E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS për sigurinë e jetës: Qeveria, asnjë masë

Partia Socialiste shprehu sot shqetësimin për mungesën e theksuar sipas saj, të sigurisë së jetës në vend, por gjithashtu për mungesën e theksuar të masave parandaluese dhe mbrojtëse që duhet të ndërmarrë qeveria shqiptare. 

TIRANE- Partia Socialiste shprehet e shqetësuar për mungesën e sigurisë së jetës në vend, por njëkohësisht edhe të masave mbrojtëse që duhet të marrë qeveria. Deputeti Saimir Tahiri akuzon drejtpërdrejt kreun e qeverisë që sipas selisë rozë nuk ka marrë masa për tu përballur me arsyen e vërtetë të bilanceve tragjike të kohëve të fundit që nga vrasja e deputetit Xhindi deri te ajo e 4 uniformave të policisë vetëm pak ditë më parë, ndërsa kërkon marrjen e masave.

“Tashmë muaj pas vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi, ngjarje ende pa autor e pa përgjegjës, ngjarjes tragjike të para pak ditëve ku humbën jetën 4 efektivë të policisë, dëgjojmë e shohim ngjarje të rënda e të tjera vetëm në dukje më pak të rënda, por njëlloj tragjedi të mëdha individuale dhe shoqërore për ata që humbasin jetën, familjet e tyre dhe për mbarë shoqërinë”, deklaroi Tahiri.

Sipas tij, pushteti politik dhe financiar i Sali Berishës vlen sot më shumë se jeta e qindra qytetarëve të pafajshëm që humbasin jetën për shkak të injorancës dhe paaftësisë së kësaj qeverie që tashmë është katandisur vetëm në konstatimin dhe regjistrimin e viktimave në vend që të marrë masat e domosdoshme për të garantuar jetën.

Për këtë situatë, Partia Socialiste bën përgjegjës të drejtpërdrejtë Sali Berishën dhe qeverinë e tij, “të cilët nga kujdesi për ruajtur kolltukun e pushtetit e për t’u pasuruar me çdo kusht, janë verbëruar në paaftësi e korrupsion duke mohuar padrejtësisht përkujdesin dhe përkrahjen që meriton jeta e çdo shqiptari, qoftë ky i varfër apo i pasur”.

“Njëkohësisht bëjmë thirrje që të merren masa të menjëhershme për të parandaluar çdo rrethanë të qëllimshme ose rastësore si dhe çdo konflikt minimal që fatkeqësisht rezulton me pasoja tragjike maksimale për jetën e qytetarëve dhe për mbarë shoqërinë”, - përfundon deklarata e PS. (a.r/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›