryshfete gjyqtarësh?

Presidenti Topi: Unë e kam thënë dhe herë tjetër, dëshiroj ta rindaj për ju dhe publikun që, Presidenti është Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, dhe në këtë Këshill vërtetë e moderon tavolinën, por ka të drejtën e një vote. Në këtë tryezë është dhe përfaqësuesi i qeverisë, Ministri i Drejtësisë, Kryetari i Gjykatës së Lartë dhe këto janë tre pozicionet ‘eks oficio’ pra janë 15 anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë; 9 vijnë nga gjyqësori dhe 3 nga Parlamenti, pra Presidenti në këtë rast ka të drejtën e një vote dhe në të gjitha votimet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë në çdo kërkesë që ka ardhur qoftë nga Ministri i Drejtësisë, qoftë nga Kryeprokurorja të gjithëve u është hapur rruga për heqjen e imunitetit të gjyqtarëve për t’u gjykuar në shkallë të tjera.

Gazetarja: Por emërimet në gjykata, janë përgjegjësi e juaja?

Presidenti Topi: Nuk është individuale, e keni gabim. Presidenti ka të njëjtën votë si anëtari më i thjeshtë i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Votimi është i fshehtë, është bërë mbi bazën e një procesi të monitoruar nga “EURALIUS-i” dhe të gjithë kanë koshiencën e tyre qytetare dhe profesionale për të dhënë vlerësimin për kolegët e tyre.

Gazetarja: Atëherë pse mendoni, është krijuar një perceptim zoti President që nën drejtimin tuaj drejtësia është degraduar shumë për shkak të emërimeve nepotike dhe të pamerituara?

Presidenti Topi: Në mënyrën më absolute jo! Ky ka qenë pjesë e një skenari për një sulm politik kundrejt Presidentit. Përkundrazi edhe një herë unë e ritheksoj, në rast se politika parlamentare duhet të kishte qenë në konkordancë për të realizuar ligjet së pari për të hequr imunitetin atëherë kjo do të lehtësonte dhe punën e Këshillit të Lartë të Drejtësisë për të bërë të panevojshme kalimin e mjaft procedurave për heqjen e imunitetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve për të vazhduar gjykimin ndaj tyre. Ajo që unë kam thënë vazhdimisht, e them edhe sot, është thjesht dhe vetëm ndërtimi i ligjeve të forta nga Parlamenti. Ky është një shtet ligjor dhe gjithçka bëhet mbi bazën e ligjit nuk bëhet mbi bazën e insinuatave, të sulmeve, por përkundrazi bëhet mbi bazën e respektimit të çdo pozicioni sipas standarteve dhe ligjeve.

Gazetarja: Meqenëse jemi në një kohë reflektimi dhe bilancesh tashmë, ka diçka që do të kishit bërë ndryshe kur vjen fjala tek drejtësia dhe roli që keni pasur ju?

Presidenti Topi: Unë kam bërë të gjitha që i takojnë Presidentit për të bërë, të gjitha apelet publike, të gjithë komunikimin e drejtpërdrejtë, nevojën për transparencë, kam folur shumë për çështjen e pronave, një pjesë e korrupsionit në drejtësi lidhet edhe me çështjet e zgjidhjes së pronësisë. Vërtetë edhe një herë del këtu, drejtësia ka një rol për çështjen e drejtësisë por mjaft gjëra kanë ngecur për shkak të mosaprovimit të një legjislacioni rigoroz pa ambiguitete që kanë të bëjnë me zgjidhjen e çështjes së pronësisë.

Gazetarja: Çfarë ndodhi me Nënkryetarin e KLD-së? E thirrët mbledhjen në 17 prill, në mos gaboj, thatë që do ta mblidhnit menjëherë pas disa javësh, pasi patët edhe një agjendë tjetër, ndërkohë ju nuk e keni thirrur më. Sot lexoja Ministrin e Drejtësisë, Halimi i cili deklaronte që do të jetë Presidenti Nishani që do të zgjedhë Nënkryetarin e KLD-së.

Presidenti Topi: Mbledhja e Këshillit të Lartë të Drejtësisë përderisa ka pasur thjesht të bëjë me delegime gjyqtarësh, sepse natyra e punës së Këshillit të Lartë të Drejtësisë merret edhe me delegime...

Gazetarja: Jo ka qenë për t’u zgjedhur Nënkryetari! Ju propozuat dy emra?

Presidenti Topi: Patjetër! Bëhet edhe me vendime qarkulluese duke respektuar ligjin që minimalisht duhet të mblidhet një herë në dy muaj. Meqënëse raporti i forcave ishte gati-gati 50+1, ishte 8 me 7...

Gazetarja: Në favor të kujt?

Presidenti Topi: Ju e dini që herën e fundit doli në favor të propozimit të Presidentit për të zgjedhur Nënkryetarin.

Gazetarja: S’kanë ndryshuar ekuilibrat?

Presidenti Topi: Unë tregova një buonsens që të ketë një kohezion të plotë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, kohezion i cili duhet të vazhdojë edhe pas largimit tim nga detyra.

Gazetarja: Pse nuk e thirrët sërisht mbledhjen e KLD-së?

Presidenti Topi: Pikërisht për vendosur meqënëse forcat kanë qenë gati-gati 50 me 50 për t’i dhënë kohezionin e duhur tek ky lloj Këshilli që Presidenti i ri do të punojë për 5 vjet, për t’i dhënë mundësinë që Nënkryetari të zgjidhet në këtë mënyrë.

Gazetarja: Analistët, por edhe politikanët mund ta lexojnë si një tërheqje tuajën sidomos pas deklarimit të ...

Presidenti Topi: Problemi nuk është nëse ti e realizon mekanikisht diçka. Këtu është diapazoni dhe, do të thoja, koshienca e një personi që është një krye të shtetit. Në parim unë i qëndroj asaj që kam diskutuar. Nuk mund të kondicionohet nëse ke edhe dy muaj në detyrë për të zgjedhur atë vend që mbetet vakant, pra unë i qëndroj asaj edhe jam i kënaqur që votimi ka qenë 8 me 7 në favor të opsionit tim. Për çështjen e diskutimit të personit që do të jetë Nënkryetar, për të ruajtur një kohezion të plotë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që do të jetë vullneti i tyre, është lënë që atë ta bëjë Presidenti i ri.

Gazetarja: Dakord! Pritshmëritë tuaja për Prokuroren e Përgjithshme, për zonjën Ina Rama. Si e vlerësoni punën e saj?

Presidenti Topi: Unë e kam thënë dhe herë tjetër, ka qenë vazhdimisht në funksion të detyrimit që ka Kryeprokurorja për të zbatuar ligjishmërinë. Natyrisht puna e çdo institucioni nuk vlerësohet në sens absolutist, shumë mirë apo shumë keq, gjithmonë ka një vlerësim relativ. Unë do të thoja që përgjithësisht ka punuar drejt, me drejtësi pastaj janë çështje të tjera. Prokuroria është një institucion i akuzës, ndërkohë që janë institucione të tjera që kanë të bëjnë me gjyqsorin nëse japin efikacitet punës së prokurorisë ose mund t’i krijojnë edhe pengesa, por në këndvështrimin tim Prokurorja e Përgjithshme e ka përmbushur jo keq detyrën e saj.

Gazetarja: Si kanë qenë emërimet në prokurori? A është zbatuar ligji në të gjitha rastet?

Presidenti Topi: Patjetër nuk ka shans. Në rast se ju, prapë për të dalë nga përshkrime të përgjithshme në gjëra konkrete, në rast se do të kishte diçka konkrete ju mund ta thonit. Së pari Institicioni i Prokurorisë është një institucion i centralizuar që është jashtë pushtetit të Presidentit. Pra, Prokurori i Përgjithshëm, sipas Kushtetutës, propozohet nga Presidenti, e miraton Parlamenti dhe marrëdhëniet në momentin e emërimeve janë të tilla që, në politikën e kuadrit e prokurorisë gjithmonë asistohet me këshillin e prokurorisë. Atje trajtohen të gjitha diskutimet, është këshilli i prokurorisë që është totalisht një organ konsultativ që, jo vetëm është jashtë Presidentit, por mesa di unë është edhe jashtë Institucionit së Prokurores së Përgjithshme, jo jashtë institucionit, por jashtë funksionalitetit dhe janë këto që bëjnë propozimet për Prokuroren e Përgjithshme pastaj vjen kjo procedurë dhe formalizohet tek Presidenti, në etapën terminale të kësaj procedure që do të thotë që sipas asaj që unë e kam konstatuar gjithmonë ka qenë në përputhje formale me zbatimin e ligjit.

Gazetarja: Atëherë si e shpjegoni ndryshin radikal të ekzekutivit ndaj zonjës Ina Rama?

Presidenti Topi: Atëherë futem edhe një herë në çështjet që patjetër i përfshin dhe politika. Ka pasur herë pas here dhe sulme të qarta politike karshi Institucionit të Prokurorisë. Pra, unë mendoj që politika sidomos gjatë viteve të fundit ka qenë shumë agresive pa dashur të them nëse ka qenë zonja Ina Rama apo ka qenë zoti Sollaku, gjithmonë Prokuroria sa herë ka pasur konstestime që nuk kanë shkuar për shtat në interesat politike të caktuara gjithmonë ka pasur këndvështrime të ndryshme për këtë punë. Unë mendoj që dalim edhe një herë tek ai diskutim që bëmë në fillim, çështja e ekuilibrit të institucioneve dhe roli i institucioneve të pavarura është pikërisht refreni që japin ndërkombëtarët kur vijnë këtu, sepse në rast se ne do të kishim institucione të influencuara politikisht atëherë nuk do të kishte më sens termi ‘institucion i pavarur’. 20 vjet pas ndryshimit të sistemit është koha që të gjithë duhet të flasin dhe të reflektojnë në mënyrë shumë të drejtë lidhur me nevojën forcimit të institucioneve të pavarura. Shpeshherë kjo kthehet në retorikë politike dhe natyrisht kjo sjell pastaj ato vlerësimet jo fortë të këndshme që vijnë nga BE-ja.

Gazetarja: Debati për mandatin e Ina Ramës duket se është bërë këto ditët e fundit mediatik, gjithashtu ka një interpretim i zotit Sollaku, meqënëse e përmendët, që për shkak të ndryshimeve të Kushtetutës në vitin 2008 mandati i saj është i pakufizuar ndërkohë që ka një interpretim të mazhorancës që mandati i saj mbaron në fund të nëntorit. Ju si e interpretoni, si e vlerësoni këtë?

Presidenti Topi: Unë edhe për gjëra që i kam pasur të diskutueshme në vendimmarrjen time i jam drejtuar Gjykatës Kushtetuese, aq më shumë edhe për këtë rast që nuk i takon institucionit tim, por fakti që ky diskutim është hapur kohë përpara tregon që ka një interes politik për të trajtuar këtë çështje. Duke iu referuar gjithmonë Kushtetutës për gjëra të diskutueshme patjetër që është Gjykata Kushtetuese që duhet të mbajë qëndrim. Ka një gjë për ta diskutuar teknikisht, Prokurorja e Përgjithshme mesa unë mbaj mend është zgjedhur më 22 nëntor të vitit 2007. Ndërsa më ndryshimet kushtetuese të 21 prillit ka ndryshuar dhe rregulli për përcaktimin, kufizimin e mandatit të Kryeprokurores që në Kushtetutën e vjetër ishte e pakufizuar. Pra, këtu është një moment i një debati konstitucional që, për të qëndruar besik me atë ç’ka thashë në fillim, duhet që konstitucionalistët të diskutojnë për këtë dhe politika të shprehet mbasi konsitucionalistët e Gjykatës Kushtetuese të kenë mbajtur qëndrim.

Gazetarja: Meqënëse jemi tek Gjykata Kushtetuese zoti Topi, kjo gjykatë është tashmë pothuajse në kushtet e paligjshmërisë për shkak të mandatit të parinovuara të anëtarëve të saj. A mendoni dhe a ndiheni përgjegjës që nuk evituat përplasjen me Ekzekutivin për Gjykatën Kushtetuese që solli në këtë situatë aktuale.

Presidenti Topi: Të ndihem përgjegjës se kam bërë detyrën. Përkundrazi! Me këtë që thatë ju pikërisht këtë qëndrim ka pasur. Unë kam dërguar emrat për të bërë rinovimin. Ka qenë një interpretim që konsiderohet sa politik dhe subjektiv që duhet rregulluar në mënyrë të tillë që njerëzit të respektojnë atë ndryshimin e tre pozicioneve vakante, por një pjesë e tyre i ka nxjerrë nga kohëqëndrimi i maksimal që është 9 vjet dhe në rast se do të bëjnë këtë lloj interpretimi atëherë ju duhet të thoni kush ka të drejtë. Por, në momentin që Gjykatë Kushtetuese shprehet për këtë punë atëherë askush nuk ka të drejtë, qoftë edhe Presidenti i Republikës, që të bëjë komente mbi vendimet e Gjykatë Kushtetuese.

Gazetarja: Pra ju jeni i bindur që qëndrimi juaj ndaj Gjykatës Kushtetuese ka qenë ai i duhuri, i ligjshmi?

Presidenti Topi: Absolutish! Pra në një moment kur ti i dërgon në Parlament dhe ata t’i kthejnë në mënyrë administrative, ndërkohë që rregulli normal është që dekretet e Presidentit ose aprovohen ose rrëzohen me votë atëherë unë kërkovë të di pozicionin për të mbajtur si President i Republikës prandaj iu drejtova Gjykatës Kushtetuese. Nuk ishte nëse është rrëzuar si kërkesë apo jo, siç u interpretua, përkundrazi është dërguar për interpretim dhe fakti që u interpretua tani të gjithë janë të qetë.

Gazetarja: Zoti Topi çfarë mendoni për SHISH-in (Shërbimin Informativ Shtetëror) dhe çfarë duhet të bëjë Presidenit i ri me këtë Shërbim?

Presidenti Topi: Sipas mendimit tim është insititucioni i cili mund të marrë notat më të mira përsa i përket vlerësimit. Një institucion i cili ka ditur të shkëputet totalisht politikës, ka qenë në një monitorim dhe asistencë të partnerëve tanë. Kjo është ndoshta arsyeja që ky institucion është më i kualifikuari sepse ka pasur tendenca për të ndërhyrë tek ky institucion, edhe nëpërmjet ndryshimeve të ligjeve, por ka pasur dhe presione pozitive nga ekspertët dhe partnerët tanë ndërkombëtarë që në këtë institucion nuk mund të hyhet me intencione politike. Ky institucion duhet të jetë shumë profesional, sepse Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe i ka rregulla të qarta që asgjë nuk mund të bëhet pa u konsultuar me standardet bazale të NATO-s.

Gazetarja: A do të ndryshojë diçka tani që ndryshoi dhe Presidenti?

Presidenti Topi: Unë nuk besoj se do të ndryshojë, sepse kjo është një medodikë që orientohet qartë me standardet e NATO-s.

Gazetarja: Përfshi dhe emrin e drejtuesit?

Presidenti Topi: Sigurisht, njerëzit nuk janë të përjetshëm në detyrë. Përderisa edhe Presidenti ikën pas 5 viteve ne nuk diskutojmë në funksion të emrit, diskutojmë në funksion të profilit institucional.

Gazetarja: Dhe të performancës.

Presidenti Topi: Sigurisht dhe të performancës! Përderisa thashë që ky institucion ka qenë ndoshta nga më të mirët padyshim kjo lidhet edhe me emrin e drejtuesit të institucionit.

Gazetarja: E përmendët pak më herët dhe kam në fakt një nga çështjet, sepse jeni njohur, më kujtohet në intervistat e mëparshmë kur keni qenë kryetar i grupit parlamentar apo edhe më herët në Ministri të Bujqësisë, lidhja juaj me pronën, dëshira për të vajtur prona tek i zoti, përpjekjet për këtë, por në fund mu kujtua jo ndoshta për ironi e firmosët shumë shpejt atë ligjin për ndryshimin e pronës që ju erdhi nga Parlamenti ku dhe vetë aleatët e mazhorancës qeverisëse nuk ranë dakord?

Presidenti Topi: Do të bëja dhe këtë koment, unë ju falënderoj për këtë pyetje! Në rast se unë kam qenë ndoshta nga zërat e hapur për çështjen e pronës, nuk duhet ta mendoni për asnjë moment që kjo është bërë ngaqë unë ka qenë i afeksionuar për pronën si një pjesëtar i një familje që ka pasur dhe ka prona, kurrësesi, sepse do të dalim në kundërshtim me filozofinë politike që njeriu duhet të futet në politikë për mision dhe për të zgjidhur çështjet jo në funksion të interesave të tua personale, por çështja e pronës është një çështje fondamentale për demokracinë por dhe për ekonominë e tregut. Më thoni që pas 22 vitesh në një vend të vogël si Shqipëria një çështje e pazgjidhur me shumë probleme, po e lemë jashtë për një moment pozicionimin politik të marrim thjesht teorinë bazale të ekonomisë së tregut. Çfarë ka si devizë kapitalizmi, a themi që jemi në kapitalizëm apo do të shkojmë drejt kapitalizmit se ende jemi në tranzicion. Kapitalizmi ka devizë koncentrimin e pronës dhe i kapitalit. Çfarë ka ndodhur në Shqipëri, ka ndodhur e kundërta, ka qenë copëzimi i pronës dhe i kapitalit. Pronarë të cilët kanë pasur të gjithë dokumentet hipotekore, gjë që nuk e bëri komunizmi ja mori tokat por nuk ja hoqi dokumentet ua la nëpër hipoteka e bëri sistemi i ri kapitalist, i copëzoi, bujqësinë pothuajse e çoi në një fizionomi mesjetare ku njeriu e ka të vështirë të ndërtojë dhe politika sikurse është politika bujqësore në vendet e zhvilluara dhe atëherë dalim në një problem që është shumë esencial. Kush është i sigurtë qoftë edhe ata që kanë interes të investojnë, pra çështja e pronave është e pasigurtë është pronari i vjetër është pronari i ri. Në rast se unë kam diskutuar për pronën kam diskutuar në themel të një interesi qytetar dhe në interes të vendit. Përsa i përket firmosjes së dekretit kjo tregon ftohtësinë e vendimeve të Presidentit që nuk lidhet nga pasionet për një çështje të caktuar, por lidhet me detyrimin që ka Presidenti për të firmosur të gjithë ato ligje që janë në përputhje me Kushtetutën. Sa kohë nuk ka një element antikushtetues në një ligj të vjetër patjetër që je i detyruar ta firmosësh.

Gazetarja: Por dhe mund të heshtni siç bëtë me rastin e “Ligjit të Lustracionit”?

Presidenti Topi: Jo! Unë heshta në një rast dhe ua shpjegova pse heshta dhe rasti konkret nuk ka të bëjë me moralin ka të bëjë më ndërtimin dhe strukturën e ligjit sikurse nuk po hesht tani dhe po flas shumë për pronën, kam folur shumë herë dhe për fat të keq bëhen diskutime nga më anësoret, nga më të parëndësishmet dhe dhe njerëzit harrojnë që problemi themelor që vazhdon të mbetet ende në udhëkryq është ende problemi i pronës.

Gazetarja: Ju e mendon vërtetë si një nga problemet thelbësore të një demokracie funksionale të një vendi që kërkon të jetë kapitalist dhe të ndërtojë mbi bazë të pronës por ndërkohë Kryeministri Berisha ju ka akuzuar se e keni bërë këtë për shkak të interesit që keni pasur për të marrë pronat tuaja madje edhe duke falsifikuar dokumentat si kooperativist.

Kam nxjerrë një sinkron të shkurtër të Kryeministrit Berisha – sinkron.

Gazetarja: Pse keni ndërhyrë, pse i keni fallsifikuar dokumentet si kooperativist për të marrë pronat tuaja?

Presidenti Topi: Kjo pyetje më është bërë dhe herë tjetër, por po ua jap në mënyrë shumë të drejtpërdrejtë sonte. Edhe ju jeni treguar e kujdesshme të për risjellë momente të debateve politike. Unë detyrohem sonte t’i bëj një interpretim tjetër dhe nuk do t’i futem fare me pasione politike por do të interpretoj një ligj që është ligji që është frymëzuar pikërisht nga njeriu i cili sapo foli, është ligji 7501 është ai ligj i cili është kundërshtuar fort edhe nga unë. Pavarësisht edhe nga këndvështrimet subjektive për ligjin unë meqënëse kam respektuar gjithmonë ligjin po i drejtohem gjithmonë ligjit dhe ju lutem, dëgjojeni me vëmendje, ta dëgjojë dhe publiku me vëmendje. Mbi bazën e ligjit 7501 janë ndarë toka në kooperativa dhe në territoret ku kanë qenë fermat, apo jo, dhe shumë afër gjeografikisht nga kjo studio madja mund të jenë jo më larg sesa 700-800 m në pjesën lindore të qytetit, në rast se dikush ka nevojë ta njohë sërisht qytetin mund tja ofroj këtë shërbim edhe falas, ka qenë kooperativa e Dajtit, sot është komuna e Dajtit dhe mbas ekzekutimit të ligjit 7501, ku edhe aty janë bërë shumë abuzime natyrisht në ndarjen e pronave, doli një vendim i Këshillit të Ministrave të vitit 1993, mund ta shënoni është vendimi nr. 161 i Këshillit të Ministrave. Çfarë thotë ky vendim kur nga procesi i ndarjes së tokës për banorët e kooperativave bujqësore ekzistojnë, mbesin territore të lira atëherë kjo pjesë i kthehet pa asnjë lloj kushti pronarëve të vjetër dhe meqënëse territori i komunës së Dajtit i ish-kooperativës u ezeurua me ndarjen me ligjin 7501 në pjesën lindore, pjesa perëndimore që është afër qytetit iu dha totalisht ish-pronarëve. Pra unë do të thoja që kur pasioni politik të bën që të harrosh edhe ligjet që ke ndërtuar vet, nuk është faji im. Këto gjëra janë fare të qarta, këtë mund ta interpretojë cilido, por keqardhja më e madhe është sepse këtu edhe ta zaptojnë pronën, edhe ta keqpërdorin pronën, edhe sulmojnë politikisht për në anatemuar dhe moralisht pikërisht pjesën e cila është dëmtuar më rëndë në kohën e tranzicionit shqiptar.

Gazetarja: E thënë nga Presidenti i Republikës në fakt është e rëndë kjo gjë.

Presidenti Topi: Sa herë e keni thënë, është e rëndë.

Gazetarja: Nuk kanë më as moshë biologjike të presin tu kthehet prona.

Presidenti Topi: Është e drejtë! E doni ta interpretoj në një linjë tjetër që i ke parë të gjithë me dosje me letra duke u plakur. Kanë hyrë me flokë të zeza dhe kanë dalë me flokë të bardha, shumë vetë nuk kanë arritur...

Gazetarja: Të marrin pronat.

Presidenti Topi: ...dhe sot e kësaj dite është një paaftësi totale dhe personat që nuk mbajnë përgjegjësi për këtë punë nuk duhet të bëjnë hapin tjetër që të sulmojnë pikërisht ata që kanë qenë në oponencë për çështjen e legjislacionit për tokën. E dini që unë kam qenë në oponencë totale për çështjen e ligjit të pronës.

Gazetarja: Megjithatë keni përfituar prej këtij ligji, 7501.

Presidenti Topi: Çështë

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›