Irani godet me dronë e raketa balistike “qendrat e spiunazhit” në Erbil

Irani nisi të martën sulmin kundër celulave terroriste ISIS në Irak, të cilat vendi pretendon se po funksionojnë kundër Teheranit.
Një raketë balistike dhe dronë luftarakë u shkarkuan në kryeqytetin Erbil të Kurdistanit, rajoni në veri të Irakut, ku strehohej “qendra e spiunazhit” e grupeve anti-Iran në rajon.
“Në përgjigje të krimeve të fundit terroriste të armiqve të Republikës Islamike të Iranit, selia e spiunëve dhe grupe anti-Iran në pjesë të rajonit u vunë në shënjestër të raketave balistike IRGC në mes të natës,” njoftoi agjencia e lajmeve Tasnim.
Zhurmat e shpërthimeve të forta në të gjithë Erbilin frikësuan banorët në mes të natës. Goditjet vijnë në një kohë pas vrasjes së disa komandantëve të lartë të ushtrisë iraniane nga Izraeli në Siri.
Aeroporti Ndërkombëtar Erbil konfirmoi se ka pezulluar të gjitha fluturimet hyrëse dhe dalëse.
Që nga 17 tetorit, grupet milice të lidhura me Iranin kanë goditur mbi 100 herë bazat e koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja në Irak dhe Siri me dronë dhe raketa, në shenjë hakmarrjeje për mbështetjen që Uashingtoni po i jep Izraelit në luftën e vet në Gazë.
Rreth 2.500 trupa amerikane në Irak dhe 900 në Siri po udhëheqin një koalicion ndërkombëtar, i cili po asiston forcat kurde, irakiane dhe forcat lokale siriane në luftën kundër ISIS-it, grupi që dikur fitoi sipërfaqe të mëdha toke në Irak dhe Siri, para se të mposhtej territorialisht në vitet 2017 dhe 2019.
/rtsh.al/