Irani: Do mbajmë nën kontroll Ngushticën e Hormuzit derisa të mbarojë lufta

Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare i Iranit ka deklaruar se do të mbajë në kontroll të plotë lundrimin në ngushticën e Hormuzit deri në momentin kur lufta të përfundojë plotësisht dhe të arrihet një paqe e qëndrueshme në rajon.
Sipas deklaratës, Irani ka rihapur ngushticën për anijet tregtare, por vetëm “nën mbikëqyrje të rreptë të forcave të tij. Ai do të mbledhë informacion të detajuar për çdo anije që kalon, do të lëshojë certifikata tranziti dhe do të vendosë pagesa”.
Irani e konsideron bllokadën detare amerikane si shkelje të armëpushimit dhe thotë se ngushtica nuk do të rihapet plotësisht derisa kjo bllokadë të hiqet.
Propozimet e reja amerikane u dorëzuan nga shefi i ushtrisë së Pakistanit gjatë vizitës së tij të fundit në Teheran.
Këto propozime janë ende në shqyrtim dhe Irani nuk ka dhënë përgjigje zyrtare.
“Për të vazhduar bisedimet, SHBA duhet të heqë dorë nga kërkesat e tepruara dhe t’i përshtatë ato me realitetin në terren”, thuhet në deklaratë.
Kjo deklaratë vjen pas një periudhe tensionesh me armëpushim të brishtë midis SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, duke përfshirë luftën në Liban.
Irani e rihapi ngushticën kohët e fundit, por SHBA-ja e ka mbajtur bllokadën ndaj porteve dhe anijeve iraniane si presion për një marrëveshje më të gjerë.
/rtsh.al/