E Shtunë, 31 Tetor 2026

Irani akuza SHBA-së: Falsifikoi dokumenta në çështjen bërthamore

Një zyrtar i lartë iranian ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për paraqitje të provave të falsifikuara pranë agjencisë së vëzhguesve bërthamorë të OKB-së, sipas të cilave Irani ka studiuar mënyrat që të çojnë drejt prodhimit të bombës atomike. Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) ka marrë në konsideratë disa prej raporteve të agjencive sekrete perëndimore, që sugjerojnë se Teherani në mënyrë sekrete ka kombinuar procesin e pasurimit të uraniumit me teste eksplozivësh dhe aktivitete për rimodelimin e një rakete që do të ishte e përshtatshme për mbushje bërthamore. Edhe pse IAEA-ja ka deklaruar se nuk ka prova konkrete për një axhendë të prodhimit të armëve bërthamore nga Irani, përmes një raporti të muajit të kaluar agjencia ndërkombëtare i bëri thirrje Teheranit që të japë shpjegime lidhur me dyshimet e perëndimorëve në vend që të hedhë poshtë informacionet duke i konsideruar si të falsifikuara.
Por ambasadori iranian, përmes një letre dërguar IAEA-së, një kopje e së cilës u sigurua nga Reuters, deklaronte se agjencia nuk kishte siguruar dokumente të vërteta lidhur me studimet e dyshuara dhe se kjo çështje tashmë mund të konsiderohej "e mbyllur". "Qeveria amerikane nuk i ka dorëzuar dokumenta origjinalë agjencisë, pasi SHBA-ja nuk ka dokumenta autentike dhe i ka falsifiukuar ato", thuhej në letrën e Soltanieh për kreun në detyrë të IAEA-së, Mohamed ElBaradei. "Akuzat për studimet për prodhimin e armëve janë politike dhe të pabaza", theksonte diplomati iranian në letrën e tij. Fuqitë perëndimore dyshojnë se Teherani po përpiqet të prodhojë bomba atomike nën maskën e një programi bërthamor civil, një akuzë që Irani e ka hedhur vazhdimisht poshtë.
Departamenti amerikan i Shtetit nuk komentoi në mënyrë të drejtëpërdrejtë letrën e Soltenieh. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ian Kelly deklaroi se Irani duhet më parë të japë një përgjigje kuptimplotë ndaj ofertës për bisedime.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›