E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ipeshkëvia: Toka te Katedralja është e jona

Ipeshkëvia e Kosovës ka reaguar në lidhje me ngjarjet e fundit rreth tokës ku është duke u ndërtuar Katedralja “Nënë Tereza” në Prishtinë.

Ipeshkëvia e Kosovës, përmes një komunikate për media, ka bërë me dije se gjithnjë është përpjekur t’i bindë përfaqësuesit e Komunës së Prishtinës se çështja e Pronësisë duhet të zgjidhët sipas vendimeve të Komunës të vitin 2003, Kontratës së vitit 2007, mes Ipeshkëvisë dhe Komunës, dhe vendimit të Autoritetit të atëhershme qendror në Kosovë.

“Është për të ardhur keq se si drejtuesit e Komunës, edhe pse gjithnjë kanë premtuar, asnjëherë s’kanë vepruar që kjo çështje të zgjidhet, por kanë marrë hapa të njëanshëm për të mohuar vendimet e veta dhe obligimet që kanë marrë, në përkim me Kontratën e datës 02.02. 2007, me të cilën janë përcaktuar detyrat dhe përgjegjësitë e ndërsjella për parcelën n.7355, në të cilën duhej të ndërtohej Katedralja Nënë Tereza”, thuhet në reagimin e Ipeshkëvisë.

Ky institucion fetar ka vazhduar duke e akuzuar Komunën e Prishtinës se po manipulon me qytetarët zejtarë.

“Është për të ardhur keq, që edhe këto ditë, pikërisht në ditëlindjen e Nënë Terezës, e bënë të njëjtën gjë për vazhdimin kokëfortë të marrjes së vendimeve të njëanshme, madje edhe duke i keqinformuar anëtarët e asamblesë dhe opinionin publik. Këndej e shohim të udhës që të sqarojmë se Ipeshkëvia asnjëherë nuk ka dhënë pëlqimin e vet për ndryshime të vendimeve, dhe në mënyrë permanente e ka shprehë mospajtimin e vet për vendimet arbitrare të Komunës”, ka thënë Ipeshkëvia.

Më tej, thotë se “nëse Komuna dhe njerëzit që e drejtojnë atë, nuk mund të ndjekin shembullin e Presidentit historik, Ibrahim Rugovës, për të mbështetë ndërtimin e Katedrales, do të duhej të mos e pengojnë dhe të mos përpiqen ta dëmtojnë atë, sipas interesave të personave të caktuar”.

“Pikërisht, në Ditëlindjen e Nënë Terezës, Kuvendi Komunal i Prishtinës në vend që të mblidhej për ta përkujtuar humanisten dhe nobelisten shqiptare, ata u mblodhën me qëllim për ta dëmtuar pronën ku po ndërtohet Katedralja kushtuar asaj”, ka theksuar Ipeshkëvia.

Ipeshkëvia e Kosovës edhe njëherë dëshiron të sqarojë opinionin publik dhe të gjithë qytetarët e Prishtinës, se pjesa që e kemi sistemuar dhe zbukuruar me gjelbërim, është pjesë e truallit të Katedrales.

“Nëse dikush ka dyshim me vërtetësinë e pohimeve tona, duhet t’i drejtohet organeve të drejtësisë në Kosovë”, ka përfunduar Ipeshkëvia e Kosovës.

Ndërkaq, pronarë e shfrytëzues të lokaleve që deri para pak kohe gjendeshin në pjesën afër hapësirës ku është duke u ndërtuar Katedralja “Nënë Tereza”, kanë protestuar, duke thënë se ajo pjesë e tokës u takon atyre, dhe jo Katedrales.
(RTK) 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›