E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

PD: Dyfishim i buxhetit për arsimin dhe shkencën

TIRANË, 7 mars /ATSH/ Sot në Ditën e Mësuesit, Partia Demokratike ka ngritur shqetësimin për sistemin arsimor në Shqipëri, për të cilin thotë se ndodhet në krizë.

Lili Sula, drejtuese e departamentit të Arsimit në PD, u shpreh nga selia blu se “në këtë ditë simbolike vëmendja shkon te realiteti i zymtë me të cilin përballen çdo ditë mësuesit, te sistemi arsimor i ngërthyer nga politika, nëpërkëmbja e mësuesve dhe përdorimi i tyre vetëm për të mbushur sallat e fushatave politike, tek pagat më të ulëta në rajon, te diskriminimi dhe mohimi i të drejtave të trajtimit financiar i disa mijëra mësuesve të tjerë, te shantazhet për të votuar Rilindjen dhe për të realizuar numrin e detyruar të votuesve në diasporë”.

“Prej vitesh arsimi lëngon, ndërkohë që degët universitare që diplomojnë mësues po mbyllen njëra pas tjetrës, dhe shumë shpejt nxënësit nuk do të kenë mësues për lëndët e shkencave natyrore dhe humane, madje as për ciklin fillor”, u shpreh Sula.

Sipas Sulës “Partia Demokratike është e bindur se dinjiteti i mësuesit, reformat dhe financimi i arsimit janë prioritet”.

Sula tha se PD “do të dyfishojë buxhetin për arsimin dhe shkencën”.

“Paga mesatare e mësuesit do të shkojë rreth 1300 euro/muaj dhe ajo e pedagogut rreth 2000 euro/muaj”, u shpreh Sula.

“Brenda dy viteve të para të qeverisjes sigurohet infrastruktura digjitale në të gjitha shkollat dhe universitetet publike. Garantojmë zerimin e klasave kolektive dhe zbutjen e shpejtë të pabarazisë dhe diskriminimit të nxënësve dhe studentëve të zonave më të rrezikuara nga shpopullimi”, tha më tej Sula.

Sula shtoi se “garantojmë Statusin ligjor dhe ekonomik të Mësuesit, të marrëdhënieve të punës dhe zhvillimit të karrierës. Sigurojmë një Strategji tërësore të Trajnimit të Vazhduar të Mësuesit që do të ofrohet pa pagesë”.

“Garantojmë vlerësimin dhe shpërblimin e arritjeve në mësimdhënie të mësuesve përmes Bonusit Financiar të Performancës – një fond i decentralizuar”, u shpreh Sula.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›