E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Ish- ministri i Jashtëm, Bushati: Mbledhja e parlamenteve të Kosovës dhe Shqipërisë, shënon një moment të rëndësishme për kombin

Ish- ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka komentuar se seanca e përbashkët e parlamenteve të Shqipërisë dhe Kosovës, në prag të 110 vjetorit të pavarësisë, shënon një moment të rëndësishme për kombin tonë.

Nëpërmjet një reagim në Facebook, Bushati shprehet se ky takim është një hap përpara praktikës së konsoliduar të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, që prej mbledhjes së Prizrenit, në Janarin e 2014-ës.

Sipas tij, edhe pse historia na ndau padrejtësisht, sot jemi qartësisht të bashkuar për stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit tonë drejt familjes së përbashkët europiane.

“Rruga jonë ka qenë e mundimshme dhe produkt i sakrificave të papërshkrueshme për liri. Ndaj, sa herë flasim për të ardhmen, pavarësisht diferencave botëkuptimore, nuk duhet ta harrojmë historinë. Pasi siç thoshte me mençuri Winston Churchill “në histori qëndrojnë të gjitha sekretet e shtetbërjes”. Thellimi dhe kapilarizimi i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kosovës shkon në raport të drejtë me avancimin e pozitave të shqiptarëve në Ballkan. Po kështu, ndërtimi i marrëdhënieve të mira me fqinjët e tjerë në rajon ndikohet nga ky bosht dhe ndarja e përgjegjësive e roleve mes Shqipërisë dhe Kosovës. Ne shqiptarët, duke qendruar në anën e duhur të historisë, kemi fituar luftën. Sfida jonë është të garantojmë paqen dhe të kemi një qeverisje më të mirë, më të drejtë e më të ndershme, për të ngjallur shpresen dhe besimin e brezit të ri, e për të nderuar veprën dhe kontributet e të parëve tanë.”- shkruan Bushati.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›