Irani frustron Kouchnerin
Klerikët e niveleve më të larta po minojnë nga brenda përpjekjet e qeverisë së Iranit, ka theksuar sot Ministri i Jashtëm i Francës, Bernard Kouchner.
Autoritetet e Iranit nuk kanë qenë në gjendje që të ndalin lëvizjen e protestës, e cila filloi pas zgjedhjeve të kontestuara presidenciale, të cilat filluan në qershor të vitit të kaluar, edhe përkundër ashpërsimit të represionit kundër protestuesve, i cili kulminacionin e arriti gjatë protestave më 27 dhjetor, me ç’rast u vranë tetë protestues.
“Të gjithë po e shohim se regjimi është i kërcënuar nga njerëz, të cilët janë iranianë të vendosur, disa prej të cilëve janë tejet religjiozë, nga radhët e hierarkisë shiite. Po, regjimi po kërcënohet nga opozita e brendshme dhe nuk e di se çfarë mund të prodhojë kjo”, tha Kouchner.
Javën e kaluar, udhëheqësi i opozitës në Iran, Mir Moussavi, theksoi se vendi është zhytur në një krizë serioze dhe bëri thirrje për reforma, duke shtuar se ai është i gatshëm të vdes për lëvizjen e protestës.
I pyetur se a shpreson në përmbysjen e qeverisë së Iranit, Kouchner u përgjigj:”Nuk më takon mua që ta dëshiroj këtë apo atë. Sa na përket neve, ne do të vazhdojmë të bisedojmë me iranianët”.
Ai më tutje shprehu frustrimin e tij me lojërat e fundit diplomatike të Teheranit dhe shtoi se nuk ka mundësi që të zhvillohen biseda serioze me Iranin për ambiciet bërthamore të këtij vendi.