E Martë, 3 Nëntor 2026

Kalojnë ndryshimet e basteve sportive, ja çfarë synohet!

Pa ndonjë debat në seancën plenare, por më shumë përplasje në seancat e komisioneve kuvendore, ndryshimet e kërkuara në ligjin për lojrat e fatit, janë gati të botohen në Fletoren Zyrtare dhe 15 ditë pas këtij afati të hyjnë në fuqi. 

72 deputete të maxhorancës votuan projektligjin, me ndryshimet e propozuara dhe amendamentet përkatëse për këtë projektligj.

Sikurse është bërë e njohur edhe nga RTSH, qëllimi kryesor i ligjit, të miratuar tashmë, është rikthimi i kategorisë së Basteve Sportive, por  vetëm në formën Online. 

Qeveria kërkoi formalizimin e tregut të lojërave të fatit për këtë kategori loje, duke licencuar subjekte, të cilat kanë eksperiencë në ushtrimin e aktivitetit baste sportive.

Tashmë, është e garantuar se, të ardhurat e mbledhura nga aktiviteti i basteve sportive online, do të financojnë mbështetejen direkte në fushën e sportit, kulturës, inovacionit dhe teknologjisë së inovacionit, por dhe financimin e programeve të mbrojtjes së lojtarit.

Deri në vitin 2018 kanë ushtruar veprimtarinë në kategorinë e “Basteve Sportive” tre kompani, me 4214 njësi në të gjithë teritorin e vendit, duke punësuar 6700 punonjës.  Kompanitë ishin licencuar për një afat 10 vjeçar në këtë kategori loje. 

Edhe pse aktiviteti i Basteve Sportive u ndalua me ligj, ky aktivitet u kanalizua të ushtrohej në të zezë. 

Deputetët e maxhorancës kërkuan dhe miratuan edhe ndryshime që lidhen me rishikimin e mënyrës së licensimit, kritere më të forta për organizatorët e lojrave të fatit, sigurim të platformave online të sigurta, kryerjen e pagesave vetëm nëpërmjet agjentëve financiare; sigurimin e mbrojtjes së lojtarit,  etj. 

Ky ndryshim ligjor shoqërohet dhe me efekte finaciare të cilat janë rrjedhim i taksimit të organizatorëve dhe lojtarit. 

Sakaq Qeveria duhet të hartojë e miratojë brenda 6 muajve aktet nënligjore në zbatim të ndryshimeve ligjore të lojrave të fatit.

Gazetar Bardhi Sjedarasi

/ rtsh.al /

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›