E Shtunë, 31 Tetor 2026

Invalidi: Ksera më kërcënoi se do të më heqë statusin

TIRANE- Takimi konsultativ për reformën në lidhje me personat me aftësi të kufizuar, organizuar nga ministri i Punës Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera është bojkotuar nga Këshilli Kombëtar i Organizatave të Personave me Aftësi të Kufizuara. 

Ndërkohë, ai është shoqëruar me debate të forta mes ministrit dhe përfaqësuesve të tjerë pjesëmarrës. Në një letër të hapur, e cila ka mbërritur në redaksinë tonë, Ali Plaka i cili gëzon statusin e paraplegjikut, bën të ditur se në takim është kërcënuar hapur nga ministri Ksera.
 
“Sot me ministrin Ksera si paraplegjik kam debatuar dhe jam ndeshur dhëmbë për dhëmbë. Debati ishte aq i fortë, sa i nderuari Ministër e humbi toruan. Pas debateve të forta, z. Ksera më kërcënoi se do të hiqte statusin e paraplegjikut sepse unë nuk e meritoja atë dhe se “vazhdon ta kesh se më do qejfi mua ta lë”. 

Është për të ardhur keq për zotin Ksera që lëshoi akuza dhe kërcënime në drejtim të kryetarit të Këshillit Kombëtar të Personave me Aftësi të Kufizuar, Dr. Av. Sinan Tafaj. Ai deklaroi se, nuk do të lejonte atë të bënte si ka bërë deri më sot. Unë i thashë z. Ksera se po gënjen, se ti asnjëherë nuk ke bërë atë që ke thënë, se ti vetëm po na sulmon duke na shkatërruar jetët tona, duke na hequr thërrimet e bukës”, - shkruan Plaka në letër.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›