Irak, sulm kamikaz,vdesin 23 persona
Një sulm kamikaz iu ka marrë jetën të paktën 23 irakianëve që ishin mbledhur në një drekë të liderëve fisnorë synitë në një qytezë në afërsi të Bagdadit. Shpërthimi ka ndodhur pas vendosjes së forcave amerikane në vend nën mandatin e Irakut më 1 janar, pas një pakti dypalësh. Sipas një zëdhënësi të sigurisë, numërohen edhe rreth 72 persona të plagosur, disa prej të cilëve rëndë. Sipas zëdhënësit, Sheiku Muhamed Abdullah Salih, një lider synit i fisit Al Karaguli, kishte organizuar një drekë në shtëpinë e tij, në periferi të Jusufias, 20 kilometra në jug të Bagdadit. Kamikazi, një i afërm i Sheikut, ka hyrë në shtëpi dhe ka hedhur trupin e tij në erë në mes të të ftuarve. Ndër të plagosurit është edhe Sheiku Muhamed Abdullah Salih. Aktet e dhunës kanë rënë ndjeshëm në Irak, që pas sulmeve të përgjakshme sektare në vitet 2006 dhe 2007, por sulmet vetëvrasëse dhe ato me armë vazhdojnë akoma.