E Diel, 1 Nëntor 2026

Investimi zviceran bën katër fshatra me ujë të pijes

Qeveria e Zvicrës ka vazhduar aktivitetin e saj humanitar në rajonin e Gjilanit, duke u bërë kështu promotori kryesor i investimeve në ujësjellës. Me ndihmën helvetike, të enjten zyrtarisht u bën me ujë të prijës katër fshatra që shtrihen rrëzë maleve të Karadakut.

Mbi 1 000 familje të fshatrave Zhegër, Nasalë, Lladovë dhe Budrigë e Ulët u bën me ujë të pijes, nga një investim i përbashkët i Qeverisë së Zvicrës, Qeverisë së Kosovës dhe Komunës së Gjilanit.

Vlera e projektit arrin në mbi 400 mijë euro, ndërsa shumica ishte ndihmë nga Zvicra.

Në ceremoninë e inaugurimit që u mbajt në Zhegër, ishte i pranishëm edhe kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa, ambasadorja e Zvicrës në Prishtinë, Christina Marty, dhe Ramadan Asllani nga MEZH.

“Qeveria e Zvicrës është e pranishme që nga paslufta në Gjilan dhe ka ndihmuar e kontribuar shumë në infrastrukturën e ujësjellësit në tërë qytetin e Gjilanit”, tha prefekti Mustafa, raporton rajonipress. Sipas tij, Gjilani me fshatrat tashmë ka një shtrirje prej 90 për qind të rrjetit të ujit.

Mustafa u ka premtuar zhegranëve se ata shpejt do të mund të bëhen komunë, nëse me këtë çështje merret seriozisht Qeveria dhe nëse ka një studim të thuktë. “Zhegra tani me këto investime realisht është shndërruar në një qytezë e pse jo të mos bëhet edhe komunë, por paraprakisht duhet të ketë një analizë të mirë ekonomike”, tha ai.

Ambasadorja Marty, ndërkaq, u shpreh krenare që shteti i saj ka pasur mundësi të marrë pjesë në këtë investim, i cili e ndihmon jetën e banorëve të këtyre fshatrave.

Marty tha se Zvicra ka investuar në 73 fshatra të Kosovës për rregullimin e sistemit të ujit të pijshëm dhe do të vazhdojë sërish ta përkrahë këtë sektor./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›