Inva Mula, recital në skenën spanjolle
12/01/2010 Iu desh që kontratën e bërë me operën e Ovideos ta anulonte dhe të hiqte dorë nga interpretimi i rolit të Mimit në skenën spanjolle. Atëherë, sopranoja shqiptare Inva Mula zgjodhi operën e San Franciskos dhe “Elisir d’amore”. Por tanimë ajo i kthehet skenës së “Campoamor” me një recital, ashtu siç kishte premtuar. Sipas medias spanjolle, debutimi në këtë teatër i sopranos Mula është vendosur të jetë më 27 janar. Bëhet e ditur edhe se repertori me të cilin Mula do të ngjitet në skenë do të përfshijë edhe disa arie nga Mimi, “La Boheme”. Ajo çka është për t’u nënvizuar është se Inva Mula do të shoqërohet në këtë recital nga një tjetër shqiptar: pianisti Genc Tukiçi me të cilin ajo ka interpretuar edhe në koncertin e organizuar për nder të të atit, Avni Mula, në përvjetorin e lindjes së tij. Ariet e përzgjedhura do të jenë kryesisht të qeta. “Me Mulën, Campoamor do të pasurohet me artin e një sopranoje me një karrierë të gjatë ndërkombëtare, me suksese të shumta, një ndër të cilat është edhe interpretimi i aries së divës në filmin e Bruce Willis ‘Elementi i pest뒔, cilëson shtypi. Dy ditë pas këtij koncerti lirik pritet që muzikologu Alejandro González Villabrille të mbajë një konferencë në lidhje me këtë interpretim të sopranos shqiptare në Oviedo.