E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish- të përndjekurit: Jemi të vendosur, Berisha është pjellë e komunizmit

Pasi kryeministri Berisha shpërfilli kërkesat e grevistëve, 8 ish- të përndjekurit deklarojnë se nuk do të dalin nga ngujimi deri në plotësimin e kushteve ekonomike. Njëri prej tyre, Vllasi Koçi, u shkëput nga greva për të shkuar në spital, por e braktisi spitalin, duke hedhur akuza për sjelljen e mjekëve dhe infermierëve për qëndrimin e mbajtur ndaj tij.

Të irrituar nga qëndrimi i kreut të qeverisë dhe përfaqësuesve të tjerë të mazhorancës, ata deklaruan të gënjeshtërt çdo koment të bërë në adresë të tyre.

Grevistët i kujtuan kryeministrit se me votat e ish- të përndjekurve ai ka ardhur në pushtet. Ata thanë se Berisha është pjellë e komunizmit.

Ndërkohe, policia vazhdon të mbajë nën mbikëqyrje të rreptë ambientet përreth çadrave ku zhvillohet greva.

Në ditën e 25-të, kur i ftohti dhe shiu u ka hyrë deri në palcë, grevistët refuzojnë mjekimin në spital.

Sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët kanë vizituar grevistët, dy prej tyre janë në gjendje më të rëndë, Fatmir Lamaj dhe Ramazan Spahiu. Megjithatë edhe tek grevistët e tjerë ka probleme serioze me tensionin, stomakun dhe organet e tjera.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›