E Diel, 1 Nëntor 2026

Irani kritikon vendimin e Kanadasë për ndërprerje të raporteve

Irani e ka kritikuar Kanadanë për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike.

Kanadaja tha se ky veprim është ndërmarrë për të protestuar kundër asaj që ky vend e sheh si ndihmë ushtarake iraniane për regjimin e presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, pastaj për shkak të refuzimit të Iranit për t’i respektuar rezolutat e OKB-së për programin bërthamor dhe për shkak të kërcënimeve të rregullta të liderëve iranianë kundër ekzistencës së Izraelit.

Një zëdhënës i ministrisë së Jashtme të Iranit e ka akuzuar Kanadanë se është “nën ndikim të regjimit sionist”, që nënkupton Izraelin.

Ky zëdhënës ka paralajmëruar “përgjigje adekuate” ndaj vendimit të Kanadasë për mbylljen e Ambasadës së saj në Teheran dhe për dëbimin e diplomatëve iranianë nga Otava.

Duke e arsyetuar vendimin, ministri i Jashtëm i Kanadasë, John Baird tha se qeveria e tij “e konsideron qeverinë e Iranit si kërcënimin më të madh ndaj paqes globale dhe sigurisë në botë sot”.

Ai tha se diplomatët iranianë në Kanada duhet të lënë vendin brenda pesë ditëve.

Baird dha disa arsye për këtë vendim dhe tha gjithashtu se Irani është një shtet që sponsorizon terrorizmin.

Sipas njoftimeve, një shënim i shkruar në persisht është vendosur në derën e ambasadës iraniane në Otava, ku thuhet se ambasada është mbyllur për shkak të vendimit “armiqësor” të qeverisë kanadeze.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›