Taktika e drejtorit të Gërdecit “Punësova 16 të mitur në fabrikë”
12/01/2010 Pohimi ndoshta për t’ iu shmangur akuzave të rënda. Prokuroria paraqet provë të re
TIRANË- “Unë kam punësuar në fabrikën e Gërdecit 16 të mitur. Pranoj se kam gabuar dhe në momentin që kam bërë punësimin kam marrë edhe riskun përsipër”. Ky është deklarimi i bërë dje në seancë gjyqësore nga i pandehuri Dritan Minxholli, ish-drejtori i fabrikës së Gërdecit, i cili vazhdon të mbajë të njëjtën taktikë, duke pranuar fajin e punësimit të të miturve, siç duket me synim për t’iu shmangur ndonjë akuze tjetër. Ai është i vetmi së bashku me Sokol Ngjeçin që paraqiten në sallën e gjyqit. Minxholli i tha gjykatës se ka punësuar fëmijët, por me kërkesë të prindërve duke marrë parasysh gjendjen financiare. Më tej ai shtoi se punësimi i këtyre fëmijëve të mitur është bërë për periudha sezonale dhe asnjëherë nuk kanë punuar në sektorë të vështirë, por në vende pune ndihmëse, atje ku nuk u rrezikohej jeta. Në deklarimin e tij të djeshëm Dritan Minxholli pranoi se ka shkelur ligjin, por gjithçka e ka bërë për qëllime humanitare duke marrë edhe përgjegjësitë për këtë punësim. Më tej ai shtoi se të gjithë fëmijët e mitur të punësuar, megjithëse bënin punë ndihmëse paguheshin me pagë të plotë dhe asnjë prej tyre nuk ka qenë në demontim. Dritan Minxholli në deklarimin e tij i tha gjykatës se disa prej dëshmitarëve janë përpunuar nga akuza dhe po përdoren politikisht dhe mediatikisht. Seanca e parë për vitin 2010 në ngarkim të 28 të pandehurve akuzuar për tragjedinë e Gërdecit, ka sjellë të reja. Prokuroria në mes të seancës gjyqësore pikërisht atëherë kur janë duke u marr provat e paraqitura prej saj, deklaroi se ka në dorë një provë të re. Tre ditë më parë një prej togerëve të ushtrisë ka zbuluar në vendin ku ndodhej shtëpia e Qemal Deliut, (një prej punonjësve tashmë të vdekur nga shpërthimi i 15 marsit 2008), mbetje të një saldatriçeje. Ky material pasi është gjetur, është verifikuar dhe më pas paraqitur pranë organit të akuzës. Reagimi i gjykatës pasi ka lexuar kërkesën ishte jo vendimtar. Sipas treshes gjyqësore të drejtuar nga Ridvan Hado, Prokuroria duhet të plotësojë kërkesën dhe më pas duhet ta paraqes në seancën e radhës. Ndërsa më tej akuza i kërkoi gjykatës që ta lejonte Prokurorinë të caktonte një grup ekspertësh për të vërtetuar nëse mbetjet e saldatriçes së gjetur ishin përdorur për herë të fundit apo jo. Po dje në seancën e radhës kanë dhënë dëshminë e tyre edhe dy minorenë të punësuar në fabrikën e Gërdecit me firmën e Dritan Minxhollit. Eglon Leti, aktualisht 19 vjeç dhe Lulëzim Murati. Në momentin e shpërthimit ka qenë 17 vjeç. Dëshmitari i parë u shpreh se është punësuar në fabrikë pasi ishte në gjendje të vështirë ekonomike. Ai i tha gjykatës se ka punuar në demontim duke shtuar se kushtet e sigurisë nuk kanë qenë asnjëherë të pranishme.
Gjetja e saldatriçes, paraqitet provë e re
Prokuroria sjell në gjykatë një provë të re, për të vërtetuar shkakun e tragjedisë së datës 15 mars 2008. Kjo provë ka të bëjë me gjetjen e një saldatriçeje në shtëpinë e Qemal Deliut. Ndërkohë që prova u paraqit në momentin kur nga akuza pretendohej se kishte përfunduar kjo shkallë. Prokuroria në bazë të ligjit, tha dje se ka të drejtë të paraqes prova të reja edhe në mes të hetimit gjyqësor dhe nga ana e gjykatës, pasi bëhet verifikimi vendoset për marrjen dhe futjen e saj në fashikullin e gjykimit. Seanca e parë për vitin 2010 në ngarkim të 28 të pandehurve akuzuar për tragjedinë e Gërdecit, ka sjell të reja. Tre ditë më parë një prej togerëve të ushtrisë ka zbuluar në vendin ku ndodhej shtëpia e Qemal Deliut, një prej punonjësve tashmë të vdekur nga shpërthimi i 15 marsit 2008, mbetje të një saldatriçeje. Ky material pasi është gjetur, është verifikuar dhe më pas paraqitur pranë organit të akuzës. Ndërkohë kjo e fundit me anë të një kërkese të bërë dje në seancë gjyqësore, i kërkoi trupit gjykues që prova e paraqitur të regjistrohej në dosjen e gjykimit dhe të shërbente për zbardhjen e së vërtetës. Reagimi i gjykatës, pasi ka lexuar kërkesën, ishte jo vendimtar. Sipas treshes gjyqësore të drejtuar nga Ridvan Hado, Prokuroria duhet të plotësojë kërkesën dhe më pas duhet ta paraqes në seancën e radhës. Ndërsa më tej akuza i kërkoi gjykatës që ta lejonte Prokurorinë të caktonte një grup ekspertësh për të vërtetuar nëse mbetjet e saldatriçes së gjetur ishin përdorur për herë të fundit apo jo.
Dëshmia e Egnon Detit
Kam punuar në fabrikën e Gërdecit nga data 13 qershor i vitit 2007 deri më 6 dhjetor të po këtij viti. U paraqita tek drejtori i fabrikës Dritan Mixolli, i kërkova puna dhe ai pranoi. Kam punuar në sektorin e demontimit të fishekëve dhe më pas kam punuar tek paketimi i barutit. Tek demontimi i fishekëve isha turni i parë, ndërsa tek paketimi i barutit isha turni i dytë. Nuk kam nënshkruar ndonjë dokument ose kontratë pune. Kur punoja tek sektori i demontimit të fishekëve pagesa ishte në varësi të normës ditore, të cilën kishte raste që e përmbushja, por edhe raste që nuk e arrija dot. Ndërsa paketimi i fishekëve ka pasur një pagë fikse, e cila ishte 10 mijë lekë. Vetëm ditën e parë të punës na është shpjeguar nga Dritan Mixolli procesi i punës që do të kryenim, por nuk na janë treguar rregullat e punës. E vetmja gjë që na thoshin ishte të bënim kujdes me zjarret.
Dëshmia e Lulzim Muratit
Unë kam qenë i vetmi nga familja ime që punoja në fabrikën e Gërdecit. Kam nisur punë më 13 qershor të vitit 2007 dhe jam larguar pas gjashtë muajsh. Shkova dhe i kërkova Dritan Mixollit që të më punësonte, dhe ai pranoi. Dritan Mixolli më ka kërkuar një certifikatë, pasi unë atëherë isha vetëm 14 vjeç. Unë punoja në sektorin e paketimit të barutit dhe isha turni i dytë nga ora 15:00 e drekës deri në orë 23:00 të natës. Paga ishte 10 mijë lekë në ditë, dhe nuk ishte me normë por fikse. Kam firmosur një kontratë pune dhe merresha me paketimin e barutit. Baruti vinte nga makineritë dhe unë e merrja nga kova dhe e paketoja më pas. Ky barut nxirrej nga predhat dhe e sillnin tek sektori i paketimit me kova. Ka pasur rregulla në punë dhe na janë treguar nga përgjegjësi Vangjeli.