E Diel, 1 Nëntor 2026

Iran, 21 persona vdesin pas dy shpërthimeve



Të paktën 21 persona humbën jetën dhe thuajse 100 të tjerë u plagosën pas një sulmi kamikaz, ndaj një xhamie shiite në Zahedan, në juglindje të Iranit.
Lajmi u bë i ditur nga burime lokale të provincës Sistan-Baluçistan, në kufi me Pakistanin, ku jeton një shumicë sunite. Shpërthimi i parë ndodhi në orën 21.20 me orën lokale, përballë xhamisë. Sipas raportimeve të para sulmi është kryer nga një kamikaz i veshur si grua. Një nga të plagosurit tha se ka pasur pak viktima pas shpërthimit të parë, por njerëzit ishin mbledhur së bashku gjatë kohës që ka ndodhur shpërthimi i dytë. Shpërthimi i dytë ndodhi në Xhaminë e Madhe në kryeqendrën e Sistan-Baluçistanit ndërsa besimtarët po festonin përvjetorin e lindjes së një kleriku shiit. Raportohet se grupimi separatist sunit, Jundullah ka marrë përsipër autorësinë e sulmit të Xhamisë së Madhe në krahinën e Zahedanit ku gjetën vdekjen të paktën 20 persona. Lajmi njoftohet nga televizioni Al Arabiya, sipas të cilit Jundullah shprehet se sulmi ishte një hakmarrje për varjen e liderit të tyre, Abdolmaleg Rigi në fund të muajit qershor. Në sulmin e parë thuhet se kanë mbetur të vrarë anëtarë të Rojes Revolucionare. Zahedan është cilësuar si djepi i lëvizjes së Balucëve Jundullah dhe udhëheqësi i tyre u var me 20 Qershor nga regjimi iranian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›