E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-futbollisti Bubeqi vret një person, plagos 4 të tjerë

VLORE- Ish- futbollisti i Flamurtarit, Agim Bubeqi vret një person me thikë dhe plagos katër të tjerë. Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të natës së djeshme, në një lokal vetëm pak metra larg shtëpisë së autorit. Agim Bubeqi, 49 vjeç, është një emër i njohur në futbollin e Vlorës në vitet '80-të.
Dëshmitarët okularë nga vendi i ngjarjes pohuan dje në mbrëmje se pesë persona ishin duke qëndruar në një lokal që ndodhet në fund të pallatit të ish-futbollistit, në lagjen "Isa Boletini". Rreth orës 23.00, në lokal ka hyrë edhe Agim Bubeqi, i cili sapo është ulur, ka nisur të shikojë drejt tavolinës ku ndodheshin pesë personat. Në atë moment ata ishin duke qeshur dhe ai ka menduar se po qeshnin me të. Kjo ishte zanafilla e grindjes, që përfundoi me disa të tallura nga ana e djemve që ndodheshin në tavolinë, ndërsa Bubeqi ka dalë nga lokali.
Sipas dëshmitarëve, Bubeqi ka shkuar në shtëpi dhe ka dalë prej aty pak minuta më pas me një thikë të madhe në dorë. Më pas ai ka shkuar në një furrë buke pranë lokalit dhe, kur i ka dalë përpara një fëmijë, i ka thënë që të largohej nga aty me shpejtësi. Bubeqi ka hyrë në lokal dhe pa folur asnjë fjalë i është sulur tavolinës ku ndodheshin pesë personat. Personat që ndodheshin në lokal në momentin e ngjarjes, kanë pohuar se Bubeqi ka qëlluar të parin 24-vjeçarin Edmond Nguci. Ai ka marrë një thikë në shpatull, por plaga ishte tepër e madhe dhe djali i ri ka nisur të humbë shumë gjak. Në këtë moment Bubeqi është kthyer nga të tjerët dhe ka nisur t'i qëllojë edhe ata me thikë. Sulmi i tij ka ndaluar vetëm kur të pesë personat kanë përfunduar të shtrirë përdhe. Në këtë moment ai është larguar nga lokali, ndërsa klientët e tjerë, edhe pse të tmerruar nga ajo që kishin parë, kanë marrë pesë të plagosurit dhe i kanë nisur për në spital. Burime nga spitali pohuan se 24-vjeçari Nguci ka mbërritur i vdekur aty. Katër personat e tjerë ndodhen ende në spital, por jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë kësaj kohe, në vendin e ngjarjes ka mbërritur policia, e cila ka gjetur autorin e krimit teksa rrinte sërish pranë furrës së bukës. Agim Bubeqi kishte shkuar në shtëpi ku kishte larë thikën dhe kishte dalë sërish në pritje të policisë. Ai nuk ka bërë aspak rezistencë, por u ka thënë policëve që të mos e rrihnin, pasi ishte i plagosur, dhe u ka treguar një të gërvishtur thike.
Prej kohësh Agim Bubeqi njihej si njeri depresiv, që qëndronte i vetmuar. Ai bridhte me biçikletë në qytetin e Vlorës dhe pak muaj më parë kishte pësuar një aksident.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›