Investimet e huaja direkte rriten 50%, 1,14 miliardë euro në 6 muaj

TIRANË, 10 shtator/ATSH/ Investimet e huaja direkte në vend kanë shënuar një rritje të fortë në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, duke arritur vlera e përgjithshme në 1,144 miliardë euro, ose 50% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë për bilancin e pagesave tregojnë se vetëm gjatë tremujorit të dytë, flukset e investimeve të huaja direkte arritën në 741 milionë euro, duke u rritur me 86% në raport me të njëjtin tremujor të vitit 2025.
Rritja e investimeve të huaja direkte përbën një sinjal pozitiv për ekonominë shqiptare, duke reflektuar zgjerimin e flukseve të kapitalit të huaj dhe interesin në rritje të investitorëve jorezidentë për tregun shqiptar.
Një peshë të rëndësishme në këto investime vijon ta mbajë sektori i pasurive të paluajtshme, i cili vitet e fundit është kthyer në një prej destinacioneve kryesore të kapitalit të huaj.
Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2025 stoku i investimeve të huaja në pasuritë e paluajtshme arriti në 2,63 miliardë euro, me një rritje prej 29% krahasuar me një vit më parë.
Në dekadën e fundit, stoku i investimeve të huaja në pasuritë e paluajtshme është rritur ndjeshëm, duke dëshmuar zgjerimin e interesit të investitorëve të huaj në tregun shqiptar, veçanërisht në zonat me potencial të lartë turistik dhe ekonomik.
Edhe në vitin 2026, pasuritë e paluajtshme vijojnë të kryesojnë strukturën e investimeve të huaja direkte për të pestin vit radhazi.
Investimet e huaja direkte kanë një rëndësi të veçantë për ekonominë, pasi sjellin kapital, mbështesin aktivitetin e biznesit, krijojnë mundësi për zhvillimin e sektorëve të ndryshëm dhe kontribuojnë në forcimin e hyrjeve valutore.
Ato luajnë gjithashtu një rol të rëndësishëm në bilancin e pagesave, duke ndihmuar në kompensimin e deficitit të llogarisë korrente dhe në financimin e nevojave të ekonomisë për valutë të huaj.
Performanca e gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, me rritje 50% të investimeve të huaja direkte, tregon për një intensifikim të ndjeshëm të flukseve të kapitalit të huaj drejt Shqipërisë dhe një interes në rritje për investime në ekonominë vendase.
/e.xh/r.e/