Irani akuzon: Një OJQ e lidhur me qeverinë TURKE ka rekrutuar 769 shqiptarë për të luftuar në Siri
Agjencia iraniane FARS, e njohur si agjenci gjysmëqeveritare, raporton se një Organizatë Joqeveritare turke ka rekrutuar qindra shqiptare për të luftuar në Siri.
Organizata humanitare turke quhet IHH dhe e përdor si mbulesë aktivitetin e saj.
Agjencia shkon edhe më tej kur raporton se kjo organizatë vepron në koordinim të plotë me Ministrin e Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu dhe grupe ekstremiste vahabistë.
Një burim i ka thënë agjencisë iraniane se 769 shqiptarë i janë bashkuar Ushtrisë për Çlirimin e Sirisë.
Burimi ka thënë për agjencinë se rekrutët shqiptarë shkojnë nga Tirana në Turqi dhe atje stërviten në bazën ushtarake Reyhani nga oficerë amerikanë të dalë në pension.
Grupi i fundit i shqiptarëve të rekrutuar përfshinte 90 shqiptarë dhe ka fluturuar nga Tirana për në Stamboll me fluturimin numër 1078 të Turkish Air më 30 qershor 2013, thotë burimi.
Por burimi shkon edhe më tej duke thënë se myslimanët shqiptarë nuk kanë luftuar përkrah Ushtrisë për Çlirimin e Sirisë, por kanë dezertuar dhe i janë bashkuar grupeve të Al Kaedas në Siri.
Në total ai thotë se janë 450 shqiptarë që kanë dezertuar duke u bashkuar me al-Nusra Front, një degë e Al Kaedës.
Burimi i ka thënë agjencisë FARS se ai është kthyer në Shqipëri pasi ka parë krimet e luftës që janë kryer nga grupet terroriste mbi civilët në Siri.
Ai thotë se nuk e takoi familjen e tij në Tiranë nga frika e oficerëve të inteligjencës turke dhe mercenarëve të tyre në Shqipëri.
Ai u bashkua me familjen vetëm pasi u arratis nga Tirana.
Akuzat e rënda vijnë vetëm pak ditë pasi agjencia franceze AFP raportoi për një shqiptar të vrarë në Siri, i cili i kishte thënë familjes se do të largohej për të punuar në Turqi, por kishte përfunduar në Siri duke luftuar.
Deri më tani ka pasur spekulime për numrin e shqiptarëve të përfshirë në luftë në Siri.
Akuzat e një media iraniane në fakt janë të paragjykuara për shkak të angazhimit të Iranit përkrah regjimit të Bashar al- Asad, por sërish kjo ngelet një çështje shqetësuese./ep
