E Shtunë, 31 Tetor 2026

Intervistë e Presidentit Topi dhënë për gazetën "Lajm" Prishtinë.

6 janar 2009

Kryeredaktori-Sadri Ramabaja : Z. President, më 17 shkurt 2008 u shpall Pavarësia e Republikës së Kosovës. A mund të thuhet se kjo ditë shënon përmbylljen e një pjese të mirë të aspiratave të shqiptarëve?

Presidenti Topi: Unë e konsideroj pavarësinë e Kosovës si ngjarjen historike dhe zhvillimin më të rëndësishme politik të këtij fillim shekulli si për shqiptarët ashtu edhe për rajonin tonë. Aspirata e shqiptarëve për drejtësi, ndaj padrejtësisë historike përmbush më 17 shkurt të këtij viti, duke respektuar vullnetin e lirë të një populli për t’u shkëputur nga zgjedha politike, nga padrejtësia historike dhe nga pamundësia për zhvillim. Aspirata e tyre tashmë është një realitet i pakthyeshëm. Ajo, logjikshëm, po pasohet nga aspirata e tyre drejt euroatlantizmit e cila kërkon kontribut serioz dhe angazhim të përgjegjshëm.

Gazetari: Republika e Shqipërisë në Prill të vitit 2008 mori ftesën për aderim në NATO. Shqipëria përfundimisht po integrohet në familjen, të cilës edhe i përket. Ajo po ecën drejt integrimit të plotë në strukturat euroatlantike. Ju lutem, çfarë do të thotë kjo për perspektivën e kombit si tërësi?

Presidenti Topi: Rruga e Shqipërisë drejt integrimit të plotë euro-atlantik u vlerësua pozitivisht nëpërmjet marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO në Samitin e Bukureshtit dhe nënshkrimt të protokolleve të aderimit në Aleancë më 9 korrik 2008 si dhe të procesit të pandalshëm të ratifikimit nga vendet antare. Ajo shënon një arritje historike për Shqipërinë, e cila në fakt kërkon më shumë përgjegjësi dhe vendosmëri ndaj detyrimeve që lindin nga anëtarësimi me të drejta të plota në Aleancë. Këto përgjegjësi do t’i shërbejnë zhvillimit të vendit, sigurisë dhe paqes në rajonin ballkanik. Të gjithë shqiptarët, dhe jo vetëm ata, pavarësisht shteteve të rajonit ku jetojnë, janë të interesuar dhe do të kenë më shumë siguri, paqe dhe perspektivë zhvillimi e mirëqënie.

Gazetari: Në proceset që po kalon Shqipëria drejt anëtarësimit në BE duket se ka vështirësi të llojit të vet. Jo rrallë vihen re kritere të dyfishta në raport me shtetet-kandidate, por edhe trajtim më specifik ndaj shqiptarëve nga ana e Brukselit. Si shpjegohet kjo?

Presidenti Topi: Shqipëria ka bërë hapa të dukshme pozitivë në drejtim të partneritetit me Komisionin Europian. Ky partneritet ndodhet në një fazë përmbyllëse të procesit të ratifikimit të MSA nga vendet anëtare të BE si një vlerësim ndaj standarteve që kërkohen nga Brukseli. Me përmbylljen e këtij procesi, në koordinim me Brukselin, Shqipëria duhet të hedhë hapin e saj të mëtejshëm duke aplikuar për vend kandidat në Bashkimin Europian. Standartet e kërkuara nga Brukseli janë detyra shtëpie për vendin tonë. Ato janë specifike për cdo vend, por parimet dhe synimet mbeten universale: ndërtimi i një shoqërie demokratike me një ekonomi tregu të qendrueshme, me një shtet të së drejtës dhe me institucione që funksionojnë duke respektuar Kushtetutën, pavarësinë institucionale dhe ndarjen e pushteteve. A i kemi arritur ne këto standarte? Akoma jo. Duhet më shumë vendosmëri politike dhe transparencë ndaj përmbushjes së detyrimeve dhe standarteve. Megjithatë dëshiroj të rikujtoj se Shqiptarët kanë marrë nota shumë pozitive vlerësimi për rolin e tyre të pazvendësueshëm civil, bashkëpunues dhe moderator ndaj ngjarjeve të viteve të fundit në rajon. Kjo nuk duhet harruar nga askush.

Gazetari: Ndërkohë në Kosovë është dislokuar misioni më i madh në historinë e Unionit Evropian - EULEX-i. Rrugët që u ndoqën për legjitimimin e këtij veprimi, kanë krijuar konfuzion real në Kosovë. Tendencat që, përmes të ashtuquajturit gjashtëpikësh të Ban Ki Munit, të vijë deri tek ndarja de jure e Kosovës, tashmë janë të hapura. Si do të duhej t'i përgjigjeshin shqiptarët kësaj strategjie të Serbisë dhe aleatëve të saj?

Presidenti Topi: Misioni i Bashkimit Europian EULEX ka një mandat të përcaktuar dhe të përkohshëm. Konfuzioni i krijuar në fillim u zvendësua nga nota të tjera të një vlerësimi më realist mbi misionin e sidomos shtrirjen e tij në të gjithë Kosovën, edhe në ato hapësira që konsideroheshin jashtë autoritetit të pushtetit qendror legjitim të Kosovës. Është shumë i rëndësishëm fakti që jo vetëm shtrirja por edhe funksionimi i misionit EULEX, po bëhet në një bashkëpunim të ngushtë të Institucioneve legjitime të Kosovës me Komisionin Europian dhe me partnerët strategjikë dhe të pazvendësueshëm të shqiptarëve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Reagimet e Serbisë e aleatëve të saj në kundërshtim të fortë ndaj pavarësisë së Kosovës apo me përpjekje për variante ndarjeje zhvlerësohen përballë kulturës shtetformuese që Institucionet legjitime të Kosovës po tregojnë cdo ditë.

Gazetari: Në vitin 2008 projekti i madh i ndërtimit të Rrugës së Kombit (Durrës-Kukës-Prishtinë) ka ecur me hapa të shpejtë, me gjithë ndështrashat e krijuara nga politika dhe segmente të veçanta të saj. Ky projekt, pjesa më e madhe e tij, pritet të përfundojë në qershor të vitit 2009. Ç' rol do të ketë kjo rrugë në zhvillimin ekonomik të Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, por edhe në integrimin e brendshëm të kombit?

Presidenti Topi: Rruga Durrës-Kukës-Prishtinë mund të quhet pa mëdyshje arteri kombëtar dhe rajonal. Ky projekt gjigand i zhvillimit do të lidhë jo vetëm dy vendet tona, të ndara padrejtësisht nga politika dhe nga historia, por do të shërbejë për një frymëmarrje të re, të shpejtë, të sigurt drejt bregdetit shqiptar të vendeve të tjera të rajonit. Integrimi i vendeve tona do të vijë nëpërmjet zhvillimit, nëpërmjet rritjes së sigurisë, nëpërmjet lëvizjes së njerëzve me shpejtësinë europiane, nëpërmjet rritjes së shkëmbimeve tregtare, nëpërmjet ndërtimit të politikave rajonale. Të gjitha këto qëllime i përmbush ky projekt i madh kombëtar, përfundimi i të cilit do të jetë një ngjarje e shënuar për të gjithë ne, dhe një hap i madh integrues drejt familjes europiane.

Gazetari: Ka zëra nga një lagje e mirë analistësh, që vlerësojnë se integrimi i shqiptarëve si komb në kuadër të BE-së, do të duhej të kalonte paralelisht me integrimin ndërshqiptar në forma dhe mënyra që nuk bien ndesh me filozofinë politike të BE-së. Një pjesë arsyetojnë formimin e një tipi të Komunëellthit shqiptar (Arber Xhaferi etj), ndërkaq të tjerë preferojnë dhe argumentojnë arsyeshmërinë e formimit të federatës shqiptare. Si e shihni ju këtë proces integrimi?

Presidenti Topi: Ashtu siç e përmenda më lart, Shqipëria ka një kontratë të rëndësishme me Bashkimin Europian. Hapat që ajo bën cdo ditë në përmbushjen e kësaj kontrate vëzhgohen nga Brukseli dhe mbështeten ose korrigjohen për të shkuar në drejtimin e duhur, drejt një demokracie perëndimore. Bashkimi Europian ka ndërtuar një startegji integrimi për të gjitha vendet e rajonit. Shqipëria dhe Kosova janë bërë pjesë e kësaj rrjedhe integruese dhe pavarësisht shpejtësisë me të cilën ato lëvizin në këtë drejtim, janë së bashku dhe do të jenë së bashku brenda këtij institucioni të rëndësishëm. Të bëhesh pjesë e një procesi do të thotë të pranosh qëllimin e këtij procesi. Qëllimi i integrimit në thelb është zhvillimi, paqja, siguria, mirëqenja, bashkëpunimi dhe bashkëjetesa, është kontributi i të gjithëve për një qëllim të përbashkët. Shqipëria dhe Kosova, ashtu edhe të gjithë shqiptarët që banojnë në rajonin tonë, janë së bashku drejt këtij qëllimi dhe do të gëzojnë së bashku suksesin e tij.

Gazetari: Shqiptarët kudo që jetojnë, Ju shikojnë si një figurë që ka mundësi reale t' i kontribuojë unifikimit të spektrit politik shqiptar. Çfarë mund t' ju premtoni atyre, gjithandej, se do te arrini të bëni në vitin që po vjen në dobi të përmirësimit të imazhit të kombit tonë?

Presidenti Topi: Detyrimi im si Kryetar Shteti dhe si garant i Kushtetutës është pjesë e betimit tim jo vetëm institucional, por edhe moral dhe civil. Jam shumë i vendosur të kontribuoj për pluralizmin politik dhe harmoninë e këtij pluralizmi, si themel shumë i rëndësishëm i demokracisë. Spektri politik shqiptar ndodhet i unifikuar drejt qëllimit të përbashkët, integrimit euroatlanik. Sa më shpejt të lëvizim drejt këtij qëllim, aq më shumë vlerat historike, kulturore dhe tradita e kombit tonë do të zenë vendin që meritojnë. Promovimi i imazhit dhe i potencialeve të Shqipërisë ka qenë vazhdimisht në krye të axhendës së cdo takimi a vizite që kam realizuar brenda e jashtë vendit. E gjatë këtij impenjimi intensiv, jua them hapur, Kosova ka qenë pjesë e pandarë.

Gazetari: Vëzhguesit e paanshëm , po edhe opinioni ka veneruar një lloj apatie, ose thënë më butë, angazhim të mangët të diplomacisë shqiptare dhe mungesën e koordinimit të punëve me "diplomacinë" e brishtë të Kosovës në mbrojtje të interesave të Kosovës dhe kombit shqiptar, sidomos pas 17 Shkurtit, kur diplomacia serbe qe hedhur në ofenzivë. A ndjejnë farë përgjegjësie për këtë instancat përgjegjëse të Republikës së Shqipërisë?

Presidenti Topi: Sapo ju tregova për impenjimin konkret të Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe kam besimin se edhe institucionet e tjera kanë qenë aktive.
Ky impenjim nuk është zvogëluar aspak pas 17 shkurtit sepse edhe procesi i njohjes së shtetit të Kosovës është një proces që vazhdon dhe nuk ka patur lëkundje apo apati në qëndrime e veprime. Jo gjithcka bëhet publikisht e me zhurmë mediatike, e rëndësishme është që ky proces vazhdon në mënyrë konstante.

Gazetari: A ndërlidhet kjo mungesë e veprimit aktiv të diplomacisë me ngjarjet e brendshme, sidmos me tragjedinë e Gërdecit?

Presidenti Topi: Nuk ka asnjë lidhje mes të dyjave.

Gazetari: Si i komenton Presidenti pasojat që mund të shkaktojë ndërhyrja e politikës në punët e Gjyqësorit, respektivisht Prokurorisë, sidomos në procesin e ndriçimit të tragjedisë së Gërdecit, që u përjetua rëndë në gjithë hapësirën shqiptare.

Presidenti Topi: Në kuadrin e aspiratave të mëdha që Shqipëria ka për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO, forcimi i shtetit të së drejtës dhe përmirësimi i veprimtarisë së sistemit të drejtësisë është, padyshim, një sfidë me rëndësi historike për ne. Në një vend si Shqipëria, ku koncepti i vërtetë i drejtësisë dhe institucioneve të saj ka munguar për një kohë të gjatë, ndërtimi i shtetit të së drejtës dhe parimeve demokratike të qeverisjes, ndarjes së pushteteve dhe krijimit të një mentaliteti të ri në ushtrimn e pushtetit, është një përpjekje që kërkon kohë, energji dhe vullnet, kërkon maturi dhe largpamësi. Unë vlerësoj se forcimi i një pushtetit gjyqësor të pavarur dhe i një sistemi drejtësie funksional është një sfidë e përbashkët e tre pushteteve, legjislativ, ekzekutiv dhe atij gjyqësor, është një sfidë e aktorëve dhe faktorëve politikë dhe profesionalë, është një sfidë e të gjithëve. Ajo që kërkohet, është që secili të realizojë dhe përmbushë detyrimet e tij, sa më mirë, në kohë dhe me korrektesë kushtetuese dhe ligjore. Ajë që kërkohet është që secili të respektojë ndarjen e pushteteve, të respektojë institucionet e shtetit ligjor, të respektojë pushtetin gjyqësor dhe vendimet e tij. Ajo që kërkohet është garantimi i standarteve demokratike të dhënies së drejtësisë. Shteti ligjor ndërtohet me vendosmëri për të respektuar Kushtetutën, ligjin dhe vendimet e dhëna në emër të tyre. Cdo përpjekje apo veprim tjetër, që vjen kundër kësaj filozofie të së drejtës, është cënim i parimeve të shtetit të së drejtës, është pengesë në rrugën e gjatë që Shqipëria ka përpara.

Gazetari: Ju faleminderit shumë për intervistën Zoti President dhe gëzuar Vitin e Ri!

Presidenti Topi: Ju faleminderit juve z. Ramabaja për këtë komunikim me lexuesin kosovar dhe urimet më të mira për një 2009-të sa më të paqtë e të begatë për të gjithë qytetarët e Kosovës, kudo ku ata jetojnë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›