Ipeshkvi i Dioqezës së Sapës, Imzot Simon Kulli ndahet nga jeta në moshën 52-vjeçare

TIRANË, 29 nëntor/ATSH/ Ipeshkvi i Dioqezës së Sapës, Simon Kulli është ndarë sot nga jeta në moshën 52-vjeçare, si pasojë e një arresti kardiak.
Arqidioqeza Metropolitane Shkodër-Pult shprehet se “në këtë ditë zie për Kishën në Shqipëri, lutjet tona shkojnë për shpirtin e tij fisnik dhe për gjithë komunitetin që ai shërbeu me zemër të përkushtuar”.
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali ka shprehur ngushëllime familjes, të afërmve dhe mbarë Dioqezës së Sapës për humbjen e madhe. “Largohet për në Amshim Ipeshkvi i Sapës, Imzot Simon Kulli. Ai i përkiste brezit të parë të klerikëve të shuguruar pas periudhës së komunizmit dhe me devotshmëri i shërbeu besimit, dialogut ndërfetar dhe vlerave njerëzore. Emërimi Ipeshkëv i Sapës nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku, në vitin 2017, ishte dëshmi e devocionit të Tij të lartë. Paç Paqen e Pasosur Imzot Simon Kulli dhe Mirënjohje për gjithçka”, shprehet Spiropali në mesazhin ngushëllues.Imzot Simon Kulli lindi më 14.02.1973 në Pistull të Vaut të Dejës. U shugurua meshtar në vitin 2000 dhe, pas shumë viteve shërbimi baritor, u emërua Ipeshkëv në vitin 2017.
Ai u dallua për thjeshtësinë e tij, afërsinë me popullin, kujdesin për të varfrit, nismat baritore dhe përkushtimin e palodhur ndaj rinisë dhe familjes.
Gjatë viteve të shërbimit të tij, Imzot Kulli u bë një zë i qartë i shpresës, i dialogut dhe i dashurisë së Krishtit, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në zemrat e shumë besimtarëve.