E Diel, 1 Nëntor 2026

Iowa do të vazhdojë të mbështesë Kosovën edhe në të ardhmen

PRISHTINË- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot në takim një delegacion të shtetit amerikan të Iowa-s, të kryesuar nga Guvernatorin i shtetit, Terry Branstad. Temë kryesore e takimit ishin zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe rajon, si dhe thellimi i bashkëpunimit në mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe shtetit të Iowa-s.

“Kosova është vend me fat që ka një shtet mik siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha kryeministri Thaçi, duke vlerësuar lartë kontributin e shtetit të Iowa-s për Kosovën, veçanërisht duke mbështetur Forcën e Sigurisë së Kosovës.

“Partneriteti mes Kosovës dhe shtetit e Iowa-s është dhe do të vazhdojë të jetë shembull i mirë i marrëdhënieve të qëndrueshme që ka ndërtuar Kosova me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Thaçi.

Ai falënderoi z. Branstad për nënshkrimin e marrëveshjes së partneritetit për binjakëzimin e shtetit të Iowa-s dhe Kosovës.

“Ky hap do të çel rrugën që përveç partneritetit shtetëror ndërmjet Forcës së Sigurisë të Kosovës dhe Gardës Kombëtare të Iowa-s, të thellojmë bashkëpunimin edhe në zhvillimin e sektorëve të tjerë, si ai i arsimit, bujqësisë, tregtisë, zhvillimit ekonomik”,tha kryeministri Thaçi.

Gjatë takimit të sotëm, Kryeministri Thaçi e njoftoi guvernatorin Branstad për arritjet e shtetit të Kosovës.

“Republika e Kosovës ka hyrë në vitin e gjashtë të shtetësisë së saj me institucione të konsoliduara demokratike, me reformat e gjithanshme që janë bërë dhe po bëhen në politikë, ekonomi dhe legjislacion, si dhe me përkushtimin e plotë institucional dhe politik për fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës”, theksoi Kryeministri Thaçi.

“Përmes refomave që janë ndërmarrë dhe që po vazhdojnë të ndërmerren, Kosova ka shënuar progres të theksuar edhe në ekonomi, duke krijuar kështu një klimë të favorshme për investime ndërkombëtare”, tha ai.

Kryeministri Thaçi ritheksoi ftesën e tij dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për të gjitha kompanitë amerikane, veçanërisht ato nga shteti i Iowa-s që të vijnë dhe të investojnë në Kosovë.

“Këto investime do të jenë të garantuara nga shteti i Kosovës”, tha kryeministri Thaçi në takimin e sotëm me Guvernatorin e Iowa-s, Terry Branstad.

Nga ana e tij, Guvernatori i shtetit të Iowa-s, Terry Branstad e siguroi kryeministrin Thaçi se shteti i Iowa-s do të vazhdojnë të mbështesë shtetin dhe popullin të Kosovës edhe në të ardhmen.

Gurvernatori Branstad gjatë takimit me Kryeministrin Thaçi shprehu gatishmërinë dhe vullnetin e institucioneve të shtetit të Iowa-s për thellimin e bashkëpunimit me institucionet e Kosovës në të gjitha sferat e interesit të përbashkët.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›