Prifti: Përmbytjet, situata drejt përmirësimit
12/01/2010 Ministri i Energjetikës u prit nga Presidenti i Republikës, Topi
Kreu i shtetit vijon konsultimet me ekspertë të fushës hidrike
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, ka siguruar dje se situata e krijuar në Veri të vendit nga reshjet e shumta të shiut po shkon drejt përmirësimit. Ai u prit dje nga Presidenti i Republikës Bamir Topi, i cili e mbajti këtë takim pune në vijim të disa takimeve dhe konsultimeve intensive që ai po zhvillon me drejtues institucionesh, ekspertë dhe profesionistë të ndryshëm të fushës hidrike. Në takim bashkëbiseduesit u fokusuan në situatën e përmbytjeve në Veriperëndim të vendit të shkaktuar nga reshjet dhe nga derdhjet e kontrolluara të ujërave të liqeneve në kaskadën e lumit Drin. Fillimisht ministri Prifti e informoi në mënyrë të detajuar kreun e shtetit shqiptar për gjendjen e tre ujëmbledhësve të hidrocentraleve në kaskadën e lumit Drin si dhe me monitorimin e vazhdueshëm të nivelit të ujit, prurjeve dhe shkarkimeve nga specialistët hidrikë. Nga ana e tij, sipas njoftimit të Presidencës, Presidenti Topi, pasi u njoh fillimisht me hollësi rreth situatës më të fundit, përsëriti rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit ndërinstitucional dhe frymës së solidaritetit nëpërmjet një organizimi më kompleks, në mënyrë që të dilet sa më shpejt nga kjo situatë e vështirë dhe të minimizohen dëmet në maksimum për t’iu rikthyer normalitetit. Për këtë çështje dy ditë më parë Presidenti Topi priti ekspertin e njohur të hidrocentraleve dhe digave, njëkohësisht kryetar i Komitetit të Digave të Mëdha, prof. Farudin Hoxhën. Ai ishte i pari që e siguroi numrin një të shtetit shqiptar për situatën. “Dua t’i transmetoj gjithë popullit që të jenë të sigurt se nuk do të ndodhë absolutisht asgjë, se kaskada e Drinit është e sigurt dhe do të rrijë ashtu siç ka ndenjur deri më sot”, - tha ai duke hedhur poshtë të gjitha deklaratat që mund të përhapnin panik te qytetarët shqiptarë. Hoxha uroi që kjo që ndodhi të kalojë sa më shpejt, pa asnjë viktimë, me humbjet minimale të mundshme dhe me një solidaritet të plotë të popullit shqiptar, të cilin sipas tij prej kohësh ka filluar ta shfaqë dhe ta tregojë.
Ndihmat
Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë në përgjigje të situatës dramatike të krijuar nga përmbytjet e ditëve të fundit në zonën e Shkodrës, nën kujdesin e Kryepeshkopit Anastas dhuroi dje 5 tonë ndihma. Ato përmbajnë ushqime, veshmbathje, shtresa etj. Dorëzimi i tyre u bë në magazinat e krijuara nga Shtabi i Emergjencës në shkollën e mesme industriale.