Rusia bën përgjegjëse Al Kaida-n për sulmet në Damask
Rusia ka akuzuar Al Kaidën, se ka organizuar një seri sulmesh vdekjeprurëse në qytetet më të mëdha të Sirisë.
Zëvendësministri Genadi Gatilov tha se “është absolutisht e qartë” se Al Kaida qëndron pas sulmeve që vranë 55 njerëz në javën e kaluar, jashtë një ndërtese qeveritare të sigurisë në Damask.
Një grup islamik i panjohur deri më tash, ka marrë përgjegjësinë për sulmin, por opozita e akuzon qeverinë e Bashar al Asadit, se po përdor lidhjet me Al Kaidën, për të diskredituar grupet kryengritëse.
Gatilov po ashtu i kritikoi fuqitë perëndimore se po e mbështesin opozitën dhe paralajmëroi përshkallëzim të dhunës në vend.
Rusia, një aleate tradicionale e Sirisë, ka përdorur dy here veton ndaj rezolutave të Këshillit të Siguimit, që synonin ndaljen e Asadit nga përdorimi i forcës kundër civilëve.