E Diel, 1 Nëntor 2026

Poli i tretë: Milo, nuk ishin negociata por vetëm një kafe e thjeshtë

milo 2Pas intervistës së kryetarit të Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, mbi nisjen e negociatave për krijimin e një poli të tretë, ka reaguar Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo.

Ai u shpreh se nuk është në negociata me asnjë parti tjetër për krijimin e një poli të tretë në politikën shqiptare. Sipas tij, ka qenë një ide e hedhur nga kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, gjatë një kafe mes kolegësh të politikës, por jo negociata. Milo shprehet se e vetmja negociatë që Demokracia Sociale pret të bëjë në këto momente, është ajo me Partinë Socialiste për bashkëqeverisjen.

“Një ide e zotit Ndoka u shpalos në një kafe si kolegë të vjetër të politikës. Është një pikëpamje që mund të shihet nëse në perspektivë PDS-ja do të ishte e detyruar në rrethana të tjera, të ndryshme nga këto që ekzistojnë aktualisht, mund ta merrte në konsideratë. Sot për sot ajo është pjesë e qeverisjes së re të vendit”, ka pohuar Milo.

Sipas tij, Demokracia Sociale është një parti që ka qëndruar për një kohë të gjatë krah për krah PS-së në opozitë dhe ka luftuar për të dalë fitues koalicioni i PS-së, dhe jo të mbetet në opozitë për të luftuar koalicionin me të cilin doli fitues.

“Demokracia Sociale ka qenë parti me kontribute aktive, shumëvjeçare në opozitë me një luftë konsekuente dhe me një partneritet model për të arritur fitoren si koalicion. Ne jemi duke pritur fillimin e negociatave me Partinë Socialiste për pjesëmarrjen aktive dhe të merituar të PDS-së në qeverisjen e vendit.

Nuk kemi asnjë mëdyshje që i takojmë këtij koalicioni qeverisës për gjithçka kemi dhënë, dhe opinioni publik dhe individë të shquar dhe historikë të së majtës shqiptare edhe këto ditët e fundit i kanë vlerësuar këto kontribute.

Për rrjedhojë, PDS mund të ulet për të përcaktuar të ardhmen e vet të afërt qeverisëse vetëm me PS. Opsionet që ne të vazhdojmë të mbetemi në opozitë me qeverinë për të cilën kemi kontribuar që të vijë në pushtet, nuk ekzistojnë”, është shprehur Milo për gazetën Panorama.

Sipas Milos, PDS mund të ulet dhe të negociojë me parti të tjera për një riorganizim të spektrit politik shqiptar, vetëm e detyruar nga rrethana të tjera nga ato në të cilat kjo parti ndodhet me koalicionin fitues.

Ende nuk ka asnjë negociatë të Partisë Socialiste me partitë e tjera të koalicionit se në çfarë niveli do të shtrihet bashkëqeverisja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›