Investitorët austriakë, interes për të zgjeruar praninë në tregun shqiptar

TIRANË, 14 nëntor/ATSH/ Investitorët austriakë shfaqin interes për të zgjeruar praninë në tregun shqiptar.
Një grup investitorësh austriakë si dhe përfaqësues të ambasadës së Austrisë në vendin tonë, u pritën në Tiranë nga drejtues të Agjencisë Kombëtare të Zhvillimit të Investimeve, Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, si dhe Tatimeve.
Drejtoresha Ekzekutive e AIDA-s, Laura Saro gjatë takimit theksoi gatishmërinë e AIDA-s për të realizuar projekt propozimet.
Gjithashtu, Saro prezantoi projektet e fundit në bashkëpunim me ministritë dhe investitorë potencialë, duke i ofruar mbështetje për zgjidhjen e problematikave të bizneseve austriake që operojnë në Shqipëri.
Ambasadorja e Austrisë në Tiranë, Monika Zach theksoi se marrëdhëniet tregtare mes Shqipërisë dhe Austrisë kanë pësuar një përmirësim të ndjeshëm.
Por megjithatë, Zach shtoi se ka hapësire që dy vendet të forcojnë më tej marrëdhëniet në disa sektorë me potencial të lartë zhvillimi.
Shkëmbimet tregtare të Shqipërisë me Austrinë llogariten 7.8 miliardë lekë gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti.
Marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Shqipërisë dhe Austrisë janë intensifikuar dukshëm gjatë viteve të fundit.
Veçanërisht sistemi bankar dhe ai i sigurimeve dominohen aktualisht nga biznese austriake. Në Shqipëri operojnë gjithsej 100 ndërmarrje me kapital austriak (përfshirë edhe ndërmarrjet me kapital të përbashkët).
Gjithashtu edhe në fushën e turizmit ka një potencial të madh zhvillimi. Numri i turistëve austriakë që vizitojnë çdo vit Shqipërinë po rritet gjithmonë e më shumë. /j.p/
1 nga 6