Irani i vendosur për të mos njohur Kosovën

Ramin Mehmanparast
Republika Islamike e Iranit do të vazhdojë ti mbetet besnik qëndrimit të vet për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës, ka deklaruar të mërkurën në Beograd, zëvendësministri i jashtëm iranian, Ramin Mehmanparast. Ai ka thënë se me këtë qëndrim, Irani i kontribuon paqes dhe stabilitetit rajonal.
Mehmanparast ka thënë se Teherani zyrtar nuk do ta njohë shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës por mbështet dialogun në mes të Prishtinës dhe Beogradit, sepse sipas tij, e drejta ndërkombëtare do të mundësojë një zgjidhje të mirë për të dyja palët raporton Blic.
Zëvendës/shefi i diplomacisë iraniane ka thënë po ashtu se Irani ka ndikim në Gjirin Persik dhe do të vazhdojë të nxisë vendet e rajonit për të thelluar raportet politike dhe ekonomike me Republikën e Serbisë.
Kosovën deri më tani e kanë njohur 89 shtete, ndër to edhe shtete me demokraci dhe ekonomi më të zhvilluar në botë.
Por shumica e vendeve islamike dhe arabe prej katër vitesh hezitojnë të njohin pavarësinë e Kosovës, shpallja e së cilës, sipas Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë nuk ka qenë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. /Zhurnal/