E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leksionet që na vijnë nga Enver Hoxha

Ardit Rada

Shoqëria shqiptare prej 22 vitesh po jeton me një kompleks të pashoq, me vlerësime dhe kundërshti ndaj një udhëheqësi që zor i gjen për dikë tjetër. Kjo, jo vetëm pse nuk kemi prodhuar burra shteti, por dhe për faktin se burrat e këtyre viteve nuk kanë dashur të hyjnë në listën e baballarëve të kombit, por në listën e burrave të mirë për shtëpinë e tyre duke shfrytëzuar çdo kacidhe të shtetit aq sa na kujtojnë Hajrien e Qazim Mulletit që edhe qilimin e zyrës së Prefekturës donte ta çonte në shtëpi. Qëllimi i këtij shkrimi nuk është ngritja apo ulja e figurës së Enverit.

Sot, 27 vite pas vdekjes së ish-diktatorit, ja kemi për borxh të ardhmes sonë që të shqyrtojmë çdo të mirë dhe të keqe të tij. Këto të fundit i kemi thënë me kohë, dikur disa nën zë e shumë të tjerë me zë të lartë në këto 22 vite pseudo-demokraci. Të mirat zor se do tia themi ndonjëherë sepse figura e tij të komplekson disi. Pa dashur ti bëj një analizë një personazhi të tillë, por politikës aktuale, kjo e fundit përpara se ti fshijë me gomë faktet historike të paktën të pranojë në heshtje leksionet që vijnë nga Enveri.

Sot po përballemi me faljen e detit, shitjen e tokës, korrupsionin qeveritar dhe qytetar dhe mungesën e seriozitetit të shtetit që dita ditës po na detyron të themi: Ku je Enver! Shtetin e së drejtës duhet ta krijojmë brenda atyre lirive që na garanton Kushtetuta, sikurse bënë shqiptarët në kohën e tij. Ka zënë vend besimi se Enver Hoxha ishte nacionalist dhe nuk bëri kurrë pazare me interesat kombëtare dhe tërësinë territoriale të vendit, siç bëri Saliu me të tijtë dhe opozita me të sajat, që i falën Greqisë, njëri direkt e tjetri indirekt, detin e Shqipërisë. Dhe jo vetëm kaq. E falën dhe duan ta çojnë krimin deri në fund e me insistim duke e bredhur çështjen në tryeza e në dyer gjykatash e në mos e pranofshin këto të fundit me siguri do të shpallen të korruptuara (?).

Sot politika e vendit duhet të marrë leksione se si u krijua shteti serioz e si u bë qesharak, se si ushtria ishte më e aftë kur ishte vetëm se sa tashmë që është në NATO, se si ndjenjën e atdhedashurisë po e lodhin në ekstrem me lloj-lloj pisllëqesh e aktesh propagandistike, deri te monumentet e reja të pavarësisë që si çdo gjë kanë një prapaskenë fitimprurëse për xhepin e qeverisë. Qeveria dhe opozita duhet të marrin leksione për energjetikën, bujqësinë, arsimin, mjedisin, minierat, shëndetësinë etj. Ata që e kanë njohur Hoxhën dhe ata që kanë lindur pas vdekjes së tij gjithnjë e më shumë do të thonë: Shumë gjëra ishin më mirë në kohën e tij.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›