Investimet ne rruge debate ne komisionin e Ekonomise
Investimet në rrugë për vitin 2013 shkaktuan debate në komisionin e Ekonomisë për cështjen e borxheve, që qeveria u ka kompanive të ndërtimit. Zëvendësministri i Transportit, Ernet Noka u sqaroi deputetëve të Partisë Socialiste se detyrimet janë për punimet shtesë që kompanitë kanë kryer dhe për të cilat dikasteri i transportit nuk ka informacion. Sipas tij, çdo financim me fondet e përcaktuara në buxhetet përkatës është kryer. Nga ana tjetër, deputetët e opozitës deklaruan se akset, për të cilat nuk janë paguar të gjitha fondet, janë përuruar tashmë nga qeveria. Gjatë diskutimeve në komision, deputetët e opozitës kërkuan arsyet e vonesave në ndërtimin e disa rrugëve, siç është bypassi i Fierit. Sipas nëndrejtorit të Rrugëve, vonesat në këtë bypass kanë ardhur për shkak të ofertave të ulëta në tenderim. Fondi për infrastrukturën në buxhetin e vitit 2013 llogaritet rreth 41 mld lekë. Me këto fonde parashikohen vazhdimi i projekteve të nisura tashmë si: rruga e Arbrit, Unaza e Madhe e Tiranës dhe ndërtimi i rrugës Kukës-Morinë.