E Shtunë, 31 Tetor 2026

Irani: Gati për bisedime “pa kushte"rreth programit bërthamor

Një zyrtar i lartë iranian i çështjeve bërthamore thotë se Teherani është i gatshëm të zhvillojë bisedime "pa kushte paraprake"me vendet perëndimore rreth programit të tij bërthamor.

Media shtetërore iraniane citonte të dërguarin e Iranit pranë agjencisë bërthamore të OKB-së, Ali Asghar Soltanieh, sipas të cilit "negociatat pa kushte paraprake janë qendrimi kryesor i Iranit në çështjen bërthamore.”

Zyrtarë iranianë kanë bërë deklarata të ngjashme në të kaluarën rreth bisedimeve të mundshme rreth aktiviteteve bërthamore të Teheranit ndërkohë që kanë deklaruar se nuk do të tërhiqen nga pozicionet e tyre në mosmarrëveshjet me Perëndimin.

Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera perëndimore kanë akuzuar Iranin se përpiqet të prodhojë armën bërthamore. Irani thotë se synimi i programit të tij bërthamor është prodhimi i energjisë elektrike.

Uashingtoni i ka dhënë afat Iranit deri në hapje të Asamblesë së përgjithshme të OKB-së në shtator që të pranojë një ofertë të 6 vendeve perëndimore për të diskutuar përfitimet tregtare që do të kishte nëse pezullon pasurimin e uraniumit.  Uraniumi i pasuruar mund të përdoret për prodhimin e armëve bërthamore.

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›