E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kush firmosi në vend të boss-it të SAC?

Është provuar nga organi i akuzës, se Patrick Henry III kishte ikur para Krishtlindjeve në atdheun e tij, dhe se më 28 dhjetor ai nuk ka qenë në Shqipëri për të firmosur kontratën e dytë mes kompanisë së tij dhe Meico-s

TIRANË - Hetimet e deritanishme lidhur me ligjshmërinë e procesit të demontimit të municioneve në Gërdec, kanë nxjerrë në pah të dhëna të tjera që implikojnë drejtuesit e ndërmarrjes “Meico” dhe zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes. Bëhet fjalë për kontratën e dytë që ndërmarrja shtetërore e import-eksportit të materialeve ushtarake kishte me kompaninë amerikane “SAC”, për demontimin e predhave të kalibrit të madh, që nisnin nga 20 deri në 152 mm. Prokuroria pasi ka administruar në cilësinë e provës kontratën e shumëpërfolur për ligjshmërinë e saj, ka nisur nga puna për verifikimin e firmës që ndodhet në anën e djathtë të fletës, aty ku shënohet emri i administratorit të “SAC”, Patrick Henry III, i cili vazhdimisht ka deklaruar se nuk kishte një kontratë të dytë me “Meico”-n. Në vazhdën e këtyre deklaratave, prokuroria ka bërë verifikimet e nevojshme, nga të cilat rezulton se Patrick Henry nuk ka gënjyer, të paktën kur deklaroi se më datë 28 dhjetor nuk ka qenë në Shqipëri. Sipas prokurorisë, bëhet me dije se nga verifikimet e kryera në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Rinasit dhe në pikat e tjera të kalimit kufitar, nëpërmjet sistemit TIMS rezulton se Patrick Henry III ka dalë nga Shqipëria para datës 25 dhjetor, d.m.th para festës së Krishtlindjeve. Një gjë të tillë e ka deklaruar edhe vetë Henry, i cili në deklarimet e dhëna për FBI-në, të cilat u përcollën nga mediat botërore dhe ato shqiptare, ka deklaruar se ai dhe ekspertët amerikanë që punonin në fabrikën e Gërdecit, e kanë përfunduar punën në datën 8 dhjetor. Në të njëjtat deklarime, Patrick Henry bën me dije se festat e fundvitit i ka kaluar në vendin e tij, në shtëpinë e tij në Karolinën e Jugut. Këto deklarime janë verifikuar menjëherë nga grupi hetimor, i cili konkludoi se pronari i “SAC” nuk ka qenë në Shqipëri kur është nënshkruar kontrata e dytë, duke hedhur kështu dyshime për falsifikimin e firmës së tij. Por, nëse Patrick Henry nuk ka qenë në Shqipëri, kush e firmosi kontratën për demontimin e predhave të vdekjes? Kësaj pyetjeje pritet që grupi hetimor t’i përgjigjet në ditët në vijim, kur kaligrafia e firmës që ndodhet në kontratën e dytë do t’i nënshtrohet një ekspertize në laboratorin kriminalistik, dhe më pas rezultatet do të krahasohen me ato që do të dalin nga ekspertimi i kaligrafisë së personave që prokuroria dyshon se mund të kenë bërë këtë falsifikim. Paligjshmëria e kontratës së dytë mbështetet edhe nga dëshmi që grupi hetimor ka marrë në protokollin dhe arkivën e Ministrisë së Mbrojtjes, ku sipas kryearkivistes, kjo kontratë ka qenë e paprotokolluar deri në datën 16 mars, ditë në të cilën Ylli Pinari ka nxituar ta regjistrojë si të ligjshme. Faktet dhe dëshmitë rreth kësaj çështjeje po analizohen nga prokuroria, e cila pasi të arrijë në konkluzione përfundimtare do të ngrejë edhe akuzën e falsifikimit ndaj personave përgjegjës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›