E Diel, 1 Nëntor 2026

Intervistë e Presidentit Topi për emisionin "Top Story" të gazetarit Sokol Balla në televizionin Top-Channel.

11 tetor 2007

Presidenti i Republikës, Bamir Topi dha sot një intervistë të drejtëpërdrejtë nga Pallati i Brigadave për emisionin “Top Story”, të gazetarit Sokol Balla në Televizionin Top-Channel.

Gazetari Sokol Balla: Mirëmbrëma dhe mirë se vini në Top Story, në këtë emision të drejtpërdrejtë, këtë të enjte në ekranin e Top Channel, me Presidentin e Republikës, Zotin Bamir Topi, drejtperdrejt nga Pallati i Brigadave!

Gazetari: Mirëmbrëma, Zoti President!

Presidenti Topi: Mirëmbrëma!

Gazetari: Falminderit që jeni në Top Story sonte!

Presidenti Topi: Falemnderit edhe ju për ftesën!

Gazetari: Nëse më lejoni fillimisht do t’ju pyes për reformën në drejtësi, Zoti Topi. Ju keni qenë nismëtar i tryezës së partive politike. Arritët të ulnit në të njëjtën tryezë zotin Berisha me zotin Rama, bashkë me krerët e tjerë të partive politike; gjithashtu, zgjodhët zotin Peçi kryetar të komisionit dhe tashmë ky komision sot ka hedhur hapin e parë drejt ngritjes së tij. Sa është e domosdoshme dhe pse është e domosdoshme reforma në drejtësi?

Presidenti Topi: Unë mund të them që një nga çështjet që është diskutuar gjatë jo vetëm nga politikanët shqiptarë, por mbi të gjitha nga shoqëria shqiptare, nga njerëzit e thjeshtë, por besoj edhe nga mjaft përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare që vizitojnë Shqipërinë, sidomos kur Shqipëria ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, pra, një nga çështjet themelore që duhet ta kenë më në vëmendje institucionet shqiptare, është pikërisht vazhdimi i reformimit të sistemit të drejtësisë. Them vazhdimi, sepse reforma nuk fillon sot dhe, natyrisht, nuk mbaron nesër. Kjo reformë ka filluar në vitin 1992, në çastin kur ndryshoi sistemi në Shqipëri. Gjatë këtyre viteve janë miratuar mjaft ligje, por sigurisht, ende ka shumë probleme. Këtu çështja shtrohet nëse do të arrijmë brenda një periudhe afatshkurtër të realizojmë standardet e kërkuara dhe kjo, natyrisht, kërkon një angazhim të ri mbi bazën e vullnetit politik të shprehur nga të gjitha palët, gjë që u pa në takimin me krerët e partive politike kuvendore.

Gazetari: A ishte takim i vështirë, zoti Topi?

Presidenti Topi: Unë mendoj se ky takim në dukje të jep përshtypjen se ka qenë i vështirë.Ne fakt, ai ka qenë një takim më se i natyrshëm, i realizuar pa shumë mundime, dhe e sjell në konsideratë, menjëherë pas marrjes së detyrës unë kam pasur takime me të gjithë krerët e partive politike. E kam thënë edhe herë tjetër se ato nuk kanë qenë thjesht takime kortezie, kanë qenë takime pune dhe mbi të gjitha është diskutuar për domosdoshmërinë e thellimit të reformave në Shqipëri, reforma që kanë të bëjnë, në radhë të parë, me çështjet që lidhen me drejtësinë; së dyti, me institucionin më të rëndësishëm, atë të zgjedhjeve, por edhe me domosdoshmërinë e vazhdimit të reformave në jetën ekonomike e shoqërore dhe në jetën e institucioneve dhe besoj se ka pasur një mirëkuptim nga të gjithë, qofshin përfaqësues të shumicës, qofshin të opozitës. Kjo solli natyrshëm realizimin e atij takimi, nga i cili sikurse ju jeni në dijeni dolën përfundime mjaft të rëndësishme e sidomos nevoja për të strukturuar dy komisione: një komision me pjesëmarrjen e kuvendorëve dhe një komision që do të përbëhet nga ekspertë të institucioneve të drejtësisë bashkë me ekspertë të huaj. Ka pasur propozim nga ajo tavolinë që kryetar të jetë zoti Peçi, një jurist me përvojë, një politikan mjaft i ekuilibruar, që vjen edhe nga një parti që ka një simbolikë, Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut; propozim që është mirëpritur. Kjo tavolinë e përbërë nga kryetarët e partive politike kuvendore, natyrisht, e transferon çështjen në Kuvend ku, fatmirësisht, sot kemi një lajm të gëzuar nga Konferenca e Kryetarëve të Grupeve Kuvendore e cila ka futur në axhendën e punimeve të Kuvendit miratimin dhe strukturimin e këtij komisioni që do të merret me çështjet e drejtësisë.

Gazetari: Është shumë interesante ajo që thoni ju se nisma për drejtësi ka kaluar tashmë në Kuvend. Për këtë do t’ju pyes pak më vonë, por fillimisht ju pyes pasi ju lëshuat alarmin gjatë një aktiviteti në Vlorë për bllokimin e kësaj reforme. Pavarësisht nga zhvillimet e sotme, unë po ju pyes sërish si një politikan, sepse ju keni dalë nga gurët e politikës: Përse politika është kaq e ngushtë; pse me zor i hedh hapat për bërjen e kësaj reforme në drejtësi?

Presidenti Topi: Politika në këtë çast po merret paralelisht me shumë gjëra. Ne e shikojmë në jetën kuvendore, e shikojmë në jetën jashtë Kuvendit, e shikojmë në tribuna ku jepen konferenca për shtyp, të cilat janë bërë mjaft frekuente. Natyrisht, është diçka e mirë që jeta politike në Shqipëri është dinamike. Sigurisht, ajo ka qenë brenda vëmendjes së politikës që të merret edhe me problemin e drejtësisë. Ka pasur artikulim nëpër emisione televizive, nëpër prononcime për domosdoshmërinë e fillimit të reformës. Kuptohet që aktori kryesor, bazë i reformës është pikërisht vendi ku të gjitha iniciativat dhe vullnetet projektohen dhe transformohen në norma juridike. Kuvendi, ashtu siç ka qenë, do të jetë aktori i domosdoshëm dhe kryesor në realizimin e reformës. Me qenë se bëhet fjalë për një reformë në një fushë mjaft specifike, ku nuk mjafton të jesh kuvendor politikan, por kërkohet një mbështetje në ekspertizë, mjaft specifike, është parashikuar që, krahas këtij komisioni, sikurse thashë, nga të gjitha institucionet kushtetuese të linjës së drejtësisë, të ketë ekspertë, të cilët do të bëjnë realizimin e një infrastrukture të bazës ligjore që ekziston sot dhe të nevojës për të reformuar dhe për të qenë të harmonizuar, sepse ajo nga e cila ne nuk kemi vuajtur deri sot, ka qenë pikërisht ekzistenca e ligjeve. Madje do të thosha që brenda një periudhe relativisht të shkurtër, Kuvendi i Shqipërisë ka realizuar një numër të konsiderueshëm ligjesh, sa dikush i konsideron si inflacion ligjesh, por problemi ka qenë tek një lloj mungese të realizmit të ligjeve në Shqipëri. Shpesh herë ndihet nevoja për të futur në lojë Institucionin e Gjykatës Kushtetuese, sepse ligjet ose janë ndeshur me njëri-tjetrin ose krijojnë vakume. Kjo bën të domosdoshme që ky kuadër ligjor, mjaft integral, duhet të rishikohet. Natyrisht ju thashë se nuk jemi për të ndryshuar substancën, por për të bërë definimet e ligjeve, të cilat duhet të shkojnë në standarde. Unë besoj se jemi afër standardeve. E rëndësishme është që ky komision të marrë në konsideratë mendimet e ekspertëve. Prej dy vjetësh në Shqipëri asiston Misioni Evropian i Asistencës për Sistemin Shqiptar të Drejtësisë (EURALIUS), që është mision juridik i Bashkimit Evropian, i cili ka dhënë asistencë për Ministrinë e Drejtësisë, për Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe besoj se ai do ta rinovojë misionin e tij për të qenë mbështetësi i rëndësishëm pikërisht i asaj përvoje, tek e cila ne kërkojmë të shkojmë.

Gazetari: Zoti Topi, Kryetari i zgjedhur i Komisionit për Reformën Zgjedhore, zoti Spiro Peçi, sot, direkt pas arritjes së pikës së përbashkët për ngritjen e këtij komisioni, deklaroi se një ndër pikat kryesore do të jetë dhe unifikimi, përveçse shkurtimi dhe unifikimi i mandateve të drejtuesve kryesorë të institucioneve të drejtësisë, kryetarët e gjykatave, përfshirë edhe drejtuesin e Prokurorisë së Përgjithshme. E vënë kjo në mjedisin e debatit për Prokurorin e Përgjithshëm, do të thotë kjo që tani, sipas jush dhe jo vetëm sipas jush çështja e Prokurorit të Përgjithshëm dhe gjatësisë së mandatit të tij kalon përfundimisht te Kuvendi.

Presidenti Topi: Së pari, do të thoja që zoti Peçi është njeri me mjaft përvojë dhe besoj se ai ka njoftuar një çast të termave të reformës për drejtësinë. Besoj, gjithashtu, se ai është aq liberal sa të mos e jap formulën e gatshme por të presë mendimet dhe sugjerimet e ekspertëve dhe politikanëve të tjerë, por ai ka prekur një nga çastet më delikate që ka të bëjë me limitimin apo unifikimin e qëndrimit në pozicion të kryetarëve të gjykatave; besoj se ka pasur parasysh edhe linjën e Prokurorisë.

Unë besoj se çështja e debatit për Prokurorin e Përgjithshëm më shumë ka qenë një debat i amplifikuar, hera-herës i deformuar. Më shumë ka pasur një trajtim të karakterit politik, sesa të karakterit juridik. Unë e kam ndjekur me vëmendje dhe besoj se në disa raste kam dëgjuar edhe nga politikanët me përvojë, nga kuvendorë gjithashtu, të cilët të prirë për të qenë protagonistë në një debat, i cili ka marrë karakter sistemik në të gjitha mediat dhe të gjitha prononcimet, i janë profesionalizmit për sa i përket anës ligjore, kushtetuese. Sot në Shqipëri ekzistojnë dy lloj debatesh, në këndvështrimin tim: ka një debat të pastër politik, i cili ndonjëherë i anashkalon referencat ligjore juridike; pra, bëhet debat për debat; më shumë për konsum publik, më shumë për të demonstruar që ka një klimë opozicioni për këtë çështje, më shumë për ta shfrytëzuar një moment, i cili nuk ka nevojë të politizohet, për ta përdorur si instrument të luftës politike. Ka edhe një debat tjetër, përgjithësisht është debat që përballohet nga politikanë me përvojë, politikanë të përgjegjshëm, të cilët në çdo hap, kur bëjnë debat politik, i referohen edhe kuadrit ligjor. Mendoj se sot askush, në asnjë lloj institucioni, qoftë ky dhe Presidenti i Republikës, nuk është një institucion që del jashtë balancës ndërinstitucionale. Pushtetet në Shqipëri janë të balancuara, falë Kushtetutës dhe asaj përvoje ligjore që është marrë nga vendet demokratike; çka do të thotë se qeveria, ekzekutivi ka vendin e vet, Kuvendi të tijin, Presidenti të tijin, por vendimet që merren qoftë nga instancat që unë përmenda, qoftë edhe nga Presidenti i Republikës, mund të merren në konsideratë nga Gjykata Kushtetuese; çka do të thotë se ekziston një infrastrukturë dhe një balancë institucionale, e cila nuk lejon as një lloj voluntarizmi në ushtrimin e kompetencave të pozicionit. E kam fjalën që Presidenti i Republikës, kur shprehet për një çështje, sidomos për çështjen që sikurse thashë, ka qenë në fokus të debatit, ka përdorur gjithmonë argumentin juridik, kompetencat kushtetuese. Unë, me pak fjalë, do të them se ka dy rrugë që shkojnë anasjelltas në emërim dhe në shkarkim. Prokurori i Përgjithshëm propozohet nga Presidenti, votohet në Kuvend dhe kthehet te Presidenti për t’u dekretuar. Rruga e shkarkimit propozohet nga Kuvendi, vjen te Presidenti dhe dekretohet; pra, pozicionet, raportet janë më se të përcaktuara, kështu që nga kjo pikëpamje të hedhësh tym në këtë lloj debati, do të thotë që ta përdorësh debatin për ta politizuar, për ta deformuar dhe për të akuzuar disa institucione që nuk e kanë pasur të nevojshme të merren dhe të përdoren për argument në këtë debat. Kam mendimin se të merremi më gjatë me këtë çështje, do të ishte një humbje kohe.

Gazetari: Qartë!

Presidenti Topi: Është një prononcim i bërë; natyrisht, ekskluzivitetin e marrjes së vendimit e ka institucioni i Kuvendit. Në rast se do të ngrihet sipas vullnetit të Kuvendit një komision dhe pastaj sikurse dihet, e kemi rastin e komisionit hetimor dhe sërish do të vijë në tryezën e Presidentit.

Unë nuk besoj se është çasti që të bëjmë parashikime. I dhashë të gjitha këto interpretime për të demonstruar që në gjithë këtë debat politik mjafton të thuhet se Presidenti, pozicioni i shprehur edhe në Kuvendin e Shqipërisë në çastin e betimit, i rithksuar edhe sot në këtë bisedë, asnjëherë nuk do të dalë jashtë kornizës kushtetuese dhe ligjeve. Mjafton kjo për të qetësuar shpirtrat e trazuar, të cilët edhe në çaste ekuilibri e qetësie, kërkojnë të krijojnë dallgë.

Gazetari: Tani, jeni përballë meje si President i Republikës, por nëse do t’i drejtohesha politikanit, është shumë i tunduar ta pyesja a mendon ose jo se duhet të jetë zoti Sollaku Prokuror i Përgjithshëm?

Presidenti Topi: Në të gjithë jetën time, jo vetëm në aktivitetin politik, por besoj edhe në aktivitetin shkollor, janë motivime të hershme këto, madje edhe në jetën akademike kam qenë shumë i kujdesshëm në prononcime. Kur jam prononcuar, do të thotë që ka qenë një bindje. Natyrisht, që çështja në fjalë është një inerci e deklarimeve të mëparshme; kështu që mos prisni që sot unë të deklarohem ndryshe, por ju thashë që, për hir të delikatesës së çështjes, për hir të domosdoshmërisë së futjes në korniza ligjore e kushtetuese dhe për të demonstruar që Presidenti i Republikës edhe aty ku kërkohet që debati të intensifikohet apo të deformohet, kërkon ta riekuilibrojë situatën, unë ju them se do të qëndroj në mënyrë shumë rigoroze te korniza ligjore, e cila është e shprehur dhe marr në konsideratë edhe mjaft gjëra, të cilat mbeten për t’u rikonfirmuar.

Gazetari: Zoti President, atëherë po ju drejtohem për një çështje parimore dhe nuk ka lidhje me emrin konkret. Nëse do të ketë një emër të ri për Prokurorin e Përgjithshëm, si do të zgjidhet ai? Ai do të zgjidhet me një konsensus politik apo sipas kritereve profesionale dhe kornizës kushtetuese?

Presidenti Topi: Së pari, unë do të thosha se ky është çast i rëndësishëm, sepse në një mënyrë ose në një tjetër, ai institucion dhe institucione të tjera, do ta njohin rrotacionin; pra, do të futet në linjën e natyrshme të të gjitha institucioneve kushtetuese, që kanë një fillim e përfundim. Kur njerëzit mbarojnë një detyrë, marrin detyra të reja po aq të rëndësishme. Nuk është e thënë që ikën nga një detyrë dhe mund të pësosh regresion, të dalësh jashtë loje, sepse ekzistojnë mundësitë. Në një ekonomi tregu, në një sistem demokratik, njeriu ka hapësira të nevojshme kur është i zoti. Mund të jetë në institucione shtetërore, mund të jetë në institucione private, mund të jetë në institucione akademike; pra, e rëndësishme është që përthithet ky parim, i cili është parimi themelor i demokracisë. Gjithmonë ndihet nevoja që të ketë një lloj lëvizjeje, nuk mund të ketë konservim afatgjatë në një institucion. Vetëm në institucionet akademike, ku njeriu merr merita mbi bazën e titujve shkencorë, konsolidohet dhe ka rregulla specifike, ndërsa në jetën e institucioneve shtetërore e publike ka rregulla të tjera që përcaktohen nga ligji, nga Kuvendi; dhe unë besoj se në këtë linjë do të ecë edhe Shqipëria.

Gazetari: Atëherë, do të ishte e tepërt t’i përgjigjeshe thashethemnajës që qarkullon se në Presidencë ka një listë për Prokurorin e Përgjithshëm?

Presidenti Topi: Kjo është thashethemnajë dhe unë dëshiroj të fokusohem në vijim të pyetjes suaj se është mjaft e rëndësishme. Do të zgjidhet Prokurori i ri, në çastin kur t’i vijë koha që të zgjidhet.

Gazetari: Qartë!

Presidenti Topi: Është shumë e rëndësishme që të gjithë njerëzit e interesuar, njerëzit e thejshtë, intelektualët dhe qytetarët duhet ta kuptojnë se ai që do të zgjidhet, në këndvështrimin tim, por besoj edhe të kolegëve të mi, të shumicës dhe të opozitës gjithashtu, me të cilët jemi konsultuar, tre janë parimet themelore: duhet të jetë një njeri me integritet moral, të ketë një pastërti morale, të ketë një prirje morale për të ushtruar profesionin; së dyti duhet të jetë profesionist i fushës, pra jurist i zoti; së treti, që e kompleton imazhin ai duhet të zgjidhet mbi bazën e një etike komunikimi qytetar. Nuk është e thënë që institucione të tilla, që vishen me hijen dhe imazhin e të shkuarës, që janë institucione të prokurorisë, të hetimit, që lidhen me çështjet penale dhe të japin përshtypjen e njeriut të vrazhdë. E rëndësishme është që, duke i ndërthurur të tre këto parametra, atëherë ti gëzon besimin që të ushtrosh sipas ligjit dhe kushtetutës dhe kuadrit ligjor integral që ka Institucioni i Prokurorisë, të drejtën për t’i dhënë drejtësi qytetarit dhe për ta kthyer Shqipërinë në një shtet të së drejtës, në një shtet, i cili në radhë të parë, duhet të mendojë për qytetarin. Nga kjo pikëpamje, do të zgjidhet pikërisht ai njeri që plotëson standardet; pra, referenca nuk do të jetë politike, referenca nuk do të jetë ç’mendon iksi e ypsiloni; e rëndësishme është që politika do të jetë kontribuese, mbi bazën e disa termave referuese ku do të merren në konsideratë standadet. U morën në konsideratë standardet, Prokuroria do të garantojë dhe do të jetë institucion i pavarur, do të garantojë atë që ne e mirëpresim sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të japë drejtësi për qytetarët, të mos jetë inaktive, të jetë gjithmonë në psikozën e ndërhyrjes nga politika apo nga grupet e biznesit dhe anasjelltas, por të jetë një prokurori e çliruar nga këto komplekse dhe të lihet të punojë, sikurse punojnë të gjitha prokuroritë në Evropë.

Gazetari: Zoti President, besoj e mbyllim këtu pjesën e parë dhe shumica e kryeredaktorëve të gazetave që presin të mbushin faqen e parë, me siguri i kanë marrë mesazhet e duhura për titullin kryesor.
Le t’i rikthehemi tani marrëdhënieve tuaja me politikën. Siç e thamë edhe në fillim të bisedës, ju keni filluar takime intensive politike që në ditën e parë të ditës së postit. Jeni takuar me zotin Berisha, Rama, Nano, Gjinushi e të tjerë. Cili ka qenë takimi më i vështirë për ju?

Presidenti Topi: Nuk kam në memorje asnjë takim të vështirë. Çuditërisht, të gjithë që kanë ardhur në Presidencë, kanë ardhur të çliruar nga ai kompleks i shfaqur në ditët e zgjedhjes së Presidentit. Është e natyrshme që debati politik është gjithmonë debat politik. Ju e sillni në memorie atë betejë të ashpër politike, e cila më shumë qe ngritur mbi bazën e një klime paragjykuese. Ka pasur një lloj kontradiksioni, që ne sot mund ta analizojmë së bashku.

Të gjithë kanë qenë dakord që Presidenti i Shqipërisë do të ishte mirë që të vinte nga politika dhe , në momentin që ai zgjidhet është politikan dhe i lidhur me një parti. Këtë lloj kontradiksioni duhet ta zgjidhin, në radhë të parë, ata që i lançojnë këto teza. Unë mendoj se të jetë një politikan në krye të institucionit të Presidentit, do të thotë që të njohë terrenin politik, të jetë i gatshëm të marrë nisma të menjëhershme; kjo është arsyeja që menjëherë pas marrjes së detyrës, unë nuk kam bërë asgjë të jashtëzakonshme, kam bërë detyrën, ka qenë një inerci e dukshme e marrëdhënieve intensive që ne kishim në Kuvend, vetëm se në këtë rast janë marrë në konsideratë të gjitha prirjet e ndryshme të politikës. Pra, në rast se unë çlirohem psikologjikisht qysh në momentin e parë, që do të jem President për të gjithë, nuk ka pse interpretohet ndryshe nga cilido, i cili nuk e ka aftësinë të njohë strukturën time, por mendon që ta përfshijë dhe Institucionin e Presidentit në një debat të kotë politik. Në rast se unë them se dominante duhet të jetë reforma në drejtësi, natyrisht, askush nuk mund ta frenojë një individ apo politikan qoftë edhe Presidenti i Republikës që të japë me transperencë të plotë biseda, konsiderata individuale. Të japësh konsiderata individuale, me transparencë të plotë, kjo nuk presupozon që ti do të dalësh jashtë kornizës kushtetuese. Ajo për të cilën mund të vlerësohet Presidenti, është te nismat, ruajtja në këtë mënyrë e kornizës së tij për të mos dalë në fushën e të tjerëve, respektimi i institucioneve, marrja e një roli promotor kur duhet, jo protagonist, s’më ka pëlqyer ndonjëherë protagonizmi, por më ka imponuar gjithmonë nevoja për të bërë detyrën; dhe të afrosh politikanët për të ekuilibruar frymën politike, ka qenë ai moment që besoj se është pëlqyer nga të gjithë. Besoj se edhe politikanët, përfaqësues të forcave të ndryshme politike e kanë mirëpritur këtë lloj klime, janë bërë takime jo vetëm për reformën në drejtësi, por edhe për çështje të ndërveprimit të institucioneve qendrore me ato vendore. Jam i bindur gjithashtu, që për mjaft çështje të tjera, që dalin përpara, politikanët shqiptarë në vitin 2007, do të marrin modelet e politikanëve evropianë, ata perëndimorë.

Gazetari: Zoti President, para se të bëjmë një ndërprerje publicitare do të doja t’ju bëja një pyetje që ka lidhje me retrospektivën jo të largët, para se të zgjidheshit President në atë muaj aq intensiv, cili ka qenë çasti juaj më delikat dhe më i vështirë?

Presidenti Topi: Sigurisht, të rikthesh ato çaste, mund të gjesh më shumë se një çast të vështirë!

Gazetari: Një çast ku pati dilema morali të fortë se do të lësh diçka dhe shtyu të thoshit se do ta lë dhe nuk do të marr më pjesë në garë; pra, pati dilem morali të forta do të them.

Presidenti Topi : Mund t’ju them që në terma relativë ka qenë çasti kur m’u desh që të hapja krahun. E kam bërë me ndërgjegje të plotë, sepse një politikan që aspiron të shkojë në të tilla pozicione, në rast se nuk vendos në radhë të parë si prioritet apo dominancë me interes kombëtar, atëherë ai është jashtë misionit të tij. Kjo më ka vendosur në një lloj vështirësie, sepse të jesh katër muaj i lançuar, i diskutuar, i debatuar nga pozicione të ndryshme, i veshur me një lloj konotacioni, i cili në disa raste nuk ka qenë i këndshëm. Ky ka qenë një çast relativisht i vështirë, por asnjëherë në vullnetin individual nuk ka qenë dilema nëse do të vazhdoj apo do të tërhiqem. Gjithmonë bën pjesë në parimin tim të jetës: gjërat duhet të përballohen; nuk është e thënë që gjërat të arrihen, por asnjëherë njeriu nuk duhet të tërhiqet. Të tërhiqesh, do të thotë që të kesh pranuar me ndërgjegje humbjen. Unë këtë nuk e kam pasur dhe nuk besoj që do të më ndjekë edhe gjatë këtij misioni kaq të rëndësishëm.

Gazetari: Z. President, do të doja t’Ju pyesja a do të ndikojë pozitivisht, ose jo vetëm, në punën tuaj si President i Republikës dhe mënyra se si Ju u zgjodhët në këtë detyrë?

Presidenti Topi: Besoj se nga të gjithë sot pranohet, madje është dhe element i krenarisë së politikës shqiptare që Presidenti i Republikës u zgjodh në mënyrë kushtetuese dhe pa pasur nevojën e mediacionit ndërkombëtar, ç’ka do të thotë se politika shqiptare, ndonëse ka problemet e veta, ndonëse u fut në një proces të vështirë, gjithsesi, ishte brenda kuadrit kushtetues. Kushtetuta parashikonte pesë raunde dhe unë u zgjodha në raundin e katërt. Natyrisht ky është një element që nuk ka pse të krijojë varësi në misionin dhe në punën tënde, duke qenë i zgjedhur brenda kësaj kornize, brenda asaj fryme, e cila kërkohet të perfeksionohet. Unë ndihem mjaft mirë dhe besoj se, e njëjta gjë, në të njëjtën mënyrë, duhet të perceptohet edhe nga të tjerët.

Gazetari: Megjithatë kritikët mund të thonë se mënyra se si u zgjodhët, jo aq votat që morët nga mazhoranca, por votat që morët nga opozita, do t’Ju shtyjnë që të favorizoni një krah, apo një tjetër në betejën, apo betejat e ndryshme politike në vend.

Presidenti Topi: Jo, absolutisht jo! Unë jam absolutisht, jo vetëm i vendosur, por jam në linjën time natyrale që të respektoj sikurse thashë ligjin, por natyrisht të respektoj edhe palët. Është në vetë natyrën e institucionit që kërkon nevojën e ekuilibrimit të situatës politike. Natyrisht, vendimmarrjen e kanë forcat politike. Presidenti ka një mision mjaft specifik, që të dekretojë pikërisht atë vendimmarrje që merret nga Parlamenti. Është edhe në të drejtën e vet kushtetuese për të qenë Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për të qenë Kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, për të qenë garant i ekuilibrave politikë dhe shoqërorë dhe, besoj se është një mision, i cili të detyron, ndonëse je i predispozuar, të shkosh në ekuilibra.

Gazetari: Unë po Ju pyes pak më konkretisht. Fakti që Ju u zgjodhat me votat e një pjese të deputetëve socialistë, të cilët nuk janë thjeshtë pjesë e deputetëve socialistë, por janë pikërisht ata, që nuk e mbështesin kryetarin aktual. Sa mund të ndikojë të themi në komunikimin, apo bashkëpunimin tuaj qoftë me kreun e PS-së dhe kreun e opozitës, Edi Rama, apo me ish-kreun e saj, Fatos Nano, të cilin jo më larg se dje, duhet thënë, e takuat në zyrën tuaj dhe ai, të paktën publikisht, pas këtij takim Ju ofroi mbështetjen për debatin e fortë për reformën në drejtësi.

Presidenti Topi: Për t’ju thënë menjëherë se ekzistojnë prova të mjaftueshme, që tregojnë se nuk kanë influencuar dhe nuk do të influencojnë, është pikërisht frekuenca e takimeve. Mund t’ju them sot se më shumë kam takuar liderë të partive të majta, se sa të partive të djathta. Dhe natyrisht kjo është bërë jo për të demostruar që unë po përpiqem të ekuilibroj situatën nga e majta, por ka ardhur si nevojë e kërkesës për takim dhe besoj se jam i hapur për të gjithë kolegët. Janë të gjithë kolegë që vijnë nga një terren i njohur. Besoj se ne e njohim shumë mirë natyrën e njëri-tjetrit, jemi në një kohë, kur fizionomia perëndimore është gjithnjë e më shumë e pranishme dhe njeriu nuk duhet të qëndrojë në pozicione statike, që të mos lëvizë. Të gjithë do të takohen, por e rëndësishmë është se çfarë del nga takimet, nëse takimet janë thjesht për ekzibizicion, apo janë takime që realizojnë nevojën e bashkëpunimit për të realizuar një produkt. Unë në këtë mënyrë e kam parë dhe për të vazhduar kështu në linjën e pyetjes tuaj, me garanci të plota mund t’ju them se po të kishin marrë pjesë të gjithë deputetët në Parlament do të kishte më shumë vota nga e majta, çka presupozon se mjaft deputetë me të drejtë i janë bindur një vendimmarrjeje politike. Kështu funksionon politika, por kjo nuk do të thotë që nuk kishte vullnete të shprehura për të mbështetur kandidaturën time. Unë nuk kam imponuar askënd që të japë votën për mua, e kam lënë në terren të lirë, sikurse kam qenë i lirë në të gjitha vitet e politikës për të komunikuar në mënyrë civile me të gjithë dhe për të dhënë variantin politik, kur kam qenë kryetar i grupit parlamentar. Gjërat kanë qenë transparente.Në politikë është e rëndësishme që të kombinosh linjën politike me argumentin. Besoj se kam gjetur një linjë, e cila është mirëpritur edhe nga kolegët e së majtës.

Gazetari: Ju keni qenë siç e thatë kryetar i grupit parlamentar i PD-së, nënkryetar në partinë me kryetar z. Sali Berisha, një prej dy, apo tre politikanëve kryesorë të këtyre shtatëmbëdhjetë viteve të fundit, padyshim, politikani më i fortë që ka nxjerrë qendra e djathtë shqiptare gjatë kësaj kohe. Por nga ana tjetër, fakti që Ju tani të themi dolët nga tutela politike e Partisë Demokratike, shumë kritikë mund të mendojnë që kjo tutelë le të themi politike mund të ndikojë në axhendën tuaj. Pra kritikët mund të imagjinojnë Presidentin Topi që në komunikimin me Kryeministrin Berisha mund të ndikohet nga kryetari i PD-së Berisha në axhendën e tij.

Presidenti Topi: Nuk ka qenë kjo frymë dhe nuk mendoj që do të jetë kjo frymë. Kanë qenë marrëdhënie jashtëzakonisht të kujdesshme. Ju siguroj për këtë! Në një lloj bashkëpunimi sa institucional, aq edhe njerëzor dhe mund t’ju them që të tillë e kam pasur me të gjithë kolegët. Unë po e ritheksoj, sepse është shumë e rëndësishme ta ritheksoj, edhe me kolegët e së majtës, edhe me kolegët e së djathtës. Të kesh qenë nënkryetar i Partisë Demokratike për një kohë relativisht të gjatë, me një eksperiencë, e cila ka qenë unike, sepse kam qenë kryetar i grupit si në opozitë, ashtu edhe në mazhorancë. Dhe përkrah njerëzve me eksperiencë si z. Berisha, por besoj edhe në opozicion me njerëz me eksperiencë si z. Nano dhe eksponentë të tjerë të së majtës, do të thotë që të kesh akumuluar një eksperiencë e cila të vlen sot.

Kjo nuk është një eksperiencë vetëm shqiptare, pra që një politikan nga një formacion politik vjen në krye të shtetit. Janë eksperienca të njohura kudo në botë. Kemi rastin e Presidentit Napoletano në Itali, kemi rastin e Presidentit Sarkozi në Francë edhe mjaft raste të tjera, kur presidentët vijnë, ose katapultohen nga formacionet politike dhe marrin staturën e Presidentit, kur shkojnë me të gjithë kuadrin ligjore që i shoqëron.

Gazetari: Le të flasim pak për situatën politike në vend z. President. Opozita është në gjendjen që është dhe duket, të paktën duket, sikur mazhoranca po kalon një ndër momentet e veta politikisht më të shëndosha. Megjithatë, kjo mazhorancë kaloi një tronditje jo të vogël pak javë më parë me arrestimet e disa zyrtarëve të lartë në Ministrinë e Transporteve. Pati akuza nga z. Ndoka për ndikim politik të disa segmenteve të Partisë Demokratike në këtë operacion arrestimesh. Por pamë edhe një paqe të dielën e shkuar mes z. Ndoka dhe Kryeministrit, me të cilin të paktën përflitej që nuk kishte komunikim prej disa kohësh. E bëj këtë hapje të gjatë për t’Ju pyetur pak më shkurt. Çfarë po ndodh me mazhorancën e djathtë, sipas bindjeve dhe informacioneve tuaja dhe, a jemi pranë një riformatimi të qeverisë dhe të qeverisjes?

Presidenti Topi: Unë mund t’ju jap shumë përgjigje, por natyrisht kjo nuk është një pyetje që i drejtohet Presidentit. Ndonëse ai vjen me eksperiencën politike, pra ka informacionet e duhura, unë do të preferoja që të mos interferoja në çështjet që kanë të bëjnë me kompozicione aleancash të mazhorancës dhe të opozitës, sepse ndryshe do të dilja nga misioni për të qenë mbi palët dhe midis palëve.

Por, për të komentuar çështjen e arrestimeve, sepse Presidenti i shtetit nuk mund të rrijë indiferent, kam informacionet e duhura, unë them që ka një lloj rikthimi në qetësinë politike pa interferuar në problemet e ligjit. Sa kohë këtë çështje e ka marrë drejtësia, ne duhet të presim që drejtësia, ndonëse ka problemet e veta, uroj që të japë drejtësi mbi bazën e fakteve dhe besoj që të gjitha marrëdhëniet e tjera, që janë marrëdhënie të karakterit politik, është mirë që t’i largohen çështjeve të kësaj natyre. Ndryshe, do të bënim një autogol, që nga njëra anë deklarohen të gjithë të motivuar në luftën kundër korrupsionit dhe pastaj marrin në mbrojte pikërisht situata, të cilat demostrohen me fakte që janë të kundërta.

Gazetari: Ju vetë a keni patur komunikime me z. Ndoka dhe çfarë i keni ofruar atij?

Presidenti Topi: Ka pasur një shqetësim nga grupi, apo nga Partia Demokristiane, por më shumë nga grupi i deputetëve, nëse deputetët e kësaj partie kanë qenë të interceptuar nga përgjimet. Sigurisht që, këtë preokupacion e kam parë me mjaft kujdes, në mënyrë të menjëhershme dhe, pa lënë që të agravojë situata, kam thirrur në zyrën time kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Demokristiane, kam marrë pretendimet e tij, kam marrë njëkohësisht dhe informacionet zyrtare të institucioneve të specializuara, që mund të merren me këtë problem dhe jam siguruar që, njerëzit e veshur me imunitet kanë qenë jashtë përgjimeve, të cilat vendosen mbi bazën e vendimeve të gjyqësorit, kur Prokuroria nuk mund të veprojë në mënyrë voluntariste.

Gazetari: Z. President, si e shikoni qeverisjen aktuale dhe mënyrën se si qeveriset vendi dhe a ka vend për përmirësime sipas Jush dhe cilat do të ishin ato?

Presidenti Topi: Jam i detyruar t’ju them të njëjtën gjë edhe për qeverinë. Nuk kam hapësirën e duhur sot për të interferuar e për të gjykuar. Kam qenë më i lirë kur isha kryetar i grupit, ndonëse ishin çështje, që kishin të bënin me Partinë Demokratike dhe koalicionin e së djathtës. Kanë qenë vetë natyra, pozicioni që më jepte më shumë liri për të interpretuar, qoftë edhe për të kritikuar. Sot nuk e kam atë akses dhe shans. Njeriu gjithmonë është i prirur që të bëjë analizë dhe të japë vlerësimet e veta, që në momente të caktuara mund të kenë edhe nota kritike.

Unë do ta merrja në një sens tjetër; ka angazhim të natyrshëm, ka sfida mjaft të rëndësishme, që do t’I konsideroja sfida jo vetëm të qeverisë, por të qeverisjes qoftë në nivel qendror, qoftë në nivel vendor, janë sfida kombëtare, që kanë të bëjnë me integrimin me antarësimin në NATO, me antarësimin në Bashkimin Evropian, ndonëse është një rrugë më e gjatë, por natyrisht që janë sfida, të cilat kanë një konsum shoqëror. Unë nuk mund të shprehem me të njëjtat nota pozitive, sikurse ndodh në çështjet e integrimit, edhe për mjaft çështje të reformave ekonomike siç është problemi i energjisë.

Problemi i energjisë vërtet është një problem, ku askush nuk mund të presë që të lavdërohet, apo jo? Të jemi transparentë, të jemi të ndershëm në komunikim qoftë me kolegë ministra, qoftë me deputetë, por në radhë të parë me qytetarin që, problemi i energjisë, ndonëse është një problem kronik, duhet patjetër të dalë nga rrjedha kronike e tij. Natyrisht që ka iniciativa, ka dëshira, por këtu është çështja që duhen veprime konkrete.

Ndërsa, ka probleme të tjera, të cilat nuk përballin thjesht qeverinë, por përballin të gjithë pushtetet në Shqipëri, që janë problemet e pronësisë. Ndoshta, është kthyer si një lloj lajtmotivi në të gjitha diskutimet dhe bisedat tona dhe nuk ka se si të mos jetë pjesë e ligjëratës sime, kur është pjesë e ligjëratë së të gjithë njerëzve sot. Është një problem, i cili në dukje vjen duke u zgjidhur, por hera herës agravohet.

Gazetari: Në fakt më parapritë në një pyetje që unë doja t’Jua bëja pak më poshtë, por po e bëj tani. Keni qenë i ndjeshëm si politikan pikërisht tek çështja e pronave. E keni përmendur sapo u bëtë President së bashku me atë të reformave në drejtësi dhe reformën zgjedhore. Cilat do të jenë hapat tuaj si Kryetar i Shtetit në këto tre drejtime, ku mazhoranca prej së cilës Ju keni dalë President ka qëndrime jo rrallë të kundërta me tuajin personal, siç është dhe çështja e pronave? Jo më larg se dje Gjykata Kushtetuese la në fuqi ligjin e debatueshëm të legalizimeve.

Presidenti Topi: Unë nuk mund të interferoj në politikat. Kam qenë më i lirë të interpretoja kur isha parlamentar. Sot unë jam i detyruar të respektoj të gjitha vendimmarrjet, që janë institucionale dhe nuk mund të bëj propagandë sot, nëse më pëlqen një ligj, ose variacione të këtij ligji në një sens tjetër. Por, Presidenti i Republikës duhet të jetë gjithmonë i vëmendshëm që të sensibilizojë institucionet që të ruajnë drejtësi mbi bazën e zbatimit të ligjit. Sot vërehen, dhe unë nuk i kam konstatime apo perceptime subjektive të miat, i kam mbi bazën e informacioneve që vijnë, se kur abuzohet me ligjin e pronësisë; nëpër zyrat e hipotekës, nëpër zyrat e pushtetit vendor, nëpër komuna ka një deformim, do të thoja problematik të kuadrit ligjor, ka mbivendosje të pronave, ka tentativa jo për ta lehtësuar situatën, por për ta ngatërruar, sepse në ujra të turbullta peshkojnë pikërisht ata, që mund të nxjerrin përfitimet e tyre.

Vërtet unë sot jam në atë zyrë, që mund të konsiderohet jashtë kontaktit me qytetarët, por ju siguroj që kam kontaktin e plotë dhe kam një eksperiencë të viteve. Gjërat nuk është se po zhvillohen vetëm sot me pronat. Çështja e pronave është një çështje e vjetër, një çështje e akumuluar, e cila sot, sa më shumë ezaurohet toka fizike, ju siguroj që, aq më shumë dhe aq më të sofistikuara bëhen përpjekjet për të grabitur atë që ka mbetur nga persona të veçantë.

E ritheksoj shqetësimin që drejtësia, e cila mund të fillojë me administratën, vazhdon me Kontrollin e Shtetit, vazhdon me Prokurorinë, duhet të qartësojë situatën, pikërisht për atë që ndodh përpara sporteleve. Ju i keni sot deklarimet “viva voce” nëpër sportele, që kanë pesëmbëdhjetë vjet me letra nëpër duar dhe praktikisht u mbeten vetëm letrat. Kjo është shumë e dhimbshme, sepse ka edhe një element të formimit psikologjik. Ai që orientohet tek ligji i mban letrat, i drejtohet gjykatës dhe në mjaft raste del i humbur, ndërsa ai që nuk ka letra, ai që është praktik, është veprues, merr terrenin dhe përfiton pronën. Ky është edukimi më i keq që mund t’i jepet shoqërisë, ndërkohë që shoqëria duhet të edukohet me ligjin. Institucionet duhet të jenë shumë të kujdesshme që t’i japin preçedencë pikërisht atij që ka letrat.

Mjaft gjëra ndodhin edhe nëpër gjykata. Ju e dini që, kur hyn nëpër gjykata, mund të futesh me flokë të zez e të dalësh me flokë të bardhë. Nuk mendon më ta gëzosh vetë, por mendon a do ta gëzojnë fëmijët. Kjo është situata, kjo është arsyeja që po kërkohet të reformohet sistemi i drejtësisë. Do të thotë të reformohet e drejta, e drejta e qytetarit për të patur drejtësi, ç’ka do të thotë që të reformohet gjithçka që ka të bëjë me atë që i intereson qytetarit, sepse të mendosh reformën në drejtësi si një element demagogjik, ajo nuk i shërben askujt. Kanë të drejtë ata që thonë që ka shumë fjalë, por çfarë veprimi ka. Sikurse e thashë edhe në fillim të bisedës, është lajm shumë i gëzuar që ajo tryezë po fillon të implementojë me formimin e komisionit dhe unë jam shumë optimist që gjërat do të ecin.

Gazetari: Do të doja t’Ju pyesja, si po punon qeveria aktuale për arritjen e qëllimeve eruointegruese, pasi në perceptimin tonë publik brenda vendit duket sikur ne kemi ecur përpara, por ndërkohë që çdo delegacion që vjen nga Brukseli, nga NATO, apo nga Bashkimi Evropian, na thotë gjithmonë se duhet të punojmë dhe se kemi shumë punë për të bërë.

Presidenti Topi: Unë ju siguroj se edhe shoqëritë perëndimore, që janë në Bashkimin Evropian, duhet të jenë të motivuara që të punojnë çdo ditë e më shumë Kështu që ky është një mesazh që mund t’i jepet fare lehtë administratës tonë. Ju siguroj që, nga të gjitha delegacionet që vijnë në Shqipëri, shikohet një perceptim ndryshe i realitetit shqiptar. Janë bërë padiskutim hapa përpara dhe ftesa për antarësimin në NATO është një probabilitet shumë i lartë. Të gjithë vijnë me një lloj predispozicioni dhe një lloj besimi që do të ketë një ftesë në Samitin e Bukureshtit. Kjo, nuk vjen në një ditë! Fakti që Shqipëria është pjesë e sistemit antiterror, që merr pjesë në misione, kjo nuk ka të bëjë thjesht me teknologjinë e armatimit, kjo ka të bëjë me formimin, ka të bëjë me reformat, që janë bërë në atë fushë. Besoj që edhe pjesëmarrja në strukturat euro, apo interparlamentare, që kanë të bëjnë me NATO-n, ku Parlamenti shqiptar prej vitesh merr pjesë me delegacionet e përhershme, ku janë të përfaqësuara edhe mazhoranca, edhe opozita, i ka dhënë tjetër imazh Shqipërisë.

Gazetari: Z. President, premtuat se do të vizitonit Kosovën në vizitën tuaj të parë. Cila është arsyeja që ndryshuat vendimin dhe vizitën e parë nuk do ta bëni në Prishtinë, por në selinë e NATO-s në Bruksel?

Presidenti Topi: Dëshira ka qenë shumë e madhe dhe vazhdon të jetë ende e madhe. Ju e kuptoni që ndonjëherë nuk korrespondon dëshira me situatën, e cila në fakt është shumë delikate në Kosovë. Pra, asnjëherë, sikur në mes të natës, jo unë, por të gjithë së bashku të shkojmë në Kosovë, të jemi të sigurtë që mikpritja do të jetë e mrekullueshme. Por, kjo ka të bëjë me elementë të tjerë, ka të bëjë me konjukturën, në të cilën ndodhet Kosova, ka të bëjë me një realitet të ri lidhur me caktimin e zgjedhjeve për pushtetin vendor në Kosovë, e prandaj besoj që një vizitë në këtë moment mund të konsiderohej e papërshtatshme.

Gazetari: Z. President, dy pyetje të shkurtra, shpresoj të më jepni një përgjigje sa më konçize. Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare u shprehët me shqetësim për situatën sidomos në kufi me Kosovën. Mund të na thoni se çfarë ju ka shqetësuar z. President?

Presidenti Topi: Ato që u shfaqën ditët e fundit. Ka pasur tentativa të qarta të qarqeve ekstremiste serbe në zonën e Mitrovicës, ka pasur deklarata, jo thjesht të njerëzve pa emër, por edhe të njerëzve, të cilët kanë një emër,por edhe tentativa për të rikthyer skenarët e luftës në Kosovë.

Gazetari: Atëherë, po Ju pyes drejtpërdrejt z. President. Kosova dhe Ballkani janë në një udhëkryq historik. A i druheni një konflikti të armatosur në rajon dhe sa informacion keni Ju, sa ngjasa ka që kjo të ndodhë?

Presidenti Topi: Sigurisht, mbi bazën e të gjithë informacionit që kam, por edhe mbi bazën e deduksionit politik, unë kam bindje të plotë që në Ballkan nuk rikthehen më erërat e luftës, sepse çështja e Kosovës, ju e shikoni, nuk është çështje e izoluar. Dita-ditës Kosova merr tjetër sensibilitet ndërkombëtar, Kosova konsiderohet sot si një indikator i ekuilibrave globalë. Pra, Kosova është marrë në konsideratë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, është marrë në konsideratë nga vendet me potencial të madh, nga vende, të cilat kanë kontribuar në çlirimin e Kosovës, në radhë të parë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në Kosovë janë të pranishme trupat e KFOR-it dhe në të gjitha deklaratat, qofshin këto për qarqet ekstremistet serbe, qofshin për qarqet ekstremiste të izoluara shqiptare, të cilat nuk gjejnë përkrahjen e institucioneve të Kosovës e të Shqipërisë, sepse ekstremizmi nuk i shërben të ardhmes së Kosovës sot, janë të bindur që KFOR-i dhe institucionet e Kosovës do të jenë në gjendje që të ruajnë stabilitetin, i cili është një indikator mjaft i ndjeshëm për të gjithë situatën në rajon. E rëndësishme është që si pikë referimi për vendet tona, qoftë Kosova, qoftë Shqipëria, qoftë kjo dhe Serbia, është integrimin në Europë dhe në familjen euroatlantike.

Gazetari: Ja pra pamjet e drejpërdrejta nga jashtë Pallatit të Brigadave ku Garda e Republikës nderon selinë ku gjendet Presidenti siç e kërkon edhe protokolli i shtetit. Ndoshta shiu jashtë z. President, na e bën bisedën pak më të ngrohtë këtu brenda Pallatit të Brigadave, selisë, njërës prej selive tuaja në fakt të punës. Do të doja t’ju pyesja për rutinën tuaj të përditshme. Kur erdhët në ditën tuaj të parë, si e gjetët tryezën tuaj të punës?

Presidenti Topi: Natyrisht një tryezë normale pune. Unë në atë zyrë jam futur edhe herë të tjera me cilësi tjetër. Nuk kam parë ndonjë ndryshim të dukshëm. Unë vazhdoj të punoj me ato orendi, me ato mjete pune, dhe besoj se nuk është pikërisht infrastruktura teknologjike që është mbizotëruese në punën e një presidenti. Aty bëhen takime mjaft intensive gjatë gjithë ditës, saqë njeriu e ka shumë të vështirë që t’i kthehet kompjuterit për të marrë informacione, sepse i merr informacionet në rrugë tjetër. Gjithsesi unë mendoj që ajo zyrë ka fuqinë e vet, ka fuqinë që i vjen pikërisht me atë cilësi që i jep Kushtetuta dhe ligji.

Gazetari: Fola për tryezën, por e kisha fjalën në fakt edhe për volumin e dosjeve që mund të keni gjetur mbi të. Kur ishit nënkryetar i Partisë Demokratike, keni shprehur një vlerësim të caktuar edhe për paraardhësin tuaj si President i Republikës. ǒmund të na thoni për z. Moisiu tani që jeni ulur pikërisht në karrigen e tij si Kryetar i Shtetit?

Presidenti Topi: Në çdo lloj rrethane e kërkon etika, dhe në rastin konkret jo vetëm etika, sepse unë kam patur konsideratat e mia pozitive për ish-presidentin Moisiu. Kemi patur vazhdimisht një komunikim institucional, por natyrisht me një bazament qytetar. Nuk kanë influencuar debatet politike, sepse duhen ndarë debatet politike nga çështjet politike, me një komunikim njerëzor. Këto nuk kanë influencuar, madje ka qenë e domosdoshme që Kryetari i Grupit në çdo lloj rrethane të kishte kontakte pune. Ju e dini që ka çështje mjaft delikate në arenën ndërkombëtare dhe ruhet diplomacia kur ikin, por kjo nuk ishte një çështje diplomatike, sepse bëhet fjalë për marrëdhënie midis dy njerëzve të cilët janë njohur përpara se të merreshin me politikë. Unë e kam njohur z. Moisiu edhe më parë, gjithsesi këto marrëdhënie kanë qenë të formatuara në marrëdhëniet midis Institucionit të Presidentit dhe të Kryetarit të Grupit.

Gazetari: Ka patur komente për stafin tuaj që ju përzgjodhët kur u bëtë President. Keni mbajtur një pjesë nga stafi i vjetër, keni marë ish-personel të ish-kryeministrit Nano, por ndryshe nga ç’jemi mësuar nga stafet paraardhëse të kryetarëve të shtetit, në listën e bashkëpunëtorëve tuaj të afërt mungon dikush që mund të cilësohej si “ambasador i Kryeministrit”.

Presidenti Topi: Unë besoj që stafi i Presidencës duhet të jetë me disa cilësi të veçanta mjaft specifike për Institucionin. Së pari, kjo administratë duhet të jetë përfaqësuese, jo thjesht nga pikëpamja e prejardhjeve gjeografike, por edhe kjo është marrë në konsideratë, pra të ketë përfaqësues nga e gjithë Shqipëria, sepse është Institucioni i Presidentit, por duke patur parasysh njerëz, të cilët janë cilësorë dhe sipas atyre standardeve që duhet të ketë ai Institucion. Ju bëtë një përshkrim të stafit me njerëz që vijnë nga stafet e personazheve të njohur politikë. Ka qenë një situatë e paparagjykuar, por gjithsesi duke dashur të ruaj edhe ekuilibrat e kërkuar politikë, duke dashur të demonstroj që nuk ka asnjë lloj paragjykimi, sepse në punën e këshilltarëve duhet të mbizotërojë totalisht profesionalizmi dhe duhet patjetër që të jenë të shkëputur nga ajo atmosferë politike, së cilës ata i kanë shërbyer. Por sigurisht që njerëzit që janë zgjedhur janë njerëz mjaft cilësorë. Pa dashur të përmend emra, janë njerëz, të cilët në njëfarë mënyre janë vlerësuar mjaft pozitivisht së pari nga njerëzit intelektualë, por besoj edhe nga të gjithë krahët e politikës.

Gazetari: Në momentet e para të zgjedhjes si President, po ju citoj, keni thënë se “lidhja juaj shpirtërore me Selinë Blu do të vazhdojë”. Megjithatë shumë prej personave, apo deputetëve që ju mbështetën në nivel personal, e theksoj personal, në garën tuaj për president, duken sikur tani gjenden pa mbështetjen tuaj brenda PD-së.

President Topi: Së pari, lidhja shpirtërore natyrisht gjithmonë memorizohet. Për çfarëdolloj lidhjesh, edhe lidhjet shpirtërore janë shumëdimensionale, por është thënë në sensin që asnjëherë njeriu nuk duhet të harrojë retrospektivën, rrugën në të cilën ai ka shkelur. Kjo nuk do të thotë që ajo do të influencojë në vendimmarrjet e mia si President. Kjo është e qartë dhe ne folëm gjatë për këtë dhe mendoj që e konsumuam si temë. Por të thuash që njeriu do të ruajë lidhjet me kolegët, do të ruajë lidhjet pikërisht me ata kolegë që njeh prej gati dy dekadash, me njerëz me të cilët ka krijuar edhe lidhje të karakterit shoqëror. Ndërsa për sa i përket asaj që ju thoni për njerëz, të cilët kanë dhënë një mbështetje, unë sigurisht e konsideroj mbështetjen nga i gjithë formacioni. Por natyrisht në atë sfidë të vështirë, në atë garë të vështirë, unë sigurisht jam mjaft i ndjeshëm ndaj atyre kolegëve të mij, të cilët më kanë mbështetur me një motivim të veçantë. Dhe njeriu është në gjendje që të bëjë dallimin në këtë sens. Ata asnjëherë nuk janë jashtë vëmendjes, sikurse u shpreh. Mund t’ju siguroj që ndonëse unë jam mjaft i zënë me punë, gjej kohë t’i takoj, të qëndroj ndoshta edhe gjatë me ta, sepse tek e fundit janë pjesë e investimit politik, i cili më çoi në Presidencë.

Gazetari: Z. Topi, ikja juaj nga PD-ja, a prishi një ekuilibër të brendshëm të vendosur në heshtje aty brenda midis, të themi jo poleve, por midis fuqive të ndryshme politke individuale brenda Selisë Blu?

Presidenti Topi: Ndoshta. Ndoshta dhe besoj që Partia Demokratike si subjekt i rëndësishëm politik, falë edhe eksperiencës duhet ta rigjejë ekuilibrin e brendshëm dhe unë jam i bindur që do ta rigjejë, sepse mua më intereson sot, të them jo vetëm në Partinë Demokratike, por edhe për partitë e tjera politike, që duhet të gjejnë rrugët e komunikimit e të bashkëpunimit. Por nuk është në detyrimin tim që të frymëzoj rrugë komunikimi të brendshëm, sepse janë ligje dhe rregulla që janë brenda partive politike. Por kam motivimin që gjithmonë të shoh harmoni në funksion të misionit politik. Unë dëshiroj që të ketë patjetër edhe një debat të fortë politik midis partive që janë në opozitë dhe në mazhorancë. Rregulli i demokracisë është i tillë kudo në botë. Edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që kanë mbi dyqind vjet demokraci, debati politik është i fortë, është i ashpër.

Gazetari: Z. Topi, jeni pesëdhjetë vjeç. U zgjodhët President këtë vit. Të themi, le t’i shkojmë deri në fund hipotezave politike dhe jo vetëm, pas një mandati të parë, apo qoftë pas një mandati të dytë, do të jeni gjashtëdhjetë vjeç, pra do të jeni sërish një politikan ende shumë aktiv dhe i fortë. Mendon Bamir Topi që një ditë t’i rikthehet sërish politikës aktive pas një, apo dy mandateve si President?

Presidenti Topi: S’është çudi!

Gazetari: Pra ju nuk e përjashtoni?

Presidenti Topi: Sigurisht!

Gazetari: Atëherë unë do të doja t’ju bëja pyetjet e fundit para mbylljes së kësaj interviste të drejpërdrejtë këtu nga Pallati i Brigadave. Shumë shkurt, nëse do të më përgjigjeni, ku do të ndryshojë Presidenti Topi nga Presidenti Moisiu?

Presidenti Topi: Sigurisht unë nuk eci me referenca. Secili ka modelin e tij dhe modeli më i mirë është ajo që ka të bëjë me kornizën ligjore që i jep hapësirë në ushtrimin e kompetencave, e para. E dyta, mendoj që Zyra e Presidentit duhet të jetë një zyrë e hapur, duhet të jetë një zyrë ku të ketë dinamizëm dhe Presidenti është mirë që të marrë kontakte me qytetarët aty ku ata jetojnë. Dhe natyrisht duhen shfrytëzuar festat, duhen shfrytëzuar takimet, duke marrë në konsideratë të gjitha strukturat dhe besoj që ky duhet të jetë misioni i natyrshëm i Presidentit, i cili duhet të injektojë një klimë harmonie shoqërore, por natyrisht jo duke i lëmuar gjërat, duke i mbuluar, por duke nxitur që gjërat të jenë transparente dhe kuptohet, të jenë predipozita që shoqëria shqiptare të ecë, të begatohet.

Gazetari:Z. President, sa është ndierë pesha e postit tuaj në jetën tuaj personale, në jetën familjare?

Presidenti Topi: Sigurisht që ka ndryshuar, ka ndryshuar shumë. Ka ndryshuar shumë dhe këtë fakt e konstatoj jo pa keqardhje. Unë kam qenë përgjithësisht një njeri i lirë, i futur shumë në ambjente shoqërore, natyrisht duke mos lënë mbrapa realizimin e angazhimeve. Pra kjo të frenon në njëfarë mënyre, të fut në një rrjedhë tjetër që njeriu tek e fundit duhet ta përballojë, sepse askush nuk të ka çuar me zor në atë pozicion.

Gazetari: Presidenti i Republikës, tiranas autokton. Ndoshta pas shumë kohësh, në historinë e një shteti që është dominuar në historinë e tij me rotacione pushtetarësh nga Veriu dhe nga Jugu. Çfarë domethënie ka kjo për ju?

Presidenti Topi: Kjo besoj nuk ka të bëjë me ndonjë perceptim të veçantë. Por besoj që përderisa po flasim vazhdimisht në mënyrë shumë frekuente për ekuilibër dhe për ekuilibra të natyrshëm, me sa duket ky ekuilibër i natyrshëm ka ardhur krejt natyrshëm.

Gazetari: Jeni tiranasi i parë ndoshta pas vitit 1974, vit kur atëherë ra zv/kryeministri i kohës, Balluku, që ngjitet kaq lart në pushtet, madje në postin më të lartë. Çfarë duhet të presin tiranasit e frustruar nga shndërrimi i qytetit të tyre të dashur në një metropol kombëtar të të gjithë krahinave? Çfarë duhet të presin tiranasit nga Presidenti i tyre tiranas?

Presidenti Topi: Së pari do të thoja që Tiranës shumë pak identitet i ka mbetur. Këtë e them me keqardhje. Dhe me këtë lloj tendence për të betonizuar qytetin, kam frikë se do të mbesë vetëm aksi administrativ i bulevardit dhe fatmirësisht Mali i Dajtit, të cilit nuk kanë se çfarë t’i bëjnë.

Gazetari: Se Malin nuk e hedhin dot!

Presidenti Topi: Sepse po të kishin mundësi edhe atë do ta kishin copëtuar. Kështu që nga kjo pikëpamje, ajo që mund t’i ofrohet sot këtij qyteti është pikërisht ridimensionimi i infrastrukturës. Pra infrastruktura e viteve ’30-të bën që Tirana sot të përballojë fluksin e makinave të vitit 2007, ku detyrimisht qoftë pushteti qendror, qoftë pushteti vendor duhet të mendojnë të hapin rrugë të reja, hapësira të reja, të krijojnë një lloj frymëmarrje për qytetin. Dhe e dyta pastaj ka të bëjë me zhvillimin harmonik të qytetit. Më shumë nuk mund të them për këtë temë që është shumë specifike, për të cilën mund të diskutonim me orë të tëra, por do të thoja që janë dy elementë shumë të rëndësishëm. Pra, elementi më i rëndësishëm është harmonia midis shtresave të ndryshme në qytet ku natyrisht sot, për fat të keq, vihen re diferenca të ndjeshme të atyre që sot jetojnë në qendër me ata që jetojnë në periferi.

Gazetari: Dhe pyetja ime e fundit. Z. Topi sa realisht ndjeheni President i Republikës?

Presidenti Topi: Po besoj që aq sa ju e morët në konsideratë për të bërë këtë bisedë të gjatë me Presidentin e Republikës!

Gazetari: Në vend të fjalëve të mia mbyllëse, do të doja t’ju lexoja një e-mail që ka ardhur nga Shtetet e Bashkuara për ju, një nga disa dhjetëra e-mail-e. “Punë të mbarë z. President, Presidenti ynë dhe Presidenti i të gjithë shqiptarëve! Ju, z. President keni shansin që të përfaqësoni të parin President në të gjithë kohërat e historisë së Shqipërisë si President i të gjithëve: i të pasurve e të varfërve, i të majtëve dhe i të djathtëve, i të ndershmëve dhe i të korruptuarve, i të akuzuarve dhe i të shfajësuarve. Por a do jeni ju njeriu që të gjithë shqiptarët e kanë ëndërruar”? Kështu shkruan një shqiptar, Andis Tabaku nga Los Anxheles, Kalifornia.

Presidenti Topi Unë e falenderoj dhe mund t’i them që ndihem më shqiptar se kurrë. Kam preferuar që të qëndroj në këtë vend, të krijoj familje dhe do të uroja edhe për fëmijët e mij që të qëndronin në Shqipëri. Sepse Shqipëria padyshim që e ka të ardhmen e sigurtë, jo vetëm për shkak të pozicionit gjeografik që ka, por edhe për shkak të asaj fushe që i është hapur përpara. Dhe unë besoj që do të bëj maksimumin për të qenë faktor i harmonisë qytetare dhe për të ardhur në atë standard që ka pikërisht bashkëjetesa fetare. Nesër është dita e Fiter Bajramit, apo jo?

Gazetari: Sonte jemi në fakt në natën e Bajramit.

Presidenti Topi:Nesër është dita e Bajramit dhe unë me këtë rast dëshiroj të uroj të gjithë besimtarët myslimanë për Festën e Bajramit dhe jam i bindur që si unë, nesër këtë Festë e urojnë edhe besimtarët ortodoksë, edhe besimtarët katolikë, sepse ky është një standard mrekullisht i arritur në shekuj në Shqipëri dhe ne nuk na mbetet gjë tjetër vetëm ta përsosim këtë harmoni. Besoj se është një standard që duhet të imitohet edhe me standarde të tjera. Kështu që kemi rastin t’u urojmë edhe një herë në këtë ditë të shënuar.

Gazetari: Z. Topi, ju falenderoj që ishit sonte në Top Channel!

Presidenti Topi: Edhe unë ju falenderoj pamasë për ftesën, edhe për të vazhduar komunikimin që ne e kemi prej vitesh!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›