E Diel, 1 Nëntor 2026

Irani refuzon negociatat me SHBA-në, ministri i Jashtëm: Nuk ka arsye për takim në këtë fazë

Irani nuk ka ndërmend të nisë negociata të drejtpërdrejta me Shtetet e Bashkuara në këtë fazë, pavarësisht rrezikut të rifillimit të konfliktit. Deklarata është bërë nga ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, në një intervistë për televizionin Al Jazeera.

Ai theksoi se Teherani nuk sheh aktualisht nevojën për një takim me përfaqësuesit amerikanë, ndërsa shtoi se kushtet e Iranit janë të qarta dhe se komunikimet po vijojnë përmes ndërmjetësve.

Reklamë

“Në rrethanat aktuale, Irani nuk sheh nevojën për një takim me amerikanët. Kushtet tona janë të qarta dhe po zhvillohen konsultime me ndërmjetësit për këtë çështje”, deklaroi Araghchi.

Kryediplomati iranian bëri të ditur gjithashtu se letra e zëvendëspresidentit amerikan, JD Vance, është diskutuar në takime të nivelit të lartë në Teheran, por mohoi se ekzistojnë plane për bisedime të drejtpërdrejta me Uashingtonin.

Reklamë

Më herët gjatë kësaj jave, Vance i kishte dërguar një letër Mohsen Rezaeit, sekretarit të Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit.

Sipas raportimeve të gazetave amerikane “The New York Times” dhe “The Wall Street Journal”, në letër ishte propozuar rifillimi i negociatave mes dy vendeve.

Megjithatë, presidenti amerikan Donald Trump e mohoi këtë version, duke deklaruar se propozimi kishte të bënte vetëm me dërgimin e furnizimeve mjekësore.

Deklaratat e fundit vijnë në një kohë tensionesh mes Teheranit dhe Uashingtonit, ndërsa mundësia e rifillimit të përplasjes mbetet një shqetësim në rajon.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›