Investimi në IA, një ndër objektivat kryesorë të Planit të Ri Strategjik të Kuvendit

TIRANË, 7 mars /ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Genci Gjonçaj i shoqëruar nga drejtues të tjerë të Shërbimeve të Kuvendit, mori pjesë në seminarin e ECPRD-së mbi implementimin e Inteligjencën Artificiale në proceset parlamentare, organizuar në parlamentin e Islandës (Althingi).
Në Reykjavik, parlamenti i Islandës priti një seminar të ECPRD-së me temën “Përmirësimi i Procesit Legjislativ përmes Inteligjencës Artificiale dhe Strukturës së të Dhënave”.
Ky aktivitet u fokusua në rolin e teknologjisë në transformimin e punës dhe proceseve parlamentare, duke ofruar një mundësi për shkëmbimin e praktikave më të mira në këtë drejtim midis përfaqësuesve të parlamenteve të vendeve të ndryshme të Evropës.
Gjatë këtij seminari dy ditor, ndër të tjera, u theksua fakti se IA po revolucionarizon punën në mjediset parlamentare, duke rritur eficiencën në punë, përmes zëvendësimit të punëve rutinë si dhe duke i krijuar mundësinë administratës parlamentare të fokusohet tek rritja e cilësisë dhe fokusimi në proces me natyrë më komplekse.
Investimi në drejtim të Inteligjencës Artificiale përbën një ndër objektivat më të rëndësishëm të Planit të Ri Strategjik të Kuvendit të Shqipërisë 2025-2030, duke ndjekur modele të suksesshme parlamentare në këtë drejtim si Parlamenti Evropian, ai belg, zvicerian, britanik, italian, spanjoll etj.
Mjetet e AI mund të ndihmojnë Kuvendin e Shqipërisë të përmirësojë transparencën, efikasitetin dhe gjithëpërfshirjen në procesin legjislativ, duke përmbushur kështu mandatin e tij demokratik si dhe duke rritur rolin e tij në funksion të procesit të integrimit të vendit në BE.
/r.e//a.f/