Investoi në vendlindje pas 11 vitesh emigracioni në Firence, Rama sjell shembullin e Ndoc Fushës

TIRANË, 31 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau sot shembullin e Ndoc Fushës, i cili pas 11 vitesh emigracion në Firence, ku ndërtoi me punë dhe pasion një biznes të suksesshëm ndërtimi, ka bërë zgjedhjen e zemrës duke u rikthyer në vendlindje.
“Në Bardhaj të Shkodrës, ai ka ngritur një restorant për evente, duke sjellë një frymë të re në shërbim dhe mikpritje, por pa harruar traditën e të parëve”, theksoi Rama në një postim në rrjetet sociale.
Ndërkohë, shtoi kreu i qeverisë, “që edhe me krijimin e shoqatës “Besa Shosh”, ai ka vënë në jetë një mision që shkon përtej biznesit, ruajtjen dhe promovimin e vlerave të Dukagjinit.
“Jashtë fitova para, por këtu fitova qetësinë. Nuk jam penduar asnjë ditë që jam kthyer”, thotë ai.
“Në vitin 1998 jam larguar për një jetë më të mirë, si një pjesë e madhe e rinisë shqiptare për të jetuar më mirë. Jam larguar në drejtim të Italisë në Firence, kam emigruar për 11 vite”, tregon Fusha.
Ai rrëfen se ka punuar në ndërtim dhe ka ngritur një firmë ndërtimi në emigrim, teksa shprehet se që kur iku u largua me mendimin për t’u kthyer.
“Me ato kontribute që ruajta gjatë viteve kam investuar këtu në fshat, një bar-restorant, i shërbej komunitetit”, thotë ai.
Ai shprehet shumë i kënaqur dhe nuk pendohet kurrë për rikthimin në vendlindje.
“Çdo njeri që largohet për një jetë më të mirë, për të bërë një ndryshim duhet të mendojë një rikthim aty nga kemi dalë, sepse Shqipëria ka nevojë për ne, se ne do ta bëjmë Shqipërinë, ne do ndihmojmë vendin tonë”, shprehet Fusha.
“Ato vite jashtë ishin vetëm vite pune dhe aktivitet, ndërsa këtu bën një jetë shumë të mirë për arsye se kur nuk të mungojnë njerëzit e tu nuk të mungon asgjë”, thotë ai.
Ndoc Fusha rrëfen se mendoi të investonte diçka dhe për traditën dhe folklorin, për trashëgiminë e kulturës veriore kryesisht, që të mos harrohen dhe të lihet diçka për brezat që t’i kujtojnë.
“Shqipëria ka ndryshuar dhe po ndryshon dhe do të garantojë jetë për shqiptarët dhe për ne në këtë vend shumë më të mirë”, thotë ai, teksa u bën thirrje të gjithë njerëzve që kanë mundësi ekonomike sado pak, të investojnë në Shqipëri. /j.p/