E Shtunë, 31 Tetor 2026

Irani teston armët atomike, Izraeli gati për sulm?

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) ka vazhduar të hënën bisedimet me Iranin, në misionin diplomatik iranian në Vjenë. Pasi të dielën Associated Press publikoi ilustrimin e gjeneruar kompjuterik - që mendohet se paraqet dhomën iraniane të testimit të armatimit nuklear - përsëri është hedhur dritë në dyshimet ekzistuese se Irani po zhvillon armë bërthamore. Për shkak të koalicionit të papritur në Izrael në mes të Likudit dhe Kadimas, shtohen brengat se Izraeli mund ta sulmojë Iranin

AP të dielën ka publikuar ilustrimin që paraqet dhomën iraniane për testim të armëve bërthamore. Agjencia e Kombeve të Bashkuara, IAEA, ka kohë që dyshon se Irani përdorë këtë dhomë për testimet e detonatorit për përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore. Megjithatë, Irani ka mohuar çdo lidhje për të zhvilluar bombën atomike.

Punimi grafik thuhet se është bërë nga dëshmitarët okularë, megjithatë AP nuk ka dhënë asnjë detaj shtesë.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Ehud Barak, ka deklaruar se nuk e befasojnë dëshmitë e reja të programit bërthamor iranian, transmeton Telegrafi raportin e Israel Today.

Televizioni izraelit Channel 10 News raportoi se në mesin e administratës së presidentit amerikan Barack Obama është shtuar shqetësimi se Izraeli mund të nisë në çdo kohë një sulm preventiv mbi objektet bërthamore të Iranit. Zyrtarët amerikanë thanë për këtë kanal televiziv se koalicioni i javës së kaluar në mes të partive Likud dhe Kadima ka shtuar shanset e një sulmi në gjashtë muajt e ardhshëm.

Ka kohë që spekulohet se kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu dëshiron ta sulmojë Iranin para zgjedhjeve presidenciale amerikane të nëntorit, në mënyrë që ta detyrojë Obaman ta mbështes këtë veprim.

Irani, shtet ky që çdo herë e më vështirë po gjen blerës për naftë, ka vendosur para më shumë se një muaji të çaktivizojë sistemin satelitor në tankerët e saj, gjë të cilën zyrtarët amerikanë dhe analistët e naftës e cilësojnë si lojë të miut dhe të maces me qeveritë perëndimore të cilat duan zbatimin e sanksioneve të eksporteve të Iranit , shkruan Washington Post

Taktika e pazakontë ka filluar në fillim të prillit dhe ka ndikuar në një të katërtën e flotës së cisternave iraniane, thotë Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA). Ky veprim që shkel ligjet detare ka një efekt modest në fshehjen e tankeve të mëdha, teksa lundrojnë oqeaneve në kërkim të porteve të hapura dhe blerësve të gatshëm. Por, kjo gjithashtu nxjerr në pah pozitën e pasigurt të Iranit, sepse ballafaqohet me sanksionet më të rrepta ndonjëherë të Perëndimit kundër industrisë së saj të naftës, që është burimi më i madh i të ardhurave të qeverisë dhe kapaciteti kryesor për eksport, shkruan Washington Post.

Pritet që zyrtarët iranianë megjithatë të lëshojnë pe pas bisedimeve nukleare të parapara për këtë muaj. SHBA-të dhe aleatët e saj do të insistojnë në obligimet e Iranit, nga i cili shtet kërkohet ndalimi i plotë i programit të saj bërthamor.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›