E Diel, 1 Nëntor 2026

Irani bisedime me kryediplomatin kinez për vendosjen e paqes në rajon: I besojmë plotësisht Pekinit

Ministri i Jashtëm i Republikës Islamike të Iranit, Seyyed Abbas Araghchi, ka zhvilluar bisedime me ministrin e Jashtëm të Kinës, Wang Yi, në kryeqytetin kinez.

Ai i përshkroi takimet si “konstruktive” dhe tha se të dyja palët ripohuan të drejtën e Iranit për të mbrojtur sovranitetin kombëtar dhe dinjitetin e tij.

Araghchi theksoi se ana iraniane vlerëson lart propozimin katërpikësh të Kinës për ruajtjen dhe promovimin e paqes e stabilitetit rajonal.

Sipas tij, Irani i beson plotësisht Kinës dhe pret nga Pekini një rol më aktiv në promovimin e paqes, në përfundimin e konfliktit në rajon, si dhe në mbështetjen e krijimit të një kuadri të ri rajonal pas luftës që balancon zhvillimin ekonomik me sigurinë.

Propozimi katërpikësh i Kinës, i paraqitur nga presidenti Xi Jinping, përfshin bashkëjetesën paqësore midis vendeve të Gjirit dhe Lindjes së Mesme, respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të shteteve, mbështetjen e së drejtës ndërkombëtare dhe parandalimin e “ligjit të xhunglës”, si dhe balancimin midis zhvillimit dhe sigurisë.

Takimi vjen në një kohë shumë të tensionuar për Lindjen e Mesme, pas konfliktit të fundit me Izraelin dhe SHBA-në, mbylljes së Ngushticës së Hormuzit dhe një armëpushimi ende të brishtë.

Kina, si importuesi më i madh i naftës në botë, ka interes të madh për hapjen e shpejtë dhe të sigurt të Ngushticës së Hormuzit, pasi çdo pengesë ndikon drejtpërdrejt në furnizimin e saj me energji.

Wang Yi u shpreh se komuniteti ndërkombëtar ka shqetësim të përbashkët për stabilitetin rajonal dhe kërkoi një armëpushim të plotë, duke e quajtur rifillimin e armiqësive të padëshirueshme.

Vizita e Araghchit në Pekin shihet si përpjekje e Teheranit për të siguruar mbështetje diplomatike nga Kina, aleatja kryesore ekonomike e Iranit në skenën ndërkombëtare.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›