Iraku, arritje apo makth i Obamës?

Gjatë viteve kur Iraku ishte në qendër të
politikës së jashtme amerikane, politikë-bërësit rregullisht kanë bërë të ditur
se gjashtë muajt në vazhdim do të jenë vendimtarë për epilogun e luftës
Nga The Washington Post
Sipas parashikimit, gjashtë muajt e ardhshëm
do të vendosin, nëse Iraku nga zgjedhjet do të dalë si një vend demokratik në
miqësi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një vend ku do të ketë dominim feja
dhe lidhja me Iranin, ose një vend me konflikt sektesh fetare, dhe nëse në këto
rrethana Obama do të mund të jetësojë tërheqjen e premtuar, shkruan Uashington
Post.
Iraku, ku Shtetet e Bashkuara kanë investuar 700 miliardë dollarë dhe ku më
shumë se 4,300 ushtarë kanë humbur jetën përgjatë shtatë vitesh, nuk është më
prioriteti kryesor për Uashingtonin.
Gazeta në vazhdim citon ambasadorin amerikan, Kristofer Hill, të ketë thënë se
zgjedhjet, që do të mbahen më 7 mars në Irak, do të përcaktojnë të ardhmen e
këtij vendi, gjithashtu edhe marrëdhëniet e tij me SHBA-në.
Edhe Obama ka pohuar se, përgjegjësia e SHBA-ve është tua lërë Irakun
njerëzve të tij, shkruan Uashington Post.
Ky zotim do të thotë se në këtë pikë kthese që po kalon Iraku, trupat amerikane
do të reduktohen në 50 mijë nga 98 mijë sa janë aktualisht.
Obama, thuhet më tej në Uashington Post, ka theksuar se SHBA-të do të
mbështesin zgjedhjet dhe do të vijojnë partneritetin me popullin irakian.
Por, është e vështirë ti shmangesh përshtypjes, që presidenti Obama, i cili e
ndërtoi fushatën në kundërshti me luftën, të nënvleftësojë rëndësinë e madhe
strategjike të Irakut dhe rrezikun e tranzicionit, pohon autori i shkrimit.
Më tej gazeta citon ambasadorin amerikan Hill, i cili thotë se nëse kontratat e
naftës së Irakut me kompanitë ndërkombëtare shkojnë mirë, atëherë Iraku do të
bëhet prodhues i naftës i barabartë me Arabinë Saudite.
Nëse
demokracia në Irak funksionon, atëherë kjo do të ketë ndikim shumë më të gjerë
në Lindjen e Mesme, citon Uashington Post gjeneralin
Odierno, i cili shton se disa nuk duan që demokracia të ketë sukses për shkak
të presionit që krijohet te qeveritë e tyre.
Midis këtyre, së pari është Irani, që ka një strategji të thjeshtë për muajt në
vijim. Strategjia, sipas autorit të shkrimit, është që ti kthejë zgjedhjet në
një betejë të ashpër fetare, me qëllim që qeveria e ardhshme të udhëhiqet nga
aleatët e saj të ashpër shiitë.
Udhëheqësi i agjentëve të Teheranit, thuhet në Uashington Post, është Ahmed
Kalabi, një shiit, i cili në vitin 2002 influencoi që administrata e Bush të
niste luftën.
Tashmë, ai ka arritur që të eliminojë qindra kandidatë nga zgjedhjet, me arsyen
false se i përkisnin partisë Bath të Sadam Hyseinit.
Sulmi i tij nuk është vetëm mbi udhëheqësit sunitë, por dhe mbi nacionalistët
laikë, shkruan Uashington Post, për të shtuar se suksesi eventual i aleancës së
nacionalistëve laikë dhe sunitëve do të jetë triumf për demokracinë në Irak dhe
një goditje për Iranin.
Kalabi, shkruan Uashington Post, kërkon të bëhet kryeministër i ardhshëm i
Irakut dhe kjo gjë mund të jetë një katastrofë jo vetëm për vendin, por edhe
për Uashingtonin.
Por, administrata Obama shpreson që një nga nacionalistët të dalë në krye dhe
shpresa është te kryeministrin Nuri al Maliki.
Sipas Uashington Post, procesi i formimit të qeverisë, që mund të marrë muaj të
tërë, do të jetë periudha më kritike për ndikimin amerikan.
Dhe, në fakt, Uashington Post thekson se, nëse në këta gjashtë muaj arrihet
sukses në Irak, kjo do të jetë arritje amerikane me efekte afatgjata dhe e
pakrahasueshme me asnjë sfidë tjetër që ajo ka jashtë vendit.
Në të kundërtën, thotë autori i shkrimit, Uashingtoni do të zgjohet në një
Irak, që sërish për të do të jetë një makth i pafund. /rfe/