Irak/ Rritet bilanci, 43 të vrarë nga atentati

Të paktën 43 të vdekur dhe më shumë se 60 të plagosur është bilanci provizor i një atentati të dyfishtë që u krye nga dy kamikazë në Irak. Lajmi është konfirmuar nga burimet policore dhe ato spitalore. Sulmet kanë ndodhur brenda një kohe shume te shkurtër në qytezën Tal Afar në afërsi të Mosulit, 420 kilometra në veri lindje të Baghdadit. Shpërthimi i parë ndodhi mes turmës së njerëzve dhe u ndërmor nga një kamikaz i cili mbante në trup një veshje të pajisur më eksploziv, ndërsa sulmi i dytë u regjistrua pak minuta më vonë, kur njerëzit u grumbulluan në vendngjarje. Këto sulme janë ndër më të rëndat që kanë ndodhur në Irak së fundmi, që pas tërheqjes se trupave amerikane javën e kaluar nga disa zona irakene. Në Baghdad, të paktën 7 persona u vranë dhe rreth 20 të tjerë u plagosën nga shpërthimet e dy bombave në Sadr City. Burimet zyrtare thonë se numri i viktimave mund të rritet edhe më tepër. Sipas të dhënave të para mendohet se target i sulmit ka qenë shtëpia e një gjyaktësi.