E Enjte, 5 Nëntor 2026

Investimet në rrugë, standarde dhe cilësi për banorët e Korçës

Në Korçë nuk janë ndërprerë për asnjë moment investimet publike për një infrastrukturë të standardizuar dhe cilësi më të mirë jetese për banorët.
Dy rrugë të tjera të asfaltuara i janë shtuar mozaikut të transformimit urbanistik të qytetit, duke rritur cilësinë e jetës së banorëve.
Kryetari i bashkisë Korçë, Sotiraq Filo ndau sot pamje nga ndërhyrjet që janë kryer në 2 lagje të qytetit të cilat i kanë dhënë një tjetër standard  jetës në komunitet.
“Shumë i kënaqur për një tjetër premtim të mbajtur. Përfundoi asfaltimi i rrugëve në lagjet 5 dhe 13. Një tjetër punë e mirë, për transformimin e lagjeve në çdo cep të Korçës”, tha Filo.
Bashkia e Korçës vijon punën për rehabilitimin e hapësirave të brendshme të lagjeve. Ndërhyrjet synojnë infrastrukturë të përmirësuar dhe standarde më të mira për jetesën e komunitetit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›