E Diel, 1 Nëntor 2026

Irani: Ka progres në bisedimet me SHBA-në, por marrëveshja nuk është ende afër

Irani ka deklaruar se është arritur progres në negociatat me Shtetet e Bashkuara, por ka mohuar se një marrëveshje finale është pranë nënshkrimit.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, tha të hënën në Teheran se palët kanë gjetur dakordësi për një pjesë të madhe të çështjeve në diskutim.

“Është e saktë të thuhet se kemi arritur një përfundim për një pjesë të madhe të çështjeve që po diskutohen. Por të thuhet se marrëveshja është e afërt, askush nuk mund ta pretendojë këtë,” deklaroi ai.

Komentet e Baghaeit erdhën pasi sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se një marrëveshje mes SHBA-së dhe Iranit mund të arrihej që të hënën.

Sipas raportimeve, memorandumi i diskutuar përfshin zgjatjen me 60 ditë të armëpushimit, rihapjen e ngushticës së Hormuzit dhe vazhdimin e negociatave për programin bërthamor iranian.

Presidenti amerikan Donald Trump kishte deklaruar më herët se palët ishin pranë një marrëveshjeje, por më pas tha se kishte udhëzuar negociatorët “të mos nxitojnë”.

Rubio deklaroi nga New Delhi se ekziston “një marrëveshje solide në tavolinë” lidhur me rihapjen e ngushticës së Hormuzit, korridori strategjik nga ku kalon rreth 20% e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në botë dhe që aktualisht është bllokuar nga Irani.

Sipas mediave amerikane, marrëveshja e mundshme nuk do të ishte një zgjidhje përfundimtare, pasi çështje kyçe do të mbeteshin për negociata të mëtejshme, përfshirë lehtësimin e sanksioneve ndaj Iranit, lirimin e fondeve iraniane të ngrira dhe kufizimin e programit bërthamor të Teheranit.

Raportimet kanë shkaktuar përçarje edhe brenda republikanëve amerikanë. Senatori Ted Cruz e quajti marrëveshjen “një gabim katastrofik”, ndërsa Lindsey Graham kritikoi çdo marrëveshje që do ta linte Iranin si fuqi dominuese në rajon.

Trump reagoi duke i quajtur kritikët “humbës” dhe paralajmëroi se marrëveshja ose do të jetë “e madhe dhe domethënëse”, ose nuk do të ketë fare marrëveshje.

Ndërkohë, tregjet globale reaguan pozitivisht ndaj sinjaleve për progres diplomatik: çmimet e naftës ranë ndjeshëm dhe bursat aziatike shënuan rritje.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se edhe nëse arrihet një marrëveshje, rikthimi i plotë i zinxhirëve globalë të furnizimit dhe normalizimi i transportit detar mund të zgjasë me muaj.

Konflikti nisi më 28 shkurt, kur SHBA dhe Izraeli ndërmorën sulme të gjera ndaj Iranit. Teherani reagoi duke sulmuar Izraelin dhe aleatët amerikanë në Gjirin Persik, si dhe duke bllokuar ngushticën e Hormuzit, gjë që shkaktoi rritje të fortë të çmimeve të energjisë në botë.

Presidenti iranian Masoud Pezeshkian deklaroi se Irani është i gatshëm “ta sigurojë botën se nuk synon të ndërtojë armë bërthamore”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›