Inva në Pekin, për Shën Valentin
Duke filluar që nga 13 shkurti i këtij viti, gjegjësisht për nder të Vitit të Ri kinez dhe Ditës së Shën Valentinit, Teatri Kombëtar i Operës së Kinës së Madhe ka vënë në skenën e Qendrës së Arteve në Pekin operën ‘La Traviata’.
Ky inskenim i një versioni gjerman të operës, e drejtuar nga Henning Brockhaus, do të zgjas deri më 17 shkurt. Gjatë këtij sezoni të ri në Pekin do të interpretojnë muzicientë të njohur nga gjithë bota, përfshirë baritonin e famshëm, Juan Pons, dhe sopranon shqiptare, Inva Mula.
Përndryshe, siç ka deklaruar edhe vetë Inva Mula, ‘La Traviata’ është vepra që ajo e ka luajtur më së shumti gjatë karrierës së saj 30-vjeçare.
Në mesin e shumë interpretimeve të operës ‘La Traviata’ nëpër botë, vlen të përmenden ato në disa nga qytetet e njohura, si Tokio, Bilbao, Orange, Trieste dhe Toronto.