Mali i Zi: Prishtina të mundësojë kthimin e refugjatëve në Kosovë
Një zyrtar i qeverisë së Malit të Zi ka deklaruar se është detyrim i Podgoricës dhe Prishtinës që të krijojnë kushte për kthimin sa më të shpejtë të refugjatëve kosovarë, të cilët jetojnë në Malin e Zi. Ministri malazez i Punës dhe Përkujdesjes Sociale, Suad Numanoviç tha se rreth 16 mijë qytetarë që u zhvendosën nga Kosova në vitin 1999 vazhdojnë të jetojnë në Malin e Zi. Ai vizitoi Prishtinën për t'u kërkuar autoriteteve kosovare që të mundësojnë kthimin e të gjithë atyre që janë të interesuar të jetojnë në Kosovë. Këtë kërkesë ministri malazez e shprehu gjatë takimit me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Ramë Manaj. Refugjatët kosovarë të cilët gjetën strehim në Malin e Zi pas tërheqjes së forcave serbe dhe hyrjes së NATO-s në Kosovë më 1999, janë kryesisht serbë, malazezë dhe romë. Zëvendëskryeministri kosovar, Ramë Manaj premtoi krijimin e kushteve për kthimin e të gjithë të zhvendosurve. Sipas tij në proces është kthimi nga Mali i Zi i më shumë se 300 refugjatëve. Thellimi i bashkëpunimit ndërmjet Prishtinës dhe Podgoricës për kthimin e të zhvendosurve nga Mali i Zi në Kosovë pritet t'i hapë rrugën edhe bashkëpunimit në fushat tjera si dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve. Mali i Zi e ka njohur Kosovën në tetor të vitit të kaluar, duke nxitur reagime të ashpëra në Serbi. Ministri malazes i Punës dhe Përkujdesjes Sociale, Suad Numanovicq theksoi se vendosja e marrëdhënieve diplomatike do të mund të bëhet në një të ardhme të afërt, po qe se të dyja vendet pajtohen për zgjidhjen e problemeve me interes të përbashkët. Për herë të parë malazezët në Kosovë këtë vit do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 15 nëntor.