Intervistë ekskluzive me ish-ministrin e Mbrojtjes

Si e shihni vendimin e Prokurorisë së Përgjithshme e cila ka kërkuar heqjen e imunitetit tuaj?
Unë natyrisht do të shikoj dhe do të gjykoj rreth pretendimeve që janë ngritur. Prononcimet e mia i kam bërë publike tashmë përsa i përket hetimit. I kam dërguar një letër tashmë prokurores së përgjithshme, mendoja që duhej ta konsideronte...
Morët përgjigje?
Më falni, pra ia dërgova që t’i shërbente hetimit 20 e ca ditë më parë, ku i shpreh gatishmërinë që pavarësisht imunitetit isha i gatshëm që të deklaroja qëndrimin tim rreth ngjarjes në çdo kohë.
Mendoni se ka ndonjë lidhje mes vendimit të kryeprokurores dhe kërkesës suaj për rikthim në qeveri?
Nuk dua të bëj asnjë lloj aludimi për çështje të tilla. Normalisht, shpresoj që ata që kanë bërë kërkesën ta kenë patur mendjen tek drejtësia jo tek politika.
Thuhet se jeni takuar me kryeministrin Berisha pas publikimit të kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit, është e vërtetë?
Me kryeministrin u takova për çështje politike sepse jam parti në koalicion. E kam takuar kryeministrin edhe dje, edhe sot gjatë gjithë kohës, dhe nuk ka të bëjë me këtë çështje.
Prokuroria e Përgjithshme ju akuzon se procesi i demontimit ka ardhur si pasojë e urdhërit tuaj. Keni dhënë ju urdhër për procesin e demontimit?
Ministri është në punë për të dhënë urdhëra, ai nuk është në punë për të dredhur zinxhirin. Të gjithë ministrat japin urdhëra. Çështja është që përpilimi i këtyre urdhërave, bëhet me stafe civile dhe ushtarake. Ne rregulloren e ministrisë thuhet që përgjegjësit për përpilimin e urdhërit, për marrjen e urdhërit, janë ata që bëjnë urdhërin. Sepse ministri, pra unë, duhet të isha ushtar, kapterr, oficer, kolonel, gjeneral, jurist, kovaç, ku e di unë. I bie që unë të kisha të gjitha profesionet e botës. Pra, duhet kuptuar që ministri nuk i bën urdhërat por i jep ato. Ministri jep urdhëra mbi dokumente të cilat përgatiten nga specialistët përkatës.
Një ndër akuzat e tjera ishte edhe ajo e anashkalimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Qëndron kjo akuzë sipas jush?
Nëse nuk gjejnë firma të Shtabit të Përgjithshëm, atëhere është anashkaluar. Po ti gjejnë ato, domethënë që nuk është anashkaluar.