E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tërmet në ishujt Solomon

Rreth 500 shtëpi janë dëmtuar apo shkatërruar, si pasojë e tërmetit të fuqishëm prej 7.2 shkallë të Rihterit, i cili goditi ishujt Solomon, deklaruan sot zyrtarët.

Zyra për menaxhimin e katastrofave natyrore theksoi se ekziston mundësia që me mijëra njerëz të kenë mbetur të pastrehë, por shtoi se ende nuk ka mundësi që të bëhen vlerësime të sakta.

“Janë dëmtuar rreth 500 shtëpi, por nuk janë shkatërruar që të gjitha”, deklaroi zëdhënësi i zyrës për menaxhimin e katastrofave, Julian Makaa.

Përkundër dëmtimit të madh të pronës dhe cunamit të vogël, i cili u nxit nga tërmeti, autoritetet raportuan për një numër të vogël të të lënduarve.

Agjencia Gjeologjike e SHBA-së njoftoi se epiqendra e tërmetit ishte rreth 103 km larg qytetit Gizmo, qytetit të dytë më të madh në ishujt Solomon, në një thellësi prej 30 km.

“Kemi informata se janë dëmtuar shtëpi në shumë fshatra, si pasojë e rrëshqitjeve të dheut, e jo si pasojë e cunamit, por nuk kemi njoftime për të vdekur apo për të lënduar”, theksoi Makaa.

Rrëshqitje të dheut janë raportuar në Tetepare dhe ishullin fqinjë Rendova. Qendra për vërejtje në Paqësor theksoi se brigjet e shteteve përreth nuk janë të kërcënuar nga ndonjë cunami më i madh.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›